Në kanionin e Lumit të Drinit, afër Urës së Fshajtë, së fundi është përuruar edhe një atraksion turistik për Kosovën. Është kjo “Ura tibetiane” që lidhë brigjet e lumit në këtë pjesë të kanionit. Ky atraksion ka nxitur kërshërinë e shumë vizitorëve, jo vetëm për të provuar kalimin emocional të “urës tibetiane” por edhe për të shijuar bukurinë natyrore të kanionit të Drinit të Bardhë. “Ura tibetiane”, ndodhet pranë Urës së Fshajtë. Përndryshe ky lokalitet në kanionin e Drinit të Bardhë është zonë e mbrojtur natyrore në kategorine monument natyre me karakter hidro-gjeomorfologjik. Zona e mbrojtur natyrore ka sipërfaqe prej 199 ha dhe shtrihet në territorin e komunës së Gjakovës (73.86 ha) dhe Rahovecit (124.96 ha).


