Tuesday, June 16, 2020

Rritja globale e popullsisë dhe sfidat mjedisore!

Njëra ndër politikat globale mjedisore që tashmë ka filluar së zbatuari me qëllim të zbutjes së ndikimeve që do të ketë rritja globale e popullsisë është efiçenca e burimeve natyrore që nënkupton shfrytëzimin sa më efiçentë të të gjitha burimeve natyrore.


Dje zyrtarisht popullsia e botës ka shënuar 7 miliardë banorë. Trendi aktual i rritjes së popullsisë parashikon që deri në vitin 2050 popullsia globale të arrijë numrin në 9 miliardë, ndërkohë që në vitin 2100 numri i banoreve në planet do të rritet nga 10 deri në 14 miliard.

Rritja e popullsisë në botë parashihet të ketë ndikimin e saj në shumë sektorë. Në mesin e këtyre ndikimeve padyshim se ndikimi në mjedis do të jetë një nga më të theksuarit dhe më të ndjeshmit. Ekspertët e mjedisit dhe organizatat e ndryshme që merren me hulumtimin e ndikimit të rritjes së popullsisë në mjedis vlerësojnë se kjo rritje e popullsisë është e lidhur ngushtë me shumë parametra mjedisor e sidomos me ndryshimet klimatike dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore.

Prandaj pyetja më e shpeshtë që parashtrohet nga ekspertët e mjedisit është se a mundet të mbahet konstant ndikimi në mjedis përballë një zhvillimi të tillë zhvillim demografik.

Vlerësohet se trendi aktual i rritjes së popullsisë do të rrisë në masë të madhe ndikimin në ndryshimet klimatike. Kjo në radhë të parë për shkak të rritjes së nevojës për konsumin e energjisë që do të rezultojë me rritjen e gazrave serë në atmosferë.

Pra me rritjen e popullsisë do të shtohet kërkesat për përdorimin e sa më tepër energjie për të plotësuar kërkesat gjithmonë e në rritje të popullsisë.

Ndikimi në mjedis nga rritja e popullsisë do të vijë edhe për shkak të migrimeve të mundshme që mundë të ndodhin si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Sipas raportit të OKB-së mbi popullsinë botërore për vitin 2009 , pritet që ndryshimet klimatike të jenë një nga faktorët kyçë që do të ndikojë në migrimin e popullsisë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Në raport thuhet se këto migracione pritet të shkaktohen kryesisht nga katastrofat natyrore,  thatësira, degradimi i tokës dhe nga rritja e nivelit të detit i cili do të ketë për pasojë erozionin dhe përmbytjet e brigjeve. Kërcënimi i fundit do të jetë më i shprehur sidomos në zonat bregdetare të populluara (ku gjendet 60 për qind e 39 metropoleve të mëdha) dhe për ishujt, ku tokat kërcënohen nga zhytja.  Sipas OKB-së, deri në vitin 2050, të paktën 200 milionë njerëz do të zhvendosen për shkak të  faktorëve mjedisor të ndërlidhur me ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike do të ndikojnë edhe në zgjerimin e shkretëtirave dhe me këtë edhe zgjerimin e varfërisë në botë. Po ashtu këto ndryshime globale të klimës do të ndikojnë edhe në humbjen e biodiversitetit e me këtë edhe me zvogëlimin e resurseve natyrore, që kushtimisht do të krijojë probleme për ushqimin e popullatës globale. Pra ndryshimet klimatike dhe rritja e popullsisë janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe ndikimi i tyre është bilateral.

Por padyshim se një ndër sfidat më serioze që i ndërlidh rritjen globale të popullsisë dhe ndikimin në mjedis mbetet problemi energjetik. Kur flitet për resurset energjetike sfida më e madhe ka lidhje me naftën. Konsumi aktual është rreth 90 milionë fuçi në ditë.

Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kjo nevojë është e destinuar të rritet me rritjen e popullsisë dhe në vitin 2030 do të shkojë në 120 milionë fuçi në ditë. Dhe për të mbajtur konstant ndikimin në mjedis duhet patjetër kursim të këtij resursi ose prodhimin e teknologjive të reja më efikase. 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tërheqë vërejtjen se nëse nuk zbatohen ndryshime të mëdha politike, kërkesa globale për energji do të rritet për 40 % gjatë 20 viteve të ardhshme.

Çështja e konsumit të energjisë në nivelin global shikohet nga dy këndvështrime. Në vendet e varfra që kanë popullsi në rritje dhe synojnë zhvillimin e shpejtë,  do të kemi rritje të konsumit të energjisë si nevojë për rritje ekonomike. Ndërsa në vendet e pasura pritet të këtë një konsum energjetik më të limituar i cili do të jetë i bazuar  në aktivitete që gjithnjë e më shumë janë të bazuara në efiçencë të burimeve energjetike. 

Në këto vende do të prodhohen më shumë shërbime dhe të mira jo materiale që nuk kërkojnë shfrytëzim të madh të lëndëve të para dhe energji.

Prodhimet do të jenë të orientuara në përdorimin e teknologjive të  avancuara dhe ekologjike.

Pra në nivelin global patjetër, do të lindë nevoja për zvogëlimin e konsumit të energjisë me qëllim që të mbahet konstant ndikimi në mjedis. Për shembull që një vend si India të mbajë konstant edhe në vitin 2050 ndikimin e saj mjedisor, duke marrë parasysh edhe rritjen e popullsisë, çdo produkt industrial pas 40 vjetësh duhet të realizohet me një konsum energjie 13 herë më të vogël se ai aktuali, që praktikisht është i pamundur, sepse rritja në dhjetëvjeçarët e ardhshëm do të shumëfishojë mbi të gjitha konsumin e atyre të mirave si ushqimi, që kërkon një përqendrim të madh të lëndëve të para, energji dhe punë.

Një sfidë tjetër mjedisore që është e ndërlidhur me trendin e rritjes globale të popullsisë është ushqimi dhe pyetja që më së shpeshti shtrohet karshi këtij problemi është: A mjaftojnë resurset që ka toka për të ushqyer një popullsi të tillë?  Sipas vlerësimeve të Organizatës për Ushqimi dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara- FAO, toka mund të ushqejë deri në 20 miliardë persona. Por, problemi qëndron te varfëria dhe shpërndarja e ushqimit.

Në një raport të OKB-së, thuhet se në 20 vitet e fundit, norma e rritjes së popullsisë botërore ka zbritur në 1.14 për qind, ndërsa prodhimi i ushqimit është rritur në mënyrë konstante me 2 për qind për çdo vit.

Pra, bota nuk po zgjeron rezervat ushqimore të planetit. Problemi i vërtetë qëndron tek qasja e pabarabartë ndaj ushqimeve për të gjithë dhe një shpërndarjeje e gabuar e tij thotë studimi.

FAO vlerëson po ashtu se kërkesa për ushqim, mund të rritet rreth 70 % deri në vitin 2050. Problemet me çështjen e ushqimit, sistemet e ujit dhe energjisë në nivel global, janë bërë gjithnjë e më të dukshme gjatë viteve të fundit. Për shembull, toka pjellore për person ka rënë globalisht nga 0,43 ha në vitin 1962, në 0,26 ha në vitin 1998. FAO pret që kjo vlerë të bjerë edhe më deri në 1,5 % në vit nga tani e deri me 2030 dhe kjo mundë të evitohet vetëm nëse iniciohen ndryshime të mëdha politike në nivelin global.

Kur flitet për rritjen globale të popullsisë patjetër duhet përmendur se me rritjen e konsumit të produkteve do të rritet edhe sasia e mbetjeve urbane. Këto mbetje urbane janë burimi numër një për zhvillimin e baktereve dhe sëmundjeve që mund të përhapen si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët.

