Nga: Afrim Berisha, PhD i
Shkencave të Mjedisit
Këtyre ditëve nga mediat jemi informuar për riaktivizimin e iniciativës për ndryshimin e ligjit për automjete (Ligji Nr. 05/L-132), përkatësisht ndryshimin e nenit 44 të këtij ligji që rregullon kushtet e importit të mjeteve rrugore. Ky nen ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet, dhe veturave që nuk e plotësojnë standardin Euro 4. Pa dashur të analizojë aspektet ekonomike dhe sociale që ndërlidhen me këtë iniciativë, përmes këtij shkrimi do të mundohem të vë në pah dëmet mjedisore që mund të sjellë ndalesa e heqjes së kufizimit për importin e veturave të vjetra në Kosovë. Por le ti marrim me radhë disa aspekte që ndërlidhen me ketë iniciativë dhe që kanë të bëjnë kryesisht me kontributin e automjeteve në ndotjen e mjedisit, moshën mesatare të automjeteve në Kosovë, dëmin mjedisor që sjellë heqja e kufizimit të importit për veturat e vjetra, masat që po ndërmerrë BE për reduktimin e shkarkimeve nga automjetet dhe çfarë mund të bejë Kosova që të ulë ndotjen e mjedisit nga automjetet.
Cili është kontributi i automjeteve në ndotjen e mjedisit në Kosovë aktualisht?
Transporti është
një prej burimeve kryesore të shkarkimevenë ajër dhe emetimeve të gazrave të
serrës. Edhe në Kosovë, transporti
llogaritet të jetë një ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit përkatësisht
emetimeve të gazrave serrë. Kur flasim për transportin atëherë burimi kryesor i
shkarkimeve janë automjetet. Ato emetojnë kryesisht Hidrokarbure (BTEX), Okside
të Azotit (NOx), Grimca të Pluhurit PM10 dhe PM2.5, Monoksid Karboni (CO) dhe
Dioksidi Karboni (CO).
Sipas vlerësimeve dhe të dhënava të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, djegia e karburantëve nga automjetet është një ndër burimet kryesore të emetimeve të gazrave serrë përkatësisht emetimit të CO2. Emetimet vjetore të CO2 nga transporti llogariten rreth 1,337 Gg CO2 equivalent ose 14% i totalit të emetimeve të gazrave serre. Kjo e bënë transportin sektorin e dytë për nga kontributi sa i përktet emetimeve të CO2, pas sektorit të Energjisë.
Transporti po ashtu është një ndër burimet kryesore edhe sa i përket emetimeve te NOx. Me emetime vjetore prej 14.169 Mg/vit ose 30% të totalit të emetimeve të NOx përfaqëson burimin e dytë kryesorë të emetimeve pas sektorit të industrisë energjetike. Ndërsa në emetimin e Grimcave të Pluhurit PM10, transporti merr pjesë me 11% të totalit të emetimeve kurse për PM2.5 merrë pjesë me 7% të totalit të emetimeve.
Studimet e ndryshme kanë treguar se automjetet e vjetra zakonisht kanë shkarkime më të larta të gazrave ndotëse në ajër. Emetimet janë më të larta sidomos tek automjetet që janë të bazuara në djegien e motorit me dizel për shkak efikasitetit më të ulët të djegies së karburantit. Kjo është evidente sidomos tek automjetet që i përkasin standardit më të ulët Euro.
Kjo ka bërë që në shumë vende të praktikohen rregulla dhe masa për zvogëlimin e përdorimit të makinave të vjetra. Masa të tilla që praktikohen në vende të ndryshme janë për shembull: ndalimi i qarkullimit të veturave të vjetra ose veturave me standard të ulët Euro në zona urbane apo edhe ndalimi i importimit të veturave të vjetra. Kosova që nga 1 janari i vitit 2018 është duke zbatuar ndalesën për importin e veturava më të vjetra se 10 vite, dhe si rezultat i këtij ligji të gjitha veturat e importuara të kategorisë më të vjetra se 10 vjet dhe ato që nuk kanë motor të standardit Euro 4, nuk mund të regjistrohen brenda territorit të vendit.
Cila është mosha mesatare e veturave në Kosovë dhe si qëndron ajo në raport me vendet e BE?
Edhe pse Kosova
ka kufizime në importin e veturava më të vjetra se 10 vite, kjo nuk ka ndikuar
në uljen e trendit të importit të veturave. Sipas të dhënave të Agjencisë së
Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë në vitin 2021 janë të regjistruara
rreth 11.4 % vetura më shumë se në vitin paraprak. Nga 397,935 mjete motorike
dhe jo motorike, të regjistuara në vitin 2021, pjesëmarrjen më të madhe e kanë
veturat me 322,381 automjete, ndjekur nga transportuesit mbi 3.5 tonelata me
27,748 dhe ata nën 3.5 tonelata me 42,730 automjete. Duhet përmendur po ashtu
se në kuadër të numrit të veturave të importuara dhe të regjistruara për herë
të parë në Kosovë, dominojnë veturat e përdorura krahasuar me ato të reja.
Sipas të dhënave nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është rreth 18 vjet. Kjo mesatare është për 7 vite më e vjetër me mesataren e vjetërsisë së veturave në vendet anëtare të BE, ku vjetërsia mesatare e automjeteve është rreth 11 vjet, edhe pse ka disa vende në BE si për shembull Luksemburgu ku mesatarja e automjeteve është 6.7 vjet.
Nëse e analizojmë automjetet e regjistrura në Kosovë sipas standardit Euro, shohim se dominojnë veturat që janë jashtë standardit Euro, përkatësishtë veturat para Euro1 dhe Euro 1, veturat me Euro 2 dhe ato me Euro 3. Sa i përket tipit të karburantit të cilin e djegin, në Kosovë dominojnë automjetet e bazuara në dizel me 329,403 të tilla. Makinat dizel kanë emetime më të larta krahasuar me automjetet që përdorin benzinën apo gazin së lëndë djegësë. Ndërsa automjetet elektrike që kanë emetime zero në mjedis pothuajse janë të papërfillshme me vetëm 74 automjete të regjistruara në vend.
Pse lejimi i importit të veturave të vjetra e rëndon
gjendjen e mjedisit në Kosovë?
Lejimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vite do të sillte dëme të
ndryshme mjedisore disa prej të cilave do të eleborohen edhe në këtë analizë.
Kosova vazhdon të ketë probleme me ndotje të ajrit në zonat urbane dhe ku
automjetet janë ndër burimet kryesore të ndotjes, andaj lejimi i importit të
veturave të vjetra do të përkeqësoj edhe më shumë këtë gjendje.
Lejimi i importit të veturave të vjetra është në kundërshtim me politikat e
strategjitë e miratuarave nga Kuvendi i Kosovës dhe nga Qeveria e Kosovës. Rezoluta
e Kuvendit të Kosovës për Cilësinë e Ajrit dhe Strategjia
dhe Planin e Veprimit për Cilësinë e Ajrit nga Qeveria, përcaktojnë
objektiva dhe masa për uljen e ndotjes nga transporti përmes ndalimit të përdorimit
të veturave të vjetra. Pika 15 e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Cilësinë
e Ajrit kërkon marrjen e masave për sigurimin e kontrollit teknik të automjeteve dhe kontrollin e gazrave që emitohen nga
automjetet, sipas ligjeve në fuqi dhe sipas direktivave të BE-së. Ndërsa pika 1.4.
e Planit të Veprimit për Cilësi të Ajrit specifikon masat për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga
Transporti, dhe parasheh zëvendësimin
e automjeteve ndotëse me ato më të pastra. Pra, zbatimi i kërkesave nga këto politika dhe plane në mënyrë
automatike e përjashton mundësinë e regjistrimit për herë të parë në Kosovë të
veturave më të vjetra se 10 vite.
Lejimi i importit të veturave të vjetra është në kundërshtim edhe me politikat e Bashkimit Evropian për reduktimin e
ndotjes nga transporti. BE me legjislacionin e saj aplikon masa për reduktimin
e shkarkimeve nga veturat dhe favorizohet përdorimin e veturave hibride,
elektrike dhe atyre më miqësore me mjedisin në krahasim me veturat e vjetra dhe
ato dizel. Kosova përmes disa dokumenteve sikurse janë Agjenda e Gjelbër për
Ballkanin Perëndimorë dhe Marrëveshja e Asocim Stabilizimit, ka marrë obligime
për adaptimin e politikave mjedisore të saj me ato të BE sa i përket uljes së
emetimeve në ajër nga sektori i transportit dhe modernizimin e tij.
Përveç
emetimeve më të larta të gazrave të serrës dhe të shkarkimeve në ajër, makinat
e vjetra kanë edhe predispozita tjera për të sjellë dëme mjedisore dhe shëndetësore.
Automjetet
e vjetra në krahasim me automjetet më të reja, kanë kohë të përdorimit më të
shkurtër dhe brenda një periudhe më të shpejtë kalojnë në automjete mbeturinë
që shkaktojnë dëme dhe kosto shtesë për mjedisin për shkak të menaxhimit të
këtyre mbetjeve dhe produkteve të tyre. Në Kosovë, operojnë me qindra qendra të
grumbullimit të automjeteve mbeturinë, ku
kushtet dhe mënyra e menaxhimit të tyre lënë shumë për të dëshiruar.
Automjetet
e vjetra në krahasim me automjetet më të reja, kanë më shumë predispozita për
defekte teknike dhe për të shkaktuar më shumë aksidente në trafik, dhe si
rrjedhojë edhe për rritjen e viktimave në trafik.
Këtu duhet shtuar edhe koston e trajtimit shëndetësor kur dihet fakti se ndotja e ajrit është një ndër faktorët kryesore për shfaqjen e sëmundjeve respiratore, vdekjeve të parakohshme dhe humbjes së viteve të jetës. Sipas një studimi të Bankës Botërore, kostoja e vlerësuar ekonomike e lidhur me vdekshmërinë nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit në Kosovë është prej 160 - 310 milion dollarë amerikanë, që është ekuivalent me 2.5%-4.7% të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Çfarë masa po ndërmerrë BE për të ulur emetimet nga automjetet?
Edhe në
Bashkimin Evropian, makinat e pasagjerëve dhe furgonat janë përgjegjëse për
rreth 14.5% të emetimeve totale të Dioksidit të Karbonit (CO2). Mirëpo
me qëllim për të kontribuar në dekarbonizimin dhe modernizimin e sektorit të
transportit rrugor të Evropës dhe në përputhje me angazhimet e saj në kuadër të
Marrëveshjen Ndërkombëtare të Parisit për Klimën, BE ka miratuar një rregullore
të veçantë për të reduktuar
ndotjen nga makinat.
Rregullorja e BE (EU 2019/631) për përformancën e shkarkimeve në ajër të automjeteve të pasagjerëve dhe automjteve të lehta komerciale (furgonat) mes tjerash parasheh këto masa:
Që nga 1 janari 2020, është vendosur një objektiv në të gjithë flotën e BE-së prej 95g CO2/km për emetimet mesatare të makinave të reja të pasagjerëve, ndërsa nga 1 janar 2025, do zbatohne masa shtesë që korrespondojnë me një reduktim prej 10g CO2/km për makinat e reja të pasagjerëve dhe furgonave.
Në kuadër të
masave tjera, nga 1 janari 2025 rregullorja parasheh reduktim të emetimeve për
15% për automjetet e reja në krahasim me vitin 2021, ndërsa nga 1 janari 2030 parasheh
reduktim të emetimeve për 37% për automjetet e reja në krahasim me vitin 2021.
Gjithashtu
rregullorja ka paraparë që nga 1 janari 2025 atomjetet me zero emetime dhe me
emetime të ulëta të përbëjnë 15% të totalit të automjeteve të reja në BE, kurse nga 1 janari 2030 atomjetet me zero
emetime dhe me emetime të ulëta të përbëjnë 35% të totalit të automjeteve të
reja në BE.
Bashkimi
Evropian përmes kësaj rregullore ka përckatuar edhe ofrimin e stimulimeve për
prodhuesit e makinave për të rritur numrin e automjeteve me emetim të ulët
(<50gCO2/km) në zonën e BE.
Si po vepron industria e makinave për të ju përshtatur kërkesave
të reja për uljen e emetimeve nga automjetet?
Për të ju përshtatur politikave dhe planeve të BE-së, kanë nisur të bëjnë
reforma edhe gjigantët më të mëdhenjë të industrisë së makinave. Kështu për
shembull Renault dhe Nissan do të investojnë
23 miliardë euro në teknologjinë e automjeteve elektrike gjatë 5 viteve
të ardhshme. Pjesë e aleancës është dhe prodhuesi japonez i automjeteve
Mitsubishi Motors, i cili do të marrë përsipër
hulumtimet dhe kërkimet për pjesët e automjeteve dhe teknologjive për të ulur
kostot dhe për të prodhuar 35 modele të reja automjetesh elektrike deri në
vitin 2030. Nissan Motor Co do të angazhohet në zhvillimin e një baterie të
gjeneratës së ardhshme për automjetet elektrike ndërsa Renault do të angazhohet
në zhvillimin e elektronikës dhe softuerit.
Tesla është një tjetër konkurrent i fuqishëm dhe jashtëzakonisht
fitimprurës në tregun e automjeteve elektike, që po përshtat makinat e saj konform
politikave të reja të transporti. Edhe
prodhuesi i njohur japonez i automjeteve Toyota Motor Corporation ka njoftuar për
një plan të ri që do të jetë i fokusuar tek automjetet elektrike. Në tregun e
makinave elektrike po hyjnë dhe kompani të reja, sikurse është Sony që njihet
si prodhuesi i video lojërave PlayStation. Kjo kompani së fundmi ka shfaqur një
prototip të një makine elektrike.
Gara për të drejtuar tregun e automjeteve elektrike pritet të jetë me ritëm
edhe më të lartë pasi që 18 nga 20 prodhuesit më të mëdhenj të makinave, që
përfaqësojnë 90% të industrisë globale të automobilave, përgatiten të rrisin
numrin e modeleve dhe numrin e automjeteve elektrike të lehta nga linjat e tyre
të prodhimit.
Rritja e prodhimit të makinave elektike në masë të madhe është e varuar
edhe nga përparimet në teknologjinë e baterive, andaj pritet që prodhimi masiv
i makinave elektrike të vazhdojë të ulë koston e tyre. Po ashtu i gjithë ky
proces do të ketë nevojë për mbështetje edhe me politika që promovojnë instalimin
e infrastrukturës për karikim të shpejtë për makinat elektrike.
Pra tregu dhe ekonomia e makinave elektrike është duke u zhvilluar me një
ritëm shumë të shpejtë. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të
Energjisë, numri i automjeteve elektrike, (makina të pasagjerëve, furgonë,
kamionë dhe autobusë) në nivle global pritet të rritet nga rreth 11 milion
automjete sa janë aktualisht në 145 milion deri në fund të kësaj dekade. Madje
në vlerësim thuhet se numri i automjeteve elektike mundë të arrijë deri në 230
milion nëse qeveritë bien dakord të inkurajojnë prodhimin e automjeteve të
mjaftueshme me karbon të ulët.
Çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës për të ulur
shkarkimet nga automjetet?
Institucionet e Kosovës, mund të zabtojnë një varg masash për të zvogëluar
shkarkimet nga makinat dhe për të ulur numrin e veturave të vjetra në
qarkullim. Disa nga këto masa mund të përfshijnë:
- Zbatimin e dispozitave ligjore të Udhëzimit Administrativ (Nr.01/2018) për Kontrollin Teknik të automjetet, dhe largimin nga qarkullimi të automjetet që nuk e përmbushin standardin Euro 4.
- Zbatimin e stimulimeve dhe subvencioneve për importin e veturave elektrike, veturave hibride dhe atyre me emetime të ulëta;
- Zbatimi i ndalesave dhe taksave për qarkullim në zonat urbane për automjetet që nuk e plotësojnë standardin Euro 4.
- Vendosja e obligimeve ligjore për institucionet publike që të rrisin % e pjesëmarrjes së veturave elektrike, veturave hibride dhe atyre me emetime të ulëta në rastet e blerjes së veturave të reja;
- Vendosja e obligimeve dhe subvencioneve për rritjen e % e pjesëmarrjes së autobusëve elektrik, autobusëve hibrid dhe atyre me emetime të ulëta në kuadër të transportit publik;
- Vendosja e obligimeve dhe subvencioneve për autoshkollat që të rrisin % e pjesëmarrjes së veturave elektrike, veturave hibride dhe atyre me emetime të ulëta në flotën e tyre;
- Vendosja e obligimeve dhe subvencioneve për sh
- Vendosja e obligimeve dhe subvencioneve për shërbimet e auto-taksive që të rrisin % e pjesëmarrjes së veturave elektrike, veturave hibride dhe atyre me emetime të ulëta në flotën e tyre;
- Modernizimi i infrastrukurës teknike rrugore dhe asaj përcjellëse për të ju përshtatur kërkesave për automjete elektrike dhe atyre me emetime të ulëta;
Këto do të ishin vetëm disa prej mundësive për të zvogëluar emetimet nga automjetet dhe për tu përshtatur me ritmet e BE sa i përktet modernizimit të sektorit të transportit.
Shkrimi është botuar edhe në portalet:
Gazeta Express (https://www.gazetaexpress.com/cfare-demi-mjedisor-mund-te-sjelle-heqja-e-ndaleses-per-importin-e-veturave-te-vjetra/)
Radio Kosova e Lirë (https://www.radiokosovaelire.com/afrim-berisha-cfare-demi-mjedisor-mund-te-sjell-heqja-e-ndaleses-per-importin-e-veturave-te-vjetra/)
Ekonomia Online (https://ekonomiaonline.com/opinione/cfare-demi-mjedisor-mund-te-sjelle-heqja-e-ndaleses-per-importin-e-veturave-te-vjetra/)
Ekonomia Ks (https://www.ekonomia-ks.com/sq/opinion/cfare-demi-mjedisor-sjell-heqja-e-ndaleses-per-importin-e-veturave-te-vjetra)
No comments:
Post a Comment