Për shkak të ngrohjes globale, shkencëtarët parashikojnë lëvizje të mëdha migratore të kafshëve dhe shpendëve. Kjo do të sjellë edhe takime mes kafshëve që nuk kanë rastisur ndonjëherë me njëra-tjetrën thonë shkencëtarët. Ajo që është e rrezikshme në këtë rast ka të bëjë me përhapjen e viruseve që s’i ka parë ndonjëherë më parë njerëzimi. Shkencëtarët janë përditë e më të shqetësuar për ndryshimet që sjell në zinxhirin e jetës në Tokë ngrohja globale. Përkundrejt uraganeve, tërmeteve, përmbytjeve dhe thatësirave, së fundmi, një studim i ri ka paralajmëruar se ndryshimi i klimës mund të shkaktojë përhapjen e mijëra viruseve midis gjitarëve, përfshirë midis njerëzve dhe kafshëve, deri në vitin 2070.
Studimi i botuar në revistën prestigjoze shkencore Nature , paralajmëron se ngrohja globale do t’i largojë kafshët nga klimat më të nxehta në kërkim të temperaturave më të ftohta. Kjo do të bëjë që disa specie të hyjnë në kontakt me njëra-tjetrën për herë të parë. Rasti më i fundit është pandemia e Covid-19 që sipas shumë ekspertëve ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2 që kaloi nga lakuriqët te njerëzit, megjithëse ende nuk është e qartë se si ndodhi kjo.
Duke përdorur modelimin kompjuterik për studimin, shkencëtarët parashikuan vendet ku speciet do të kishin më shumë gjasa të mbivendosen për herë të parë. Ky program kompjuterik identifikoi Azinë Juglindore si një pikë të nxehtë të mundshme. Jo çdo njëri nga 4,000 viruset e mundshëm që kalojnë midis specieve do të jetë aq katastrofik sa ishte Covid-19, por rreziku i një pandemie tjetër do të rritet nëse më shumë viruse kalojnë midis specieve dhe nuk merren masa të menjëhershme.
Shkencëtarët e klimës në mbarë botën, por edhe zyrtarë të lartë botërorë bëjnë thirrje për marrjen e masave kundër shkrirjes së akullnajave dhe ruajtjen e ekosistemeve në botë. Dëmtimet janë të mëdha por ka mundësi që të rekuperohet. Shumë specie do të shuhen, e bashkë me ta edhe njerëzit për shkak të përmbytjeve, thatësirave dhe ekspozimeve ndaj viruseve që nuk i kanë hasur kurrë më parë. Bota pritet të ngrohet mesatarisht me 2 gradë Celsius deri në vitin 2070. Komuniteti shkencor pranon se ngrohja duhet të kufizohet në 1.5 gradë Celsius në mënyrë që të shmangen pasojat më katastrofike.
No comments:
Post a Comment