Shumica e studimeve vënë në mëdyshje mundësinë që burimet natyrore të durojnë presionet përballë rritjes demografike. Shpesh këto studime janë të pritura dhe të orientuara nga disa kufij që nuk guxojnë të tejkalohen. Një prej tyre është shfrytëzimi i tokës për qëllime bujqësore, që sipas llogarive nuk mund ta kalojë kufirin 15 për qind të tokave të zhytura dhe të lira nga akujt.

Tejkalimi i kësaj përqindjeje, do të thotë varfërim i burimeve kryesore, si dhe zvogëlimi i sipërfaqeve të pyjeve që janë më së të nevojshme për kontrollin e nivelit të CO2 në hapësirë. Aktualisht janë në shfrytëzim 12 % e këtyre tokave dhe ajo që ngelet është edhe 3 % që nuk ka mundësi ti plotësojë kërkesat e popullsisë në rritje. Kjo do të thotë se për të përballuar nevojat ushqimore të një popullsie në rritje, nuk mjafton vetëm të gjejmë toka të reja për t’u kultivuar, por duhet të përmirësohen edhe mënyrat e kultivimit.

Kjo kushtimisht do të ndërlidhet edhe me ujërat e ëmbla që ka toka në dispozicion. Studimet vlerësojnë se kapaciteti maksimal i shfrytëzimit të ujit për këtë qëllim nuk  mund të shkojmë përtej një konsumi prej 4000 km3 në vit ndërkohë që aktualisht niveli i shfrytëzimit është prej 2600 km3 në vit.

Edhe  përdorimi i resurseve të pa ripërtërishme në shumë pjesë të botës është afër arritjes së kufirit dhe burimet potenciale të ripërtërishme janë duke u përdorur përtej kapacitetit të tyre riprodhues. Shfrytëzimi i tepruar i resurseve ujore, e kombinuar me qasje të pamjaftueshme në ujë të pijshëm dhe kanalizime, janë sfida që do të arrijnë nivele kritike në të ardhmen. 

Të gjitha këto ndryshime mjedisore përveç ndikimit të tyre të drejtpërdrejtë në mjedis do të shoqërohen edhe me efekte tjera që janë të ndërlidhura me kualitetin e jetës, por edhe me mundësinë për të dëmtuar edhe stabilitetin social dhe politik ne botë.

Për më tepër, kushtet e jetesës së miliarda njerëzve janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me qëndrueshmërinë e shërbimeve të ekosistemeve natyrore. Kjo, bashkë me presionet demografike dhe uljen e qëndrueshmërisë socio-ekologjike, mund të shtoj një dimension të ri të debatit për mjedisin dhe sigurinë në mesin e të cilave edhe konfliktet për resurset e pakta natyrore dhe presionet për migrim.

Përballë këtyre sfidave mjedisore, janë shumë të rëndësishme orientimet dhe masat globale që do të ndërmerren për të ardhmen. Këto masa do të përcaktojnë në masë të madhe fatin e mjedisit të globit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Njëra ndër politikat globale mjedisore që tashmë ka filluar së zbatuari me qëllim të zbutjes së ndikimeve që do të ketë rritja globale e popullsisë është efiçenca e burimeve natyrore që nënkupton shfrytëzimin sa më efiçentë të të gjitha burimeve natyrore. 

Nevoja për përdorimin e resurseve të reja energjetike dhe mundësitë e prodhimit të ushqimit të modifikuar gjenetikë janë disa alternativa tjera të mundshme që mundë të zbusin problemin.

Studiuesit e popullsisë thotë se një nga veprimet më të rëndësishme që duhet ndërmarrë është edhe edukimi i grave dhe qasja e tyre në raport me riprodhimin. Rekomandohet po ashtu që të investohet më shumë në  fushën e shëndetësisë dhe të arsimimit të fëmijëve dhe të shtimit të përgjegjësisë për mjedisin dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore.

Me rastin e lindjes së banorit të 7 miliardë të globit, Botuar me 1.11.2011 në Gazetën Express, Gazetën Info press dhe në portalin Telegrafi.com (https://telegrafi.com/rritja-globale-e-popullsise-dhe-sfidat-mjedisore/)


1 comment: