Çfarë përmban ky blog?

Duke lexuar shkrimet e blogun “Të shkruash gjelbër”, një nga veçoritë që e ngacmon vëmendjen është diversiteti i temave të trajtuara dhe përfshirja sektoriale dhe tematike e çështjeve që ngërthen në vete ai. Në shkrimet, opinonet dhe komentet që e kompletojnë këtë blog i gjejmë të trajtuara pothuajse të gjitha temat dhe problemet mjedisore duke filluar nga zonat e mbrojtura, ajri, uji, toka, biodiversiteti, pyjet, mbeturinat, ndryshimet klimatike etj. Kjo përmbajtje e bënë blogun gjithëpërfshirës, të larmishëm dhe të këndshëm për lexim.

Një veçori tjetër e blogut është gjuha e thjeshtë e përdorur në trajtimin e temave.  Kjo e bënë blogun tërheqës për tu lexuar jo vetëm për ata që kanë njohuri për mbrojtjen e mjedisit por edhe për ata që për herë të parë lexojnë shkrime që në fokus kanë problemet mjedisore. Një stil i tillë i të shkruarit është i përshtatshëm dhe i lehtë për tu lexuar dhe për tu kuptuar nga kategori dhe profile të ndryshme lexuesish. 

Duke analizuar temat e trajtuara, kuptojmë se këtu në mënyrë guximshme janë shtjelluar edhe debate dhe çështje që kanë qenë aktuale në kohën kur janë shkruar, sikurse ishin debatet për Termocentralin Kosova e Re, Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Integrimet Evropiane, Taksat mjedisore, Trajtimin e kafshëve apo edhe për Krimet Mjedisore, duke ofruar argumente dhe fakte bindëse në mbështetje të qëndrimeve të tij.

Në disa segmente të tij blogu trajton edhe tema shumë specifike mjedisore që shumë rrallë i hasim në spektrin e shkrimeve dhe analizave mjedisore tek Ne. Të tilla janë për shembull trajtimi i çështjeve sikurse janë: Ekonomia e Gjelbër, Ekoturizmi, Trajtimin e problemeve mjedisore në e mediat e shkruara, Ngatërrimet në terminologjinë dhe konceptet mjedisore etj.

Në disa raste shkrimet e këtij blogu, provojnë të trajtojnë edhe parashikimet mjedisore për të ardhmen sikurse janë prezantuar në opinionet: Rritja globale e popullsisë dhe sfidat mjedisore dhe në atë për Sfidat e gjeneratave të ardhshme  në raport me mungesën e ujit. 

Në shkrimet dhe opinionet e blogut, përveç stilit shumë elegant të trajtimit të problemeve gjejmë edhe shumë informata të rëndësishme që të jep të kuptosh që autori në të gjitha rastet e prezantimit të opinioneve të tij paraprakisht ka hulumtuar për temën të cilin e ka trajtuar.

Për shumicën e temave të trajtuara janë sjellë shembuj, praktika, statistika dhe fakte, qofshin ato në nivelin nacional, rajonal apo global, duke i dhënë kështu blogut një karakter profesionale dhe duke e pasuruar edhe më shumë përmbajtjen e tij.

Në blogun “Të shkruash gjelbër” në shumë raste për opinionet dhe shkrimet janë përdorur referenca të ndryshme, citate e burime qofshin ato nga hulumtime, studime, dokumentet strategjike, baza ligjore, projekte apo edhe burime tjera relevante për temën e trajtuar, një element ky që i bënë shkrimet e tij të jenë jo vetëm thjeshtë opinione por më shumë se kaq të jenë analiza dhe hulumtime profesionale për çështje specifike mjedisore. Një pjesë e shkrimeve janë marrë nga burime të ndryshme, ku në të shumten e rasteve janë redaktuar po ka raste kur ato janë publikuar edhe si informata origjinale nga burimi i informacionit.

Ajo që tërheq vëmendjen gjatë leximit të shkrimeve te blogut është fakti se në te trajtohen probleme mjedisore në periudha të ndryshme kohore që e pasuron blogun edhe dimensionin kronologjik duke prezantuar kështu në një formë edhe zhvillimet kohore dhe progresin e arritur në sektorin e mbrojtjes së mjedisit.  Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme të nënvizohet edhe fakti se disa nga shkrimet edhe përkundër se ka kaluar kohë kur janë shkruar kanë mbetura shumë aktuale edhe për kohen e sotme. 

Në shumicën e shkrimeve blogu shkon përtej, pretendimit për të sjellë një infomatë, opinion apo një analizë mjedisore, sepse ai guxon të japë rekomandime dhe porosi se si të zgjidhen problemet e caktuara mjedisore, rekomandime këto që janë të qëndrueshme dhe relevante. Pothuajse në të gjitha rastet problemet e trajtuara në shkrimet janë përpjekje dhe kontribut për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes.

Një pjesë e shkrimeve që i gjejmë në këtë blog janë si reagime ndaj zhvillimeve mjedisore, që në disa raste e shprehin mospajtimit me një problem të caktuar mjedisor e në disa raste tjera ato tentojnë të sugjerojnë për rrugën më të përshtatshme për të zgjidhur problemin në fjalë. Ky blog lirisht mundë të klasifikohet edhe si një portal kritik mjedisor për faktin se autori nuk ngurron të identifikojë institucionet përgjegjëse për një problem të caktuar.

Një veçori tjetër që mundë ti atribuohet blogut, është edhe karakteri edukativ që ka ai. Duke vënë në pah kontributin që mundë të japin qofshin individët apo edhe grupet e caktuara në mbrojtjen e mjedisit apo duke sjellë shembuj konkret të veprimit, shkrimet e blogut mundë t’i shërbejë secilit për të rritur nivelin e njohurive për mjedisin apo edhe për të ndryshuar sjelljet në raport me  mjedisin.

Ajo që bie në sy dhe që e bënë blogun edhe më simpatik, është edhe përzgjedhja shumë interesante dhe tërheqëse e titujve të shkrimeve por edhe e vetë titullit të blogut.

Si përfundim mundë të thuhet lirisht se “Të shkruash gjelbër”, është një blog multidimensional, i fokusuar në çështjen e mbrojtjes së mjedisit por që ka edhe vlera të pakontestueshme publicistike, edukative, hulumtuese e profesionale.

Blogu “Të shkruash gjelbër”, qoftë për nga temat që trajton, qoftë për nga stili i të shkruarit apo edhe për nga gjithë përfshirja e problemeve, është një blog unik andaj meriton vëmendjen e lexuesve dhe atyre që merren me mjedisin.


No comments:

Post a Comment