Saturday, July 10, 2021

Zbulohet një lloj i ri i insekti në Kosovë

Një lloj i ri insekti për shkencën është zbuluar së fundi në Kosovë nga Halil Ibrahimi, profesor i asocuar në Departamentin e Biologjisë të FSHMN-së. Punimi i përshkrimit të këtij lloji të ri është publikuar në revistën prestigjioze Biodiversity Data Journal, e cila boton lloje të reja për shkencën. Lloji i emërtuar si Potamophylax coronavirus, i takon një rendi të vogël të insekteve ujore, që janë të ndjeshme në ndotjen dhe degradimin e ekosistemeve ujore. Është fjala për një lloj endemik, që jeton vetëm në Kosovë dhe, siç është potencuar në punim, me gjasë vetëm në Bjeshkët e Nemuna. Për përshkrimin dhe analizimin e këtij lloji janë përdorur teknikat më të avansuara molekulare, filogjenetike dhe morfologjike. Në kuadër të punimit janë bërë edhe analizat e krejt grupit ku bën pjesë lloji i ri. Kjo rezultoi në identifikimin edhe të disa llojeve të tjera të reja për shkencën, të cilat presin të përshkruhen, thuhet në punim. Prania e këtij lloji tregon për pasurinë e madhe të biodiversitetit në Kosovë, e cili fatkeqësisht është duke u rrezikuar ndjeshëm dhe vazhdon të ngelet pak e njohur.

Edhe pse i zënë para disa vitesh, lloji i ri është përshkruar vetëm gjatë vitit të kaluar dhe sivjet, kryesisht gjatë kohës së izolimit për shkak të pandemisë. Nga këtu vjen edhe emri i llojit, Potamophylax coronavirus, si përkujtim i kohës kur është zbuluar. Simbolikisht, emri i llojit, potencon edhe një pandemi tjetër që është duke ndodhur në lumenjtë e Kosovës, e në veçanti në Lumbardhin e Deçanit, si rezultat i ndotjes, degradimit dhe keqmenaxhimit të hidrocentraleve.

Lajmi për zbulimin e llojit të ri nga Kosova është transmetuar nga agjenci botërore të lajmeve, duke e potencuar realizimin e hulumtimit në Universitetin e Prishtinës. Punimet si ky e  vendosin Universitetin e Prishtinës në listën e institucioneve në të cilat puna hulumtuese është pjesë vitale e veprimtarisë së tyre dhe në këtë mënyrë i kontribuojnë ngritjes së mëtejme të këtij institucioni në vlerësimet ndërkombëtare.

Lidhur me këtë zhvillim pozitiv jo vetëm për Universitetin e Prishtinës por dhe për Kosovën, Rektori Sahiti priti në një takim profesorin Ibrahimi të cilin e përgëzoj për punimin aktual por edhe për rezultatet tjera të tij në fushën e Biologjisë. Rektori Sahiti po ashtu inkurajoj profesorin Ibrahimi dhe kolegët e tij që të vazhdojnë punën e tyre të çmueshme dhe në këtë mënyrë të shërbejnë si model i mësimdhënësve për të cilët ka nevojë UP-ja.  

Punimin e publikuar e gjeni ne linkun: https://bdj.pensoft.net/article/64486/

No comments:

Post a Comment