Sunday, September 13, 2020

Pema e çokollatës, historia e kakaos dhe vlerat e saj

Sot është Dita Ndërkombëtare e Çokollatës. Çokollata është një produkt ushqimor industrial që ka për bazë kakaon. Përdoret për ushqim në formë të pastër dhe si gjysmë produkt në industri e kuzhinë. Po është shumë e rëndësishme të dimë se nga vjen produkti kryesor për prodhimin e çokollatës. Është pema e kakaos ajo që rritë farat nga të cilat prodhohet materiali bazë për prodhimin e çokollatës. Bima Theobroma Cacao (emri shkencor i kakaos) u klasifikua nga Lineu, duke patur parasysh emrin dhe përdorimin e tij në qytetërimet që e përdornin në atë kohë. Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. 


Disa karakteristika të pemës së kakaos 

Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakaos ishin majatë, rreth vitit 1000 p.e.s. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës. Më vonë majatë dhe astekët filluan kultivimin e kakaos dhe më vonë të prodhonin çokollatë.
Pema ka nevojë për ujitje të rregullta dhe të vazhdueshme, si dhe për një klimë të ngrohtë dhe të lagësht. Kushte të ngjashme klimatike plotësojnë edhe disa zona të kontinentit aziatik. Druri i kakaos ka gjethe të gjera, të cilat fillimisht janë të kuqe dhe kur rriten, bëhen jeshile. Lulet janë në ngjyrë të bardhë ose rozë dhe çelin shumë njëherësh. Kakao prodhon lule dhe fryte gjatë gjithë vitin, megjithatë, frytet e saj vilen dy herë në vit. Vlen për t’u përmendur që nuk mund të prodhohet çokollata, pa përpunuar së pari kokrrat e kakaos, pasi ato janë shumë të hidhura. Pasi janë nxjerrë kokrrat nga lëvozhgat, ato lihen të thahen në diell e më pas mbulohen me gjethe bananeje për disa ditë, që të zbuten. Kjo është mënyra e fermentimit të tyre. Pasi paketohen, ato eksportohen në pothuaj të gjitha vendet e botës, për të prodhuar çokollatën që e adhurojnë të gjithë. 


Historia e çokollatës 

Qenë Acteket ata që i mësuan europianëve kolonizatorë se si të përgatitnin çokollatën e nxehtë me shijen e saj të mrekullueshme. Fjala ‘çokollatë’ vjen nga gjuha e Actekëve, “xocolati”, që do të thotë ‘ujë i hidhur’. Kete uje ata e përdornin për të prodhuar një pije me shije të hidhur, e cila përdorej vetëm me raste të veçanta. Pothuajse gjatë gjithë periudhës së Mesopotamisë çokollata përdorej si pije. Ndërsa, në Evropë ajo u prezantua për herë të parë nga perandori aztek Montezuma dhe filloi të konsumohej kryesisht pas vaktit të drekës. Për vite të tëra prodhimi i çokollatës nuk ndryshoi derisa erdhi periudha e revolucionit industrial që i dha çokollatës formën që ajo ka edhe sot. 


Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije e quajtur ksokoatl, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije përftohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë, si mielli e mineralet. Një tjetër mënyrë prëgatitjeje ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë. 

Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, e cila në Antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën. Pas pushtimit spanjoll filloi të përdorej “dybeku” (molinilo), i cili lëvizej poshtë e lart dhe kështu arrihej më shpejt shkuma aq e dëshiruar. Nuk mund të mos vihet re koincidenca e mënyrës së përgatitjes të pijes së kakaos me traditën afrikane të pregatitjes së çajit (tre cikle të njëpasnjëshëm pregatitje, çdonjëri prej të cilëve përftohet nga zierja e gjetheve të çajit, përzierja e përsëritur deri në arritjen e shkumës). Ksokoatl-i kishte si efekt lehtësimin e ndjesisë së lodhjes, gjë që lidhej me teobrominën që përmbante. Ai ishte një artikull luksi në gjithë Amerikën qëndrore pre-kolumbiane; farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse: në thesarin e perandorit Motekuhzoma (më i njohur si Montezuma), gjendeshin thuajse një miliard të tilla. Thuhet se ksokoatl-i kishte një shije të shkëlqyer. 

