Tre çështje mjedisore sensitive kanë marrë vëmendje në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës të mbajtur në Strasburg: Statusi i mbrojtjes së lumit Vjosa, projekti i aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe procesi i rishikimit të kufinjve të rrjetit të zonave të mbrojtura. Komiteti vendosi të mbajë të hapur çështjen e lumit Vjosa si dhe të zhvillojë një vlerësim të situatës në terren në 2022 në lidhje me aeroportin e Vlorës.
Komiteti i Përhershëm përsëriti shqetësimin e tij të thellë në lidhje me planet për urbanizimin e Zonës së Mbrojur Vjosë-Nartë, përfshirë ndërtimin e një aeroporti, dhe i kërkoi qeverisë t’i rimendojë këto plane. Komiteti theksoi se vlerat natyrore të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë janë evidente dhe nevojitet një regjim i fortë mbrojtjeje. Ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe planet për urbanizim të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë janë kundërshtuar nga një koalicion i gjerë i rreth 50 organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës tashmë do të jetë nën vëzhgim edhe nga lupa e Konventës së Bernës. Komiteti vendosi krijimin e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë të pavarur për të zhvilluar një vlerësim në terren brenda vitit 2022. Misioni i vlerësimit në terren do të shohë me detaje situatën e aeroportit të Vlorës, i cili është në fazën e ndërtimit pavarësisht se nuk ka përfunduar asnjë Vlerësim Strategjik Mjedisor për zonën Vjosë-Nartë. “Vizita në terren e një misioni të posaçëm të Konventës së Bernës është shprehje e shqetësimit të jashtëzakonshëm të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me urbanizimin e zonës Vjosë-Nartë dhe me pasojat negative të pakthyeshme të aeroportit të Vlorës në larminë bologjike të Shqipërisë. I bëjmë thirrje qeverisë të mbrojë zonat e mbrojtura dhe të heqë dorë nga tjetërsimi i tyre në troje ndërtimi”, tha Taulant Bino, President i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë (AOS).
Së fundmi, Komiteti shprehu shqetësimin për gjithashtu në lidhje me reduktimin e mundshëm të rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura. Ndër të tjera u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të bashkëpunojnë si me aktorët vendas ashtu edhe me komunitetin ndërkombëtar si IUCN dhe Traktati i Komunitetit të Energjisë kur marrin vendime që mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë afatgjatë të ruajtjes së natyrës në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment