Kjo mrekulli e natyrës sonë është krijuar në fundin e shpatit verior të malit të Tomorit, afër fshatit Sotirë (Gramsh), aty ku shkëmbinjtë gëlqerorë përfundojnë shtrirjen e tyre në një katarakt ku si me magji nga 'zemra e shkëmbit' shfaqen dy burime masive ujore. Kur e sheh nga tarraca shkëmbore përballë, por edhe kur ndodhesh nën piklat e uji që shpërndahen në ajër, e kupton se sa fat është të jesh këtu, në këtë copëz mrekullie të natyrës sonë. Ujërat që rrjedhin furishëm përmes shkëmbinjve gëlqerorë e që bien në trajtë çurgjesh nga lartësitë 20-100 metra, të bëjnë të përhumbesh totalisht në një spektakël ngjyrash e përjetimesh. Banorët e zonës, dy burimet ujore që dalin nga kataraktet i quajnë Currega e Madhe dhe Currega e Vogël.
Rrugëtimi nga fshati Sotirë drejt ujëvarës është i lehtë (ndiqet një rrugë makine të cilën e përshkojnë shpesh makina nga fshati që çojnë e sjellin vizitorë tek ujëvara). Nëse keni makinë 4x4 mund të shkoni deri afër ujëvarës. Përballë ujëvarës gjendet një tarracë e blertë, ku mund t’i afrohesh Ujëvarës e ta kundrosh atë, dhe të pushosh nën zhurmën e pashtershme të ujit të burimeve. Nëse keni këpucët e përshtatshme, mund të depërtoni në brendësi të ujëvarës falë një shtegu të krijuar, gjithmonë duke bërë kujdes se terreni është ca si i rrëshqitshëm.
Si kudo në Shqipëri, edhe këtu çështja e ‘pronës” së ujëvarës mbetet problem prej më shumë se tre dekadash; beratasit pretendojnë se ju përket atyre, mbasi shpati i malit ndodhet në kufijtë e njësisë administrative të Roshnikut. Nga ana tjetër gramshiotët me të drejtë e quajnë ‘pronë’ të tyren pasi ujërat përplasen, derdhen e vijojnë në territorin e fshatit Sotirë.Vetë Sotira bën pjesë në zonën e famshme të Sulovës, e cila është pjesa fundore e luginës së Tomorricës. Në këtë luginë (Tomorricë) mendohet se gjendet edhe thesari i famshëm i Muzakajve. Ujëvara është shpallur "Monument natyre".
No comments:
Post a Comment