Hoze de Akosta, një misionar jezuit spanjoll që jetoi në Peru dhe më pas në Meksikë në fundin e shek.XVI, shkruante: Jo e shijshme për ata që nuk e njohin, më një shkumë në sipërfaqe që nuk ka aspak shije të mirë. Gjithsesi, është një pije shumë e vlerësuar nga indianët, të cilët e përdorin për të nderuar fisnikët që përshkojnë vendin e tyre. Spanjollët, si burrat dhe gratë, të cilët janë mësuar me vendin, janë shumë xhelozë për këtë çokollatë. Thonë se përgatisin shumë lloje, të ngrohta, të ftohta, të vakta dhe se i fusin shumë ereza; bëjnë me të dhe një brume që sipas tyre është i mirë për stomakun. Vetëm në vitin 1502 kakao u njoh nga qytetërimi evropian: Kristofor Kolombi gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje; në kthim morri me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soto u arrit futja e kakaos në Evropë në mënyrë të përhapur, ishte viti 1519. 


Ai arriti në Amerikë nga Spanja. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao. Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës me qëllim tregtar udhëtoi mbi një anije nga Verakruzi në Sevilje në 1585. Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhërat murgjërore spanjolle, të cilat kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t’i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës. 

Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe në 1615 në gjithë Evropën. Gjurmët e lidhjes së vjetër të Firences me çokollatën gjenden në disa libra të Biblotekës Kombëtare Qëndrore të Firences, ku gjenden dëshmi të shumta të shkruara duke filluar nga viti 1600 me një debat mbi çokollatën dhe konsumin e saj. Gjithmonë në Firence, nga viti 1680 gjenden gjurmë të shkruara mbi temën e çokollatës. Në 1680 botohet “Ndryshimet mes ushqimit dhe çokollatës…” të cilin e ndjekin në 1728: “Mendime rreth përdorimit të çokollatës”, “Letër ku ekzaminohen arsyetimet e autorit të mendimeve të para, rreth përdorimit të çokollatës”, “ 

Në shek. XVII u kthye në një luks mes fisnikëve të Evropës dhe hollandezët, lundrues e zotët, ia morën Spanjës kontrollin botëror. Në Venecian e viteve 700 lindnin dyqanet e para të kafesë, paraardhësit e bareve të sotëm; ato ishin sigurisht dhe dyqane çokollate dhe ishin në garë për të ndryshuar recetat ekzistuese duke shpikur të reja. Në vitin 1790 “Gazeta Veneciane” dokumentoi përhapjen e produktit. Deri në fund të shek. XVIII çokollata konsiderohej si shëruese ndaj çdo gjëje dhe mendohej me veti mrekullibërese. Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos; në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës; një shembull ishte Torino i cili kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Svicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak pregatitja e pijeve të çokollatës u kthye në një pasion. 

Në fund të shek. XVIII çokollata e parë e ngurtë siç e hamë sot, u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhet të vinte viti 1820 që sistemi të vihej në punë dhe kubi i parë i çokollatës u prodhua në Angli.Në vitin 1826 Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë. Në 1828 hollandezi Conrad J. van Houten, e shpejtoi metodën e nxjerrjes së yndyrës nga farat e kakaos, duke i transformua në kakao pluhur dhe gjalp kakaoje. Zhvilloi gjithashtu të ashtuquajturin “proces hollandez”, i cili konsiston në trajtimin e kakaos me alkale për t’i hequr shijen e hidhur. Këto trajtime bënë të mundur prodhimin e çokollatës si ajo e sotmja. 


Çokollata e parë me përmasa më të mëdha se ajo e Doretit u prodhua në 1847 nga Joseph Fry. Në 1852-shin në Torino Michele Prochet filloi të përziente kakaon me lajthi të shtypura e të pjekura, duke krijuar brumin Gianduia. Daniel Peter, një fabrikant zviceran qirinjsh, u bashkua me të vjehrrin për të prodhuar çokollatë. Në 1867 filluan të fusnin edhe qumështin si përbërës dhe nxorrën në treg çokollatën me qumësht në vitin 1875. Për të larguar ujin nga qumështi në mënyrë që çokollata të ruhej me gjatë, u ndihmua nga një fqinj, fabrikant ushqimesh për femijë, me emrin Henri Nestlè. Rudolph Lindt shpiku procesin e quajtur “conching”, i cili konsiston në mbajtjen për një kohë të gjatë të çokollatës së shkrirë për ta bërë mishelën homogjene. Në 1946 Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi me qëllim për t’i shitur disa kile pastiçierëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç’pritej dhe disa vjet më vonë, në vitin 1964, lindi çokokremi, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën. 

