Syri i Sheganit është një ndër bukuritë dhe pasuritë natyrore që ka Malësia e Madhe. Vetëm 40 minuta larg nga Shkodra, është një destinacion që ia vlen të promovohet e zhvillohet, për një përjetim ndryshe, pasi ofron një pamje të mahnitshme që nuk duhet humbur kurrsesi. Ky burim karstik gjendet në afërsi të fshatit Kosan (Bajzë), në bregun verilindor të Liqenit të Shkodrës. Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit.
Syri i Sheganit del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë në afërsi të liqenit të Shkodrës. Banorët që jetojnë në këtë zonë e shfrytëzojnë këtë vend për të peshkuar, si formën e vetme të jetesës. Janë pikërisht këta banorë, të cilët me punën dhe vullnetin e tyre po e mbajnë dhe e zhvillojnë këtë zonë gradualisht. Syri i Sheganit është një vend tërheqës me bukuri të jashtëzakonshme, me ujin e freskët dhe të kristaltë i cili buron nga thellësia e tokës. Natyra përreth këtij burimi natyror të magjepsë duke krijuar një panoramë unike me ajrin e pastër, si edhe me tërësinë e bimëve të kësaj zone.
Përveç Syrit të Sheganit aty pranë janë edhe dy hurdhana (pellg me ujë), të cilat formohen nga uji nëntoksorë. Uji i Syrit të Sheganit i cili vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë, del nga një oxhak me thellësi rreth 22 – 28 metra. Sipas studiuesve eksplorimet e deritanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që bëjnë ujërat e këtij burimi, pasi një shpellë e shembur pengon eksplorimin, por mendohet që thellësia e tij është më e madhe.
Si pjesë e liqenit të Shkodrës edhe Syri i Sheganit është i pasur me peshq e gjallesa të tjera duke e kthyer edhe këtë zonë në një vend të rëndësishëm të faunës shqiptare. Pozicioni gjeografik, afërsia me shumë atraksione të tjera ia shton veçantinë këtij monumenti natyre, që ndodhet shumë afër më Koplikun, Razmën, apo dhe Reçin këto dy të fundit (pra, Razma dhe Reçi) janë pjesë e Parkut Bashkiak të Shkrelit.
Pra një fundjavë në ketë zonë do të ishte një mozaik i bukur natyror, i gërshetuar me liqen, mal, fushë, kulinari bio tipike e kësaj zone, ajër i pastër për mushkëritë dhe panoramë e bukur për sytë! Mund ta filloni turin tuaj me rreth 6 metra mbi nivelin e detit e më pas mbetet në dorën tuaj, sa afër mund t’i afroheni qiellit duket ngjitur malet përreth. Syri i Sheganit në vitin e fundit, është kthyer në një nga vendet më të pëlqyera për t'u vizituar nga turistët e huaj e sidomos ata vendas.
No comments:
Post a Comment