Saturday, March 12, 2022

Ullinjtë Shekullor të Shqipërisë – Pema frutore e lashtësisë

Prodhimet organike bujqësore kryesojnë kërkesën e konsumatorëve në tregun vendas, por më së shumti atë të huaj. Për të rritur të ardhurat e tyre familjare, fermerët dhe agrobiznesi të mbështetur edhe nga politikat financiare dhe fiskale, po orientohen gjithnjë e më shumë drejt prodhimit të produkteve “bio”. Një nga drejtimet kryesore që po ngjall interes të veçantë për fermerët është krijimi i fermave organike me ullishta. Sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ullishtat zënë rreth 15% të mbi 100 fermave organike bujqësore që janë në vendin tonë. Vitet e fundit qeveria ka adresur mbështetje të veçantë për zhvillimin e ullirit, që synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”, që është mjat i kërkuar në tregjet e huaja. 

Sipërfaqja e ullishtave në vendin tonë shënon rreth 50 mijë hektarë gjithsej, ndërsa numri i pemëve të ullirit arrin në mbi 9 milionë rrënjë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit të ullirit për vaj shkon në mbi 170 fabrika. Statistikat tregojnë se në vitin 2019 prodhimi i ullirit shënoi sasinë e 98 313 tonëve dhe prodhimi i vajit të ullirit arriti në 20 038 tonë. Eksportet e vajit të ullirit u rritën ndjeshëm vitin e kaluar në 174 tonë, kundrejt vitit 2010 kur ky tregues shënonte 15 tonë eksporte.

Ulliri në Shqipëri është mjaft i vjetër, aq sa dhe në vendet e tjera të Mesdheut. Kjo pemë ka vendin dhe rëndësinë e saj në kulturën dhe artin popullor. Fjala ulli, në shqip rrjedh nga emri ullastër. Pema e këtij fruti paraqitet me dy forma të ndryshme: i egër  dhe i kultivuar. Në vendin tonë ka shumë zakone të hershme që janë trashëguar edhe në ditët tona, të cilat lidhen pikërisht me këtë pemë frutore.

Sipas gojedhënave, në duvakun e nuses vendoset një kurorë me degëza ulliri të lidhura bashkë me gjurmish. Diçka e tillë simbolizonte bekimin për lumturi dhe begati për familjen e re që sapo ishte formuar. Por historia me këtë pemë është akoma edhe më e lashtë.

Fidani i Parë i Ullirit Në Shqipëri

Arkeologët shqiptar kanë zbuluar detaje të cilat vërtetojnë lidhjen e ngushtë që kjo pemë kishte në kulturën tonë. Flitet se fidanët e parë në territorin Ilir kanë ardhur nga fisi i Molosëve. Ata e përhapën kulturën e kultivimit të ullirit dhe prodhimit të vajit deri në Shkodrën e sotëme. Ky shkëmbim erdhi si pasojë e tregtisë së vazhdueshme që Molosët bënin me fiset Ilire përmes portit të Apolonisë, Vlorës dhe Durrësit.

Ndërkohë një tjetër hipotezë thotë se kanë qenë Pellazgët të cilët jetonin në afërsi të Athinës të cilët nisën kultivimin e kësaj peme. Në shumë nga dokumentet e vjetër historike, tregohet se në territoret ku tani shtrihet Shqipëria, bujqësia ishte një nga shtyllat e ekonomisë. Sipas të dhënave ku AgroWeb.org bazohet, ullishtet dhe vreshtat kanë qenë dy nga aktivitetet kryesore.

Ullinjtë Shekullorë Shqiptar

Arkeologët shqiptarë kanë identifikuar se ullishtet në territoret shqiptare kanë ekzistuar që 12.000 vite para Erës Sonë. Ndërkohë që gjurmët e gjetura të mullinjve të vajit në Amantia apo Bylis, datojnë që 300-350 vite para Erës Sonë.

Në vend rezulton se është i përhapur kultivimi i ullirit olea europaea L. sativa.

Disa nga ullinjët më të vjetër në Shqipëri janë: Ulliri i Tufinës. (Pronë e Qefaliajve). Mosha 2000-2500 vjet, Ulliri Pulazeqin. Moshë afërsisht 2000 vjeç. Gjendet në Vlorë, Ulliri Kallmet kokërr-vogël.  Gjendet në fshatin Kallmet të Lezhës. Vlerësohet me moshë mbi 1200 vjet, Ulliri i zi i Tujanit.  Pemë e vlerësuar mbi 2500 vjet dhe Lashtraku i Grizhës.  Gjendet në Gruemirë të Malësisë së madhe. Vlerësohet me moshë mbi 2000  vjet.

No comments:

Post a Comment