Llojet e çokollatave 

Ekzistojnë lloje të ndryshme të çokollatës. Çokollata e pastër, pa sheqer përmban vetëm kakao dhe gjalpë kakaoje, ndërsa ajo që ne e konsumojmë sot është një kombinim i kakaos me sheqer. Çokollata me qumësht është një kombinim midis kakaos, qumështit të freskët apo atij pluhur dhe sheqerit. Çokollata përmban alkaloidë, të cilat kanë disa efekte psikologjike te njerëzit, ndërsa çokollata e zezë përmendet shumë për efektet pozitive që ka në shëndetin e gjithë secilit, pasi përmban antioksidantë, të cilat zvogëlojnë formimin e radikaleve të lira. Çokollata e bardhë nuk ka në përmbajtje të saj aspak kakao, por vetëm gjalpë kakaoje, qumësht dhe sheqer, ndërsa ajo e zezë ka sasi të mëdha yndyrash. Çokollata, e cila nuk ka fare sheqer është thjesht liker çokollate dhe ka shije të hidhur. 


Vlerat ushqyese të çokollatës dhe përdorimet tjera

Çokollata është një prej kënaqësive më të mëdha në jetë dhe si e tillë shijohet në maksimum, por ajo ndikon edhe shumë pozitivisht te shëndeti i njeriut. Çokollata e zezë ndikon pozitivisht në rrugët e frymëmarrjes, lufton kancerin, stimulon trurin, parandalon kollën, ndërsa efekti afrozodiak nuk është provuar akoma. Sipas kërkimeve të fundit, konsumimi i sasive të caktuara të çokollatës ndihmon në luftimin e sëmundjeve të ndryshme, por duhet pasur shumë kujdes kur bëhet fjalë për sasinë sepse konsumimi i tepërt çon në rritje të kolesterolit. Shkrirja e çokollatës në gojë ndikon në rritjen e aktivitetit të trurit. Këto pra janë dobitë që i kemi nga konsumimi i çokollatës, andaj nëse dëshironi t’i parandaloni sëmundjet e caktuara konsumojeni atë, por kuptohet në sasi të moderuar.
Meqenëse ka veti antioksidante te fuqishme, mund te përdoret për lëkuren e fytyrës dhe te trupit, nëpërmjet maskave e masazheve, për te patur një lëkurë te shndritshme e te bute si ajo e bebeve. 

A mundë të zhduket bima e kakaos? 

Planeti rrezikon të mbetet pa çokollatë pas 40 viteve, sipas parashikimeve të disa specialistëve, që vlerësojnë se drurët e kakaos do të japin betejë për t’i rezistuar temperaturave më të nxehta. Druri i kakaos mund të zhvillohet në vendndodhje të caktuara në dy hemisferat. Për të dhënë frute, drurit i duhet igrasi dhe shumë shi. Këto kushte, nuk jemi të sigurtë, nëse do të përmbushen në 30 vitet e ardhshme. 

Specialistët parashikojnë rritje të temperaturave me 2,1 gradë celsius nga ngrohja e planetit. Sipas Administratës Kombëtare të Oqeaneve dhe Atmosferës, kushte të tilla do të ndikojnë bimët dhe industrinë e çokollatës në mbarë botën. Shkencëtarët konsiderojnë se nuk do të rriten rreshjet e shiut, gërshetuar me rritje të temperaturës, për pasojë do të kemi mungesë igrasie. 


Rajonet ku prodhohet kakaoja do të transferohen drejt zonave malore, në zona që sot cilësohen si natyrë e egër. Siç njoftojnë mjetet e informacionit, në vende si Gana apo Bregu i Fildishtë që prodhojnë më shumë se gjysmën e çokollatës në nivel global, qeveritë do të duhet të enden mes dilemës, nëse do të vazhdojnë të mbështesin globalisht prodhimin e çokollatës, apo të shpëtojnë ekosistemet në glob. Në të njëjtën kohë, çokollata përbën një produkt të konsumit të gjerë në planet. Për pasojë, nevojitet prodhim i madh në sasi, për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut.

No comments:

Post a Comment