Nga: Afrim Berisha, PhD i Shkencave të Mjedisit!
Dihet se plastika është një nga përbërësit e shumë
materialeve që përdoren në jetën tonë të përditshme. Atë e gjejmë në veshje, në
goma makinash, në paketime, në qese plastike, në lodra, në enë kuzhine, në
shishe plastike të ujit dhe në shumë materiale tjera.
Aktualisht në mbarë botën çdo vit prodhohen më shumë se 440
milionë tonë plastikë. Sipas parashikimeve kjo shifër rritet çdo vit me katër
për qind. Rreth 98 për qind e të gjitha plastikave prodhohen nga nafta dhe gazi
natyror dhe vetëm dy për qind nga lëndët e para të ripërtëritshme. Me qëllim që
plastikat të arrijnë cilësitë e dëshirueshme, atyre u shtohen lëndë të
ashtuquajtura aditivë. Shumë prej tyre janë të regjistruara si substanca të
rrezikshme.
Vetëm disa lloje të pakta plastike mund të shpërbëhen shpejt dhe pa problem në kushte të caktuara në mjedis. Një nga këto lloje plastikash është biopoliesteri i natyrshëm PHA, që formohet nga bakteret. Megjithatë PHA-të janë rreth gjashtë herë më të shtrenjta për t‘u prodhuar se sa plastikat konvencionale.
Shumicës së plastikave u duhet një kohë e gjatë, derisa të
shpërbëhen në natyrë. Për shpërbërjen e gjysmës së produkteve plastike
nevojiten 100 vjet, ndërsa për gjysmën tjetër sipas studimeve llogaritet madje
deri në 1000 vjet.
Një sasi e madhe e kësaj plastike përfundon si mbeturinë.
Madje këto mbeturina i gjejmë jo vetëm në tokë por edhe në dete dhe në
oqeane.
Hulumtimet shkencore tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e
mbeturinave të plastikës, shpërbëhen (shkapërderdhen) në formën e grimcave të
imëta të njohura si mikroplastikë dhe arrijnë edhe në organizmin tonë. Vlerësohet
që një banorë urban në Evropën Perëndimore gëlltitë dhe thithë rreth 50,000
grimca plastike në vit.
Vetëm në Gjermani, sipas një studimi të Institutit
Frauenhofer për Teknikën e Mjedisit, Sigurisë dhe Teknologjisë (UMSICHT)
përhapen çdo vit rreth 5,4 kilogram mikroplastikë për kokë banori, sasi kjo që është
kompatibile me sasinë e plastikës së 800 shisheve uji.
Çka është mikroplastika?
Mikroplastikë, konsiderohen të gjitha grimcat plastike më të
vogla se 5 milimetra dhe nano-grimcat më të vogla se 0.001 milimetra. Megjithëkëtë
përkufizimi i mikroplastikës nuk është i qartë, sepse dallon në varësi të
materialit të origjinës dhe proceseve të prodhimit. Prandaj ka opinione që thonë
se madhësia e grimcave të plastikës varësisht
nga rasti shkon nga 0,0001 deri në 5 milimetra.
Mikroplastika ndahet në dy familje të mëdha: mikroplastikë
primare, të bëra me qëllim nga njeriu dhe që janë kryesisht kokrriza dhe
copëza polietileni (PE), polipropileni (PP), polistireni (PS), terefhtalat
polietileni (PET), polivinil kloruri (PVC) poliamid dhe acetat etilen vinyl
(EVA), dhe mikroplastikë sekondare, që vjen si pasojë e reaksioneve
kimike të shkaktuara nga degradimi dhe ekspozimi ndaj agjentëve atmosferikë,
kimikë dhe fizikë i qeseve, gomave, shisheve, materialeve të tekstilit dhe
materialeve tjera që përmbajnë plastikë.
Si krijohen grimcat e mirkoplastikës dhe si arrijnë në
organizimin tonë?
Një pjesë e madhe e mikroplastikës krijohet nga gërryerja e
gomave prej fërkimit, nga bitumi (asfalti i rrugëve) dhe shënjimet e rrugëve, që
në organizimin tonë mundë të arrijë kryesisht përmes ajrit. Mikroplastika
krijohet po ashtu edhe nga procesi i trajtimit të mbeturinave qoftë gjatë
deponimit të tyre, apo edhe gjatë procesit të riciklimit, ku një pjesë e grimcave
të mbeturinave të plastikës që nuk treten përfundojnë në plehun biologjik, e
pastaj përmes zingjirit ushqyes në organizmin e njeriut.
Një burim tjetër i mikroplastikës janë edhe fushat dhe
terrenet sportive me bar artificial, pastaj veshjet dhe mbathjet që kanë përmbajtje
plastike dhe përdorimi i paketimeve plastike në ushqime. Edhe detergjentet për
larjen e rrobave kanë përmbajtje të fibrave sintetike, ndërsa që përbërje sintetike
i shtohet edhe pastave të dhëmbëve për të bërë më efikase larjen e dhëmbëve apo
edhe produkteve kozmetike që përdoren për trajtimin e lëkurës.
Ky përdorim i gjithanshëm i plastikës nxjerr konkluzionin që
mikroplastika gjendet kudo në organizimin tonë, pasi që mundësitë e marrjes së
saj në organizëm janë nga mediume dhe forma të ndryshme si përmes ajrit që
thithim, ujit që pimë, ushqimit që konsumojmë apo edhe produkteve tjera me përmbajtje
plastike që përdorim në jetën e përditshme.
Si të reduktohet përhapja e mikroplastikës?
Përhapja më e madhe e plastikës në botë vjen nga përdorimi i
saj dhe gjenerimi i mbeturinave të plastikës. Në Kosovë, plastika përbën rreth
13% të totalit të përgjithshëm të mbeturinave që është pak a shumë e ngjashme
me mesataren në Evropë dhe në botë. Gjenerimi i mbeturinave të plastikës për
kokë banori në Kosovë për një vit vlerësohet të jetë rreth 44 kg, që është më e
ulët se mesatarja globale prej 60 kilogramësh.
Andaj, forma më e mirë për ta mbrojtur mjedisin dhe shëndetin
tonë nga plastika dhe përhapja e mikroplastikës, është reduktimi i përdorimit të
saj. Në veçanti është shumë i rëndësishëm reduktimi i përdorimit të plastikës
njëpërdorimshe, që është edhe burimi kryesor i plastikës në botë. Në funksion të
këtij reduktimi tashmë në shumë vende të botës e sidomos në Evropë janë duke u
aplikuar masa të veçanta. Kështu në shtetet e Bashkimit Evropian është arritur
ujdia për ndalimin e plastikës njëpërdorimshme. Pjatat plastike, pipat plastikë
dhe produktet e tjera, që hidhen pas përdorimit, do të jenë të ndaluara nga
viti 2021. Nga reduktimi i plastikës njëpërdorimshe, Komisioni i BE pret që të
ulen me 3.4 milionë tonë emetimet e CO2.
Në kuadër të masave tjera për reduktimin e përdorimit të
plastikës, në shumë vende tanimë janë bërë edhe sisteme të avancuara të ripërdorimit
dhe riciklimit të plastikës apo edhe rimbursimit për kthimin e shisheve të
plastikës.
Megjithëkëtë që të arrihet kalimi në një ekonomi të gjelbër që
ruan mjedisin, nevojiten më shumë masa dhe objektiva - si tarifat e detyrueshme
për prodhuesit e pijeve dhe ushqimeve që përdorin plastikën, taksat për
produktet e dëmshme plastike për mjedisin, ndalimi i produkteve të caktuara të
plastikës, kufizime të përdorimit të plastikës në bujqësi, kopshtari, në veshje
të tekstilit dhe në produkte të higjenës dhe kozmetikës.
Alternativa tjera përfshijnë përdorimin e plastikave
ekologjike që mundë të zbërthen më lehtë dhe që nuk përmbajnë kemikate të dëmshme
për mjedisin.
Cilat janë ndikimet e mikroplastikës në shëndet?
Përkundër që janë bërë disa hulumtime, që kryesisht kanë
evidentuar praninë e mikroplastikës në organizëm, efektet afatgjata të plastikës
dhe përbërësve të saj tek njerëzit janë aktualisht të paqarta dhe hulumtimi në
këtë fushë është ende i ri.
Shkenca nuk ka zbuluar akoma shumicën e pasojave të
akumulimit të mikrogrimcave plastike në indet e njeriut, gjë që është një
pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se mjekësia deri më tash nuk ka pasur mënyra
të besueshme për të zbuluar ndikimin e këtyre grimcave jo të degradueshme në
inde.
Disa nga hulumtimet kanë provuar të nxjerrin lidhjen midis
depërtimit të mikro dhe nano grimcave të plastikës, të cilat njerëzit i thithin
me frymëmarrje ose i gëlltisin, me sëmundjet e ndryshme, por deri me tani nuk
ka pasur rezultate konkrete.
Kështu për shembull shkencëtarët nga Arizona në hulumtimet e
tyre, përdorën 47 mostra nga mushkëritë, mëlçia, shpretka dhe veshkat, të cilat
i morën nga një klinikë sëmundjesh neurodegjenerative dhe me metodën e tyre
është zbuluar prania e mikroplastikë dhe kimikateve të tyre në të gjitha indet,
por nuk gjetën rezultate për efektet e këtyre mikrogrimcave në këto organe.
Një studim tjetër i kryer nga studiues të Universitetit të
Vjenës dhe i koordinuar nga Instituti Austriak për Sigurinë e Ushqimit,
hulumtoi ndërlidhjen e mënyrës së të ushqyerit dhe praninë e mikroplastikës në
organizëm dhe efektin e tyre. Hulumtimi dokumentoi praninë e mikroplastikës në
feçet e banorëve të Evropës, mirëpo, një nga pyetjet që parashtrohet tek
ky hulumtim dhe që ende nuk ka
përgjigjeje është: Nga vijnë mikrocopëzat plastike në organizëm, nga proceset e
prodhimit të ushqimit, nga përmbajtja e etiketave në ushqim, nga ambalazhet e
ushqimit apo ndonjë burim tjetër? Dhe cili është ndikimi i tyre në shëndet?
Një nga konkluzionet që ka dalë nga Organizata Botërore e
Shëndetësisë është se deri me tani nuk ka hulumtime që argumentojnë rreziqe të
mëdha për shëndetin e njeriut që rrjedhin nga mikroplastika në ushqim dhe ujë.
Sidoqoftë, hulumtimet në studimin e mikroplastikës në organizëm janë subjekt i shumë instituteve dhe agjencive kërkimore dhe pritet që së shpejti të ketë rezultate konkrete që flasin për ndikim e tyre në shëndet.
Botuar me 22.08.2020 edhe në portalet:
Ekonomia-ks.com (http://www.ekonomia-ks.com/sq/opinion/mikroplastika-sa-dime-per-te-dhe-si-arrin-ajo-ne-organizmin-tone)
Botasot.info (https://www.botasot.info/shendetesia/1359450/mikroplastika-sa-dime-per-te-dhe-si-arrin-ajo-ne-organizmin-tone/)
No comments:
Post a Comment