Saturday, September 5, 2020

Njihuni me pasardhësin e dragoit që jeton në ujërat e shpellave!

Proteus anguinus, është vërtetë një krijesë shumë e çuditshme dhe e veçantë.  Në fakt ky lloj është një salamandër e verbër që për herë të parë është zbuluar në vitin 1689 nga shkencëtari slloven Janez Valvazori i cili e quajti atë “pasardhëse e dragoit”. U zbuluar në shpellat e Postojnës, që ndodhen Slloveni në rajonin e quajtur Kras ose Karst, një rrafshnaltë gëlqerore që shtrihet rreth 50 kilometra larg Detit Adriatik, midis Alpeve Julike dhe Maleve Dinarike.  Proteus ose sikur njihet ndryshe me emrin Olm, është një amfibie endemike e ujërave nëntokësore që gjendet kryesisht në Alpet Dinarike të Evropës Qendrore dhe Juglindore, përkatësisht në ujërat nëntokësore të rajonit karstik të Italisë Verilindore dhe të Sllovenisë Jugore.

Proteus njihet edhe si “peshku-njeri”, për shkak të ngjyrës së pazakontë të lëkurës së tij, e cila të kujton lëkurën e njeriut. Lëkura pa ngjyrë dhe sytë e atrofizuar nuk janë mangësi, pasi ai rron në errësirë të plotë, nga faza e vezës deri sa ngordh. Përveç se i ka sytë e pazhvilluar, duke e lënë atë të verbër, edhe  shqisat e tjera, veçanërisht ato të nuhatjes dhe dëgjimit, janë zhvilluar në mënyrë akute.  

Me gjatësinë e tij prej 25 deri në 30 centimetra, përfaqëson llojin shtazor më të madh që banojnë në ujërat e shpellave dhe është i vetmi kurrizor në Evropë i lidhur ngushtë me habitatet e shpellave, dhe që i është  përshtatur plotësisht jetës në errësirë. Është e mahnitshme që disa prej tyre kanë jetuar deri në 100 vjet.

Zemra e tyre rrah dy herë në minutë. Ushqehet me gaforre, krimba, kërmij dhe jovertebrorë të tjerë ujorë. “Dragonjtë e vegjël” është shumë vështirë ti gjeni duke u ushqyer sepse zakonisht ata janë duke fjetur nën ujë. Aftësia e tyre për të qëndruar pa ushqim mund të shkojë deri një dekadë. Ka tre gishtërinj në gjymtyrët e përparme, por vetëm dy gishtërinj në këmbët e pasme. Kanë aftësinë e regjenerimit të gjymtyrëve nëse i këpusin

Proteus anguinus, është specia e vetme në gjininë Proteus dhe e vetmja specie evropiane e familjes Proteidae. Ky ujëtokësor i vogël për shkak të shumë veçantive ka qenë në vëmendjen e studimeve të shumta shkencore.  Në vitin 2016, një nga Olmat e Shpellës Postojna lëshoi vezë, të cilat u çelën disa kohë më vonë, duke tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe shkencëtarëve në të gjithë botën.


1 comment: