“Të shkruash gjelbër”, është një përmbledhje e shkrimeve,
opinioneve dhe analizave të Afrim Berishës, të cilat janë botuar në gazeta
ditore, revista dhe portale të ndryshme të agjencive të lajmeve gjatë periudhës
kohore 2006-2015.
Janë disa arsye që e kanë nxitur autorin për ti përmbledhur
këto shkrime në formën e një libri:
Së pari, të gjitha temat e trajtuara në shkrime e kanë në
fokus një çështje: mbrojtjen e mjedisit. Pastaj, edhe pse këto shkrime kanë
qenë të botuara paraprakisht në gazeta, revista e portale, jo të gjithë
dashamirësit e shkrimeve për çështjet mjedisore kanë pasur mundësinë ti lexojnë
ato, andaj përmes përmbledhjes në një format të librit, lexuesit do të kenë
rastin jo vetëm që ti lexojnë, por edhe të shohin llojllojshmërinë e temave dhe
dallimet në mënyrën e qasjes ndaj problemeve të trajtuara.
Gjithashtu, mënyra e trajtimit të problemeve përmes
shprehjes së opinionit në formë të shkrimeve publicistike është një mundësi më
e mirë për të ndikuar tek publiku në sensibilizimin e tyre për mbrojtjen e
mjedisit.
Duke ditur faktin se në Kosovë, librat që në fokus e kanë
çështjen e mbrojtjes së mjedisit janë të rrallë, ky libër do të jetë një
mundësi më shumë për të pasuruar fondin e librave që trajton këtë çështje.
Prandaj, “Të shkruash gjelbër”, më shumë se një libër është
një thirrje për veprim, është një zë i gjelbër dhe një doracak për mbrojtjen e
mjedisit i cili shpresoj të ju hyjë ne shërbim lexuesve të rëndomtë, studentëve,
atyre që dëshirojnë të kenë njohuri më të gjëra për çështjet e mjedisit, por
edhe atyre që e pëlqejnë publicistikën me tema mjedisore.
Duke lexuar librin “Të shkruash gjelbër”, një nga veçoritë
që e ngacmon vëmendjen është ndërlidhja mjeshtërore që ka bërë autori në mes te
gjuhës mjedisore, letrare dhe asaj tradicionale. Kjo e bënë librin tërheqës për
tu lexuar jo vetëm për ata që kanë njohuri për mbrojtjen e mjedisit por edhe
për ata që për herë të parë lexojnë një libër që në fokus ka problemet
mjedisore. Një stil i tillë i të shkruarit është i përshtatshëm dhe i lehtë për
tu lexuar dhe për tu kuptuar nga kategori dhe profile të ndryshme
lexuesish.
Veçanti e përmbajtjes së këtij libri është edhe diversiteti
i temave të trajtuara dhe përfshirja sektoriale dhe tematike e çështjeve që
ngërthen në vete ai.
Në shkrimet dhe komentet që e kompletojnë këtë libër i
gjejmë të trajtuara pothuajse të gjitha temat dhe problemet mjedisore duke
filluar nga zonat e mbrojtura, ajri, uji, toka, biodiversiteti, pyjet,
mbeturinat, ndryshimet klimatike etj. Kjo përmbajtje e bënë librin
gjithëpërfshirës, të larmishëm dhe të këndshëm për lexim.
Për çështje praktike dhe tematike, libri është i ndarë në
katër kapituj. Në kuadër të kapitujve përkatës temat e trajtuara janë përfshirë
sipas qasjes që kanë ndaj problemeve të caktuara. Kështu në kapitullin e parë
zënë vend temat që trajtojnë gjendjen aktuale në sektorët e ndryshëm mjedisor.
Në kapitullin e dytë përfshihen temat që përshkruajnë sfidat mjedisore, ndërsa
në kapitullin e tretë grumbullon temat që përpiqen të qartësojnë vizionin për
mjedisin.
Duke analizuar temat e trajtuara, kuptojmë se përmes
shkrimeve dhe komenteve të tij, autori guximshëm është përfshirë edhe në shumë
debate dhe çështje që kanë qenë aktuale në kohën kur janë shkruar, sikurse
ishin debatet për Termocentralin Kosova e Re, Parkun Kombëtar “Bjeshkët e
Nemuna”, Integrimet Evropiane, Taksat mjedisore, Trajtimin e kafshëve apo edhe
për Krimet Mjedisore, duke ofruar argumente dhe fakte bindëse në mbështetje të
qëndrimeve të tij.
Në disa segmente të tij libri trajton edhe tema shumë
specifike mjedisore që i shumë rrallë i hasim shumë në spektrin e shkrimeve dhe
analizave mjedisore tek Ne. Të tilla janë për shembull trajtimi i çështjeve
sikurse janë: Ekonomia e Gjelbër, Ekoturizmi, Trajtimin e problemeve mjedisore
në e mediat e shkruara, Ngatërrimet në terminologjinë dhe konceptet mjedisore
etj.
Në disa raste shkrimet e këtij libri, provojnë të trajtojnë
edhe parashikimet mjedisore për të ardhmen sikurse janë prezantuar në
opinionet: Rritja globale e popullsisë dhe sfidat mjedisore dhe në atë për
Sfidat e gjeneratave të ardhshme në raport me mungesën e ujit.
Në shkrimet dhe opinionet e Afrim Berishës, përveç stilit
shumë elegant të trajtimit të problemeve gjejmë edhe shumë informata të
rëndësishme që të jep të kuptosh që autori në të gjitha rastet e prezantimit të
opinioneve të tij paraprakisht ka hulumtuar për temën të cilin e ka trajtuar.
Ai po ashtu, për të gjitha temat e trajtuara ka sjellë
shembuj, praktika, statistika dhe fakte, qofshin ato në nivelin nacional,
rajonal apo global, duke i dhënë kështu librit një karakter profesionale dhe
duke e pasuruar edhe më shumë përmbajtjen e tij.
Autori i librit “Të shkruash gjelbër” në shumë raste ka
përdorur referenca të ndryshme, citate e burime qofshin ato nga hulumtime,
studime, dokumentet strategjike, baza ligjore, projekte apo edhe burime tjera
relevante për temën e trajtuar, një element ky që i bënë shkrimet e tij të jenë
jo vetëm thjeshtë opinione por më shumë se kaq të jenë analiza dhe hulumtime
profesionale për çështje specifike mjedisore.
Ajo që tërheq vëmendjen gjatë leximit të librit është fakti
se në libër trajtohen probleme mjedisore në periudha të ndryshme kohore që e
pasuron librin edhe dimensionin kronologjik duke prezantuar kështu në një formë
edhe zhvillimet kohore dhe progresin e arritur në sektorin e mbrojtjes së
mjedisit. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme të nënvizohet edhe
fakti se disa nga shkrimet edhe përkundër se ka kaluar kohë kur janë shkruar
kanë mbetura shumë aktuale edhe për kohen e sotme.
Në shumicën e shkrimeve të tij autori shkon përtej,
pretendimit për të sjellë një opinion apo një analizë mjedisore, sepse ai guxon
të japë rekomandime dhe porosi se si të zgjidhen problemet e caktuara
mjedisore, rekomandime këto që janë të qëndrueshme dhe relevante. Pothuajse në
të gjitha rastet problemet e trajtuara në shkrimet janë përpjekje dhe kontribut
për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes.
Një pjesë e shkrimeve që i gjejmë në këtë libër janë si
reagime ndaj zhvillimeve mjedisore, që në disa raste e shprehin mospajtimit me
një problem të caktuar mjedisor e në disa raste tjera ato tentojnë të
sugjerojnë për rrugën më të përshtatshme për të zgjidhur problemin në fjalë. Ky
libër lirisht mundë të klasifikohet edhe si një libër kritik mjedisor për
faktin se autori nuk ngurron të identifikojë institucionet përgjegjëse për një
problem të caktuar.
Një veçori tjetër që mundë ti atribuohet librit, është edhe
karakteri edukativ që ka ai. Duke vë në pah kontributin që mundë të japin
qofshin individët apo edhe grupet e caktuara në mbrojtjen e mjedisit apo duke
sjellë shembuj konkret të veprimit, libri mundë t’i shërbejë secilit për të
rritur nivelin e njohurive për mjedisin apo edhe për të ndryshuar sjelljet në
raport me mjedisin. Më shumë të shprehur këtë veçori e gjejmë në shkrimin
për “Kulturën mjedisore”, atë për “Iniciativat e gjelbra” dhe në atë “Ta ruajmë
tokën është i vetmi planet me çokollatë”.
Ajo që bie në sy dhe që e bënë librin edhe më simpatik,
është edhe përzgjedhja shumë interesante dhe tërheqëse e titujve të shkrimeve
por edhe e vetë titullit të librit.
Si përfundim mundë të thuhet lirisht se “Të shkruash
gjelbër”, është një libër multidimensional, i fokusuar në çështjen e mbrojtjes
së mjedisit por që ka edhe vlera të pakontestueshme publicistike, edukative,
hulumtuese e profesionale.
Libri “Të shkruash gjelbër”, qoftë për nga temat që trajton, qoftë për nga stili i të shkruarit apo edhe për nga gjithë përfshirja e problemeve, është një libër unik andaj meriton të zë vend në bibliotekën e secilit dhe të evidentohet si një botim i rrallë në literaturën shqiptare.
* * *
Për të siguruar një kopje elektonike të librit “Të shkruash
gjelbër” në formatin PDF, duhet të regjistroheni për të pranuar të rejat e
fundit me email, e pastaj të kërkoni librin tek rubrika shkruaj autorit. Po
ashtu, nëse doni të keni një kopje të fortë të librit, bëni kërkesën tek
rubrika shkruaj autorit.
No comments:
Post a Comment