I nderuar lexues,
Blogu “Të shkruash gjelbër”, është një përmbledhje e shkrimeve, opinioneve dhe analizave të mia, të cilat janë botuar në gazeta ditore, revista dhe portale të ndryshme të agjencive të lajmeve por edhe informacioneve tjera të përzgjedhura nga burime të ndryshme dhe nga autorë të ndryshëm.
Vendosa ti përvishem punës në krijimin e këtij blogu dhe përmbledh të gjitha këto shkrime në një blog të vetëm për disa arsye.
Së pari, të gjitha temat e trajtuara në shkrime e kanë në fokus një çështje: mbrojtjen e mjedisit.
Pastaj, edhe pse këto shkrime kanë qenë të botuara paraprakisht në gazeta, revista e portale, jo të gjithë dashamirësit e shkrimeve për çështjet mjedisore kanë pasur mundësinë ti lexojnë ato, andaj përmes përmbledhjes në një blog, lexuesit do të kenë rastin jo vetëm që ti lexojnë, por edhe të shohin llojllojshmërinë e temave dhe dallimet në mënyrën e qasjes ndaj problemeve të trajtuara.
Gjithashtu, blogu ofron edhe mundësinë e trajtimit të problemeve edhe përmes shprehjes së opinionit në formë të shkrimeve publicistike, dhe kjo është një mundësi më e mirë për të ndikuar tek publiku në sensibilizimin e tyre për mbrojtjen e mjedisit.
Duke ditur faktin se në Kosovë, portalet dhe platformat tjera online që në fokus e kanë çështjen e mbrojtjes së mjedisit janë të rrallë, ky blog do të jetë një mundësi më shumë për të pasuruar fondin e burimeve elektonike që trajton këtë çështje.
Prandaj, “Të shkruash gjelbër”, më shumë se një blog është një thirrje për veprim, është një zë i gjelbër dhe një dritare për mbrojtjen e mjedisit i cili shpresoj të ju hyjë në shërbim lexuesve të rëndomtë, nxënësve, studentëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, dashamirësve të mjedisit dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të kenë njohuri më të gjëra për çështjet e mjedisit, por edhe atyre që e pëlqejnë shkrimet me tema mjedisore.
Do të vlerësoja shumë çdo sugjerim, kritikë, koment, lëvdatë apo edhe ndonjë reagim tjetër për blogun në përgjithësi apo edhe për ndonjë nga shkrimet që përmban ai në veçanti.
Me shumë respekt, Afrim Berisha PhD
No comments:
Post a Comment