Maja më mbresëlënëse, më e veçantë dhe më e bukur në Malin e Sharrit dhe në Kosovë është Maja e Lybetenit. Lybeteni është maja e skajshme verilindore e vargmaleve të Sharrit, që ngritet si një piramidë madhështore në 2498 m. lartësi mbidetare. Ndodhet mes Fushës së Pollogut dhe Fushës së Kosovës, mes Kaçanikut e Brezovicës, kurse nëpër majen e tij kalon vija kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë Veriore. Kjo maje dominuese komunikon në mënyrë pamore me trojet etnike; me Korabin e me Kosovën, me Koritnikun e Pashtrikun, me Alpet Shqiptare, me Pollogun e Karadakun, me Prishtinën e Shkupin, Mitrovicën, Gjakovën, Tetovën e Gostivarin. Maja ka një emër interesant, që vështirë mund të dëshifrohet prejardhja e tij – Lybeten (Luboten). Disa e kanë shpjeguar se rrjedhë nga frengjishtja: “Le bonne ten” - Pamje e bukur.
Për të shkuar në Lybeten ndiqet rruga që shkon për Tetovë. Te vendi Gurët e Zez’, në kurrizin e malit ndahet një rrugë në të djathtë, e cila del aty ku mbarojnë pyjet dhe fillojnë kullotat, te stanet e blegtorëve. Pos kësaj rruge mund të ndiqen edhe shtigje tjera nga Firaja, Prevalla e Tetova. Kur të mbërrihet në maje, paraqitet një panoramë mahnitëse në 360 shkallë, drejt luginës së Pollogut, drejt fushës dhe qytetit të Shkupit, drejt Fushës së Kosovës, drejt maleve të Karadakut, drejt majeve të Sharrit...
Maja e Lybetenit dhe shpatijet e tij në të gjitha anët krijojnë një natyrë të mrekullueshme, me peisazhe mahnitëse. Kjo natyrë e gjallë krijon kushte e mundësi reale për zhvillimin e turizmit malor gjatë tërë vitit. Veçanërisht, viteve të fundit këtu është duke u zhvilluar të ecurit nëpër male (hiking) e numri i vizitorëve, i turistëve, i alpinistëve, i malorëve e bjeshkëtarëve po shtohet nga dita në ditë e nga viti në vit. Ngjitja në maje të Lybetenit është një dëshirë e zjarrtë e secilit, është një sfidë e rëndë, është një përjetim i rrallë, që të lodhë, të lë pa frymë, por të mrekullon. Ngjitja në Lybeten është një aventurë, që nuk harrohet kurrë.
Sharri plak, përkatësisht maja e tij - Lybeteni, është i veshur me bimësi të llojllojshme. Pjesa e brezit pyjor është e veshur kryesisht me ahishte dhe me pisha, kurse mbi brezin pyjor janë kullotat, me numër të madh të llojeve të bimëve, duke përfshirë edhe fierin, boronicat e dredhëzat. Fauna e malit përbëhet nga kafshë të egra të rralla e të rrezikuara për zhdukje. Aty jeton ariu i murrmë, rrëqebulli, derri i egër, ujku, kaprolli, dhia e egër, maca e egër, lundra, pastaj shpendët, si shqiponja, thëllëza, pula e egër, skifteri, bufi etj. Në kullota për çdo verë dalin barinjtë me bagëtinë e tyre, kryesisht me dhenë, kurse bashkë me bagëtinë përherë qëndrojnë qentë mbrojtës të tufës së bagëtive, të njohur me emrin “Qeni i Sharrit”. Të theksojmë se këtu kanë mbijetuar relike të periudhës terciare dhe të akullnajave, të cilat në pjesët tjera të Evropës janë zhdukur.
Për vlerat e mëdha që ka, Maja e Lybetenit është e përfshirë në kuadër të Parkut Kombëtar të Sharrit. Mirëpo, përkundër vlerave të jashtëzakonshme, paraqiten edhe probleme, sidomos problemet me prerjen e paplanifikuar dhe ilegale të pyjeve. Shkatërrimi, dëmtimi dhe shkretërimi i pyjeve në rrëzën e Majes së Lybetenit edhe sot po vazhdon me ritëm të shtuar. Gjithashtu, këtij vendi të mrekullueshëm i mungojnë rrugët e kalueshme, që do të krijonin çasje më të mirë e më të lehtë të turistëve në këtë pjesë të malit.
Qysh nga shek. XIX ka ekzistuar një interesim i madh për hulumtime me karakter shkencor, ekonomik, turistik e politik të Malit Sharr dhe të majes së tij, Lybetenit. Aty janë ngjitur gjeografë, gjeologë, botanist, turistë, alpinistë, bjeshkëtarë..., por edhe politikanë. Qysh në vitin 1839 në maje ishte ngjitur një shkencëtar gjerman, me emrin Grizebah, nga mesi i shek. XIX - shkencëtari austriak, Nojmajer, pastaj francezi Ami Bue etj. Në gusht të vitit 1890 një grup shkencëtarësh shovinistë serbë, në mesin e tyre edhe gjeografi me nam të keq, Jovan Cvijiq, organizoi ekskursion “profesional” në Lybeten. Në Tetovë për herë të parë, në vitin 1925, është formuar shoqata e alpinistëve “Luboten”, kurse në vitin 1931, nën majen e Lybetenit është ndërtuar shtëpia e parë e malorëve në malin Sharr. Pas luftës, por edhe më herët, ka filluar me të madhe ngjitja në maje për piknik, traditë kjo e gjatë dhe e pasur.
Shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë janë shumë të lidhur shpirtërisht me Malin Sharr dhe, veçanërisht, me majën e tij magjepse, Lybetenin. Më 2 gusht mbahet pelegrinazhi tradicional në shpatijet e larta të tij, aty ku bashkohen dhe ndahen brezi pyjor me brezin e kullotave. Atë ditë mijëra pelegrinë ia mësyejnë kësaj maje, derisa qindra prej tyre ngjiten në maje të majës. Në mbrëmjen e 1 gushtit ngriten çadrat, ndizen zjarret e shpërthen kënga e gëzimi deri natën vonë. Në orët e hershme të 2 gushtit, ata që ia mësyejnë majes, për rreth tri orë ecje këmbë nëpër dhiaret e thepisura, dalin në maje, në mënyrë që, sipas traditës, në atje ta presin lindjen e diellit dhe të ditës së re, kurse besimtarët e devotshëm ta falin mëngjesin. Kjo ditë festive, e njohur si Dita e Aligjynit, simbolizon mesin e verës, duke qenë e bartur që nga paganizmi, kur njerëzit ngjiteshin në male për t’i nderuar perënditë e tyre. Duke e konsideruar Lybetenin si maje të shenjtë, njerëzit, me t’u gdhirë, e kanë shikuar majën nëse është e mbuluar me re apo jo, për të ditur se çfarë moti do të kishin atë ditë.
Lybeteni nuk është maja më e lartë e Kosovës, as edhe e vargmaleve të Sharrit. Por, kjo maje, pa dyshim, është maja më e bukur, më atraktive, më zotëruese dhe më e njohur në Kosovë e më gjerë. Vet maja ka formën e një piramide natyrore, e larguar dhe e vetmuar nga majat tjera, që duket madhështore nga të gjitha anët. Rreth e rreth majës janë pyjet dhe kullotat e pafundme, janë burimet e shumta të ujit të ftohtë, është ajri i pastër e i freskët, janë liqenet – si sy të malit.
No comments:
Post a Comment