Saturday, March 12, 2022

Koalat e Australisë futen në listën e specieve të rrezikuara

Australia ka përfshirë koalat që jetojnë në bregun lindor në listën e specieve të rrezikuara. Sipas BBC, qeveria e Kanberrës ka renditur koalat, numri i të cilëve po bie me shpejtësi dhe dhjetëra mijëra të ngordhur nga zjarret në 2019 dhe 2020, në listën e specieve të rrezikuara në bregun lindor. Qeveria ka njoftuar se një masë e tillë është marrë për koalat në Queensland, Uellsi i Ri Jugor dhe në territorin e kryeqytetit australian. Ministrja e Mjedisit, Susan Ley deklaroi se ky klasifikim do t'i japë përparësi mbrojtjes së koalave. Sipas saj, autoritetet kanë përgatitur një plan shpëtimi dhe se është duke u vlerësuar ndikimi i bonifikimit të tokës në koalat.

Stuart Blanch nga Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF) tha se koalat në këto rajone u klasifikuan si "specie të cenueshme" në vitin 2012 dhe se klasifikimi i tyre si specie të rrezikuara në vitin 2022 është një përkeqësim shumë i shpejtë. Ai theksoi se vendimi i qeverisë është pozitiv dhe nënvizoi se nëse nuk ka ligje dhe stimuj më të fortë për pronarët e tokave, koalat nuk do të jenë në gjendje të mbrohen nga zhdukja.

Një studim vitin e kaluar zbuloi se koalat, një specie marsupial vendas në Australi, habitatet e të cilëve po pakësohen me shpejtësi, do të zhduken deri në vitin 2050, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente. Thuhet se të paktën 5.000 koala kanë ngordhur ndërsa 24 për qind e habitateve të tyre janë zhdukur vetëm në Uellsin e Ri Jugor si pasojë e zjarreve në periudhën e verës 2019-2020, e cila në vend quhet "Vera e Zezë".

No comments:

Post a Comment