Tuesday, June 16, 2020

Mungesa e ujit, sfida e gjeneratave të ardhshme!

Janë të nevojshme aksione konkrete për sensibilizimin e opinionit të gjerë për rëndësinë e shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve ujore për mirëqenien e gjeneratave të tanishme, duke pasur në mendje gjithnjë nevojat e gjeneratave të ardhshme me qëllim që sfida e mungesës së ujit të jetë më e lehtë dhe më me pak pasoja.


Uji, resurs i pazëvendësueshëm

Shpeshherë është thënë se “pa ujë nuk ka jetë”, ndërsa ka edhe vlerësime që e konsiderojnë ujin si “resurs më të rëndësishëm se sa nafta”.   Uji është një nga pasuritë më të mëdha të një vendi. Ai është bazë për një ekonomi të qëndrueshme dhe mirëqenie sociale. Uji është esencial në sektorin e bujqësisë, industrisë ushqimore, peshkimit, aquakulturës, energjetikës, turizmit, shëndetësisë si dhe në shumë sektorë tjerë zhvillimorë. 

Sipas OKB-së, rreth 70 % e sasisë së ujit në nivelin global përdoret për ujitje, duke kontribuar kështu në sigurimin e rreth 40 % të ushqimit në nivelin botëror. 

Rreth 20 % e ujit shfrytëzohet në sektorin e industrisë ndërsa që rreth 10 % përdoret për nevoja të amvisërisë dhe sanitacionit.

Brenda shteteve të Bashkimit Evropian, bujqësia shfrytëzon rreth 1/4 e ujit. Uji merr pjesë me 19 % në kuadër të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në nivelin global, ndërsa që në Evropë prodhimi i energjisë nga uji është rreth 27 %.   Sektori i peshkimit, aquakluturës dhe ai i turizmit, që janë të orientuara kryesisht në shfrytëzim të ujit gjenerojnë miliona vende pune dhe të ardhura anekënd botës dhe paraqesin bazën e zhvillimit ekonomik në shumë vende, ndërkohë që edhe shumë kompani të njohura botërore si Coca-Cola, Pepsi, Nestle, etj, zhvillimin dhe suksesin e tyre e kanë të bazuar në shfrytëzimin e resurseve ujore.

Parashikimet për mungesën e ujit!

Megjithëse aktualisht në nivelin global ende nuk ndihet mungesa e madhe e ujit, studimet, parashikimit dhe skenarët e ndryshëm paralajmërojnë se në dekadat e ardhshme, bota gjithnjë e më shumë do të përballet me mungesën e ujit.

Parashikimet e ndryshme të Kombeve të Bashkuara, thonë se shfrytëzimi i ujit është rritur më shumë se 2 herë, në raport me trendin e rritjes së popullsisë në nivelin global. Supozohet se deri në vitin 2025, shkalla e shfrytëzimit të ujit në vendet në zhvillim do të rritet për 50%, ndërsa në ato të zhvilluara për 18 %. Deri në vitin 2015, në nivelin global qasja në shërbimet e kanalizimit do të rritet në 77 % të popullsisë globale, për dallim nga 61 % sa ishte në vitin 2008.  

OKB, paralajmëron po ashtu se deri në vitin 2030, rreth 60 % e popullsisë totale të botës do të jetojnë në zona urbane, duke rritur kështu edhe më shumë presionin në shfrytëzimin e ujit.  Presioni për shfrytëzimin e ujit do të rritet, edhe për shkak të rritjes së popullsisë. Deri në vitin 2030, kërkesa e ushqimit është parashikuar të rritet me 50% ( madje deri 70% në vitin 2050).

Ndërkohë që edhe kërkesa për prodhimin e energjisë nga hidrocentralet dhe burimeve të tjera të ripërtritshme të energjisë do të rritet në shkallën 60%, kurse konsumi i ujit për nevoja të bujqësisë është llogaritur që të rritet rreth 20 % deri në vitin 2050.

Edhe Raportet e fundit të Agjencionit Evropian të Mjedisit flasin se përdorimi i vazhdueshëm dhe jo efikas i ujit mund të kërcënojnë  ekonominë e Evropës, produktivitetin dhe ekosistemet. Raporti vënë në dukje se burimet ujore të Evropës janë nën presion dhe gjërat janë duke u përkeqësuar ndjeshëm  në shumicën e sektorëve zhvillimorë.

Burimet ujore janë duke u shteruar gjithnjë e më shumë, andaj kërkohet nga vendet anëtare që të zbatojnë legjislacionin ekzistues me më shumë efikasitet për të përmirësuar situatën, thonë studimet e Agjencisë Evropiane të Mjedisit.

Të gjitha këto të dhëna, flasim se shfrytëzimi i ujit do të rritet ndjeshëm në të gjithë sektorët prandaj me të drejtë pritet të ketë edhe mungesë të ujit.

Cilat do të jenë pasojat?!

Pasojat nga mungesa e ujit në dekadat e ardhshme mund të jenë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga rritja e numrit të sëmundjeve, rritja e numrit të njerëzve të uritur, rritja e numrit të të vdekurve, shkurtimi i vendeve të punës e deri te konfliktet ndërshtetërore.

Mungesa e ujit për pije dhe sanitacion, është arsyeja kryesore për përhapjen e sëmundjeve sikur janë kolera, malaria dhe diarreja. Rritja e numrit të njerëzve të sëmurë do të rriste edhe koston e përkujdesjes shëndetësore.

Vlerësohet se rreth 88 % e të vdekurve nga diarreja në nivelin global vijnë si pasojë e mungesës së qasjes në sanitacion dhe ujit jo të sigurt për pije, ndërkohë që çdo 20 sekonda në botë vdes një fëmijë si rezultate i sanitacionit të dobët. 

Ka të dhëna që flasin se rreth 3.4 milion njerëz në botë vdesin për çdo vit si pasojë e mungesës së ujit, kanalizimit dhe çështjeve tjera që janë të ndërlidhura me higjienën dhe ujin.

Mungesa e ujit në sektorit e bujqësisë do të ndikonte në zvogëlimin e sipërfaqeve të ujitura e me këtë edhe zvogëlimin e ushqimit në nivelin global, duke shtuar kështu numrin e njerëzve të uritur në botë.

Mungesa e ujit mund të shkaktojë edhe zhvendosje dhe migrim të popullsisë botërore, e cila do të manifestohet me krijimin e turmave në rritje të miliona refugjatëve në kërkim të zonave me ujë të pastër.  Edhe ndryshimet klimatike do të kenë ndikimin e tyre në prishjen e bilancit ujor global dhe në çështje tjera që ndërlidhen me mungesën e ujit. Të dhënat flasin se vetëm gjatë periudhës 1991- 2000 më shumë se 665 mijë njerëz kanë vdekur nga më shumë se 2500 fatkeqësitë natyrore, 90 % e të cilave kanë qenë të ndërlidhura me ujërat.

Për më tepër paralajmërohet që në dekadat e ardhshme, ndryshimet klimatike pritet të jenë edhe më të theksuara, duke ndikuar kështu edhe në zgjerimin e zonave me thatësi, duke pakësuar reshjet por edhe duke rritur sipërfaqet e përmbytura dhe fatkeqësitë tjera natyrore.

Mungesa e qasjes në ujë të pastër do të jetë burimi kryesor i tensionit në pjesë të ndryshme të botës. Sipas te dhënave të UNESCO në 50 vitet e fundit kanë ndodhur 1831 incidente në lidhje me ujin, prej të cilave 1228 janë zgjedhur me marrëveshje. Kombet e Bashkuara kanë evidentuar 70 zona në botë me potencial të lartë për konflikte që si faktor kryesor do të kenë ujin, numri më i madh i të cilave ndodhen në kontinentin e Afrikës. Shumica e konflikteve pritet të lindin në ato rajone ose vende të cilat përdorin të njëjtin resurs ujorë. Shembuj të rajoneve të tilla janë lumi Nil – i cili përdoret nga nëntë shtete dhe lumenjtë Tigër dhe Eufrat, të cilët ndahet nga Turqia, Siria dhe Iraku. ”Derisa shumë luftëra në shekullin 20 janë zhvilluar për shkak të naftës,  luftërat e shekullit 21 do të ndodhin për shkak të ujit  ka thënë ish nënkryetari i Bankës Botërore, Ismail Serageldin.

Si mundë të zbuten pasojat?

Shfrytëzimi i qëndrueshëm i resurseve ujore është njëra prej mundësive, që mundë të aplikohet si mekanizëm për zbutjen e pasojave në mungesë të ujit. Kursimi i ujit të pijshëm si dhe përdorimi efiçent i resurseve ujore në sektorët e ndryshëm zhvillimorë janë po ashtu masa preventive që mundë të aplikohen për zbutjen e problemeve.

Në kuadër të angazhimeve që mundë të ndihmojë në parandalimin e situatës është edhe edukimi dhe vetëdijesimi për kursimin e ujit dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të tij, kryesisht te target grupet që janë përdoruesit kryesore të ujit. Po ashtu nevojitet angazhim edhe më i madh edhe në trajtimin e ujërave të ndotura dhe në ripërdorimin e ujërave duke e ditur faktin se rreth 80 % e ujit të përdorur në nivelin global nuk trajtohet.

Marrëveshjet, memorandumet dhe bashkëpunimi për ujërat është një faktor i rëndësishëm që do të ndihmonte në menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore. Kombet e Bashkuara, e kanë identifikuar bashkëpunimin si një mundësi shumë të mirë për menaxhimin e ujërave, prandaj e kanë shpallur vitin 2013, si vit ndërkombëtarë i bashkëpunimit për ujërat. 

E gjithë kjo duke u bazuar në faktin se ekzistojnë rreth 276 pellgje lumore ndërkufitare në botë, ndërkohë që  në mes të 1820 dhe 2007 janë nënshkruar më shumë se 450 marrëveshje ndërkufitare për shfrytëzimin e qëndrueshëm të ujërave.

Të mendojmë për gjeneratat e ardhshme

22 Marsi Dita Botërore e Ujit, këtë vit po shënohet nën ombrellën e motos “Ujë çdo kund dhe për çdo kënd, vetëm nëse e ndajmë dhe e shfrytëzojmë drejt”. Duke e pasur në qendër të vëmendjes këtë moto, Dita Botërore e Ujit, është një rast i mirë për të dërguar porosi dhe thirrje tek të gjitha grupet e interesit e veçanërisht tek vendimmarrësit, për kursimin dhe mbrojtjen e ujit si dhe organizimin e aktiviteteve që kanë në fokus trajtimin e pasojave që vijnë nga mungesa e ujin. Mbi të gjitha janë të nevojshme aksione konkrete për sensibilizimin e opinionit të gjerë për rëndësinë e shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve ujore për mirëqenien e gjeneratave të tanishme, duke pasur në mendje gjithnjë nevojat e gjeneratave të ardhshme me qëllim që sfida e mungesës së ujit të jetë më e lehtë dhe më me pak pasoja.

Me rastin e 22 Marsit- Ditës Botërore të Ujit, botuar me datën 22.03.2013 në Gazetën Lajm dhe në Gazetën Express, në portalin www.lajmonline.com dhe ne portalin Literal.media (https://www.literal.media/Mungesa-e-ujit-nje-nga-sfidat-me-te-medha-globale-te-kohes-sone/19927)


No comments:

Post a Comment