Nga Afrim Berisha
Lumenjtë janë ekosisteme shumë të rëndësishme të një vendi. Menaxhimi i qëndrueshëm i tyre paraqesin potencial për zhvillim dhe për mirëqenien sociale për banorët e zonave ku ndodhen ata.
Me një rëndësi të veçantë janë sidomos lumenjtë që shtrihen në zona të thella malore dhe që konsiderohen si zona të paprekura. Ekosistemet e këtyre lumenjve përmbajnë një bidodivesitet shumë të pasur të florës dhe faunës, duke qenë edhe vendbanime të shumë llojeve të rrezikuara të florës dhe faunës dhe një potencial për zhvillimin e ekoturzimit dhe plotësimin e nevojave të banorëve të këtyre zonave.
Dje (29 shtator) u shënua dita botërore e lumenjve që kishte për qëllim sensibilizimin për mbrojtjen e këtyre ekosistemeve. Anë e mbanë botës në përkrahje të kësaj ditë u organizuan aktivitete të ndryshme që kishin si synim të vënin në dukje kërcënimin me të cilat po përballen lumenjtë dhe të nxisnin veprime për përmirësimin e gjendjes së tyre. Një nga problemet që u vu në dukje edhe kësaj radhe ishte mbrojtja e ekosistemeve të lumenjve malorë.
Për dallim nga lumenjtë që shtrihen në zonat urbane që janë të kërcënuar kryesisht nga ndotja për shkak të shkarkimeve të ujërave urbane dhe industriale, lumenjtë malorë janë të kërcënuar kryesisht nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Problemi i kërcënimit të lumenjve malorë nga ndërtimi i hidrocentraleve është aktual edhe në Kosovë.
Kosova ka disa lumenj që shtrihen në zona të thella malore me rëndësi për biodiversitetit. Më të rëndësishmit padyshim janë lumenjtë që shtrihen në Parkun Kombëtarë “Sharri” dhe në Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”.
Në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës (Ligji Nr.03/L 233) në nenin 11, specifikohen qartë aktivitetet qe lejohen në Parqe Kombëtare. Në pikën 3 thuhet se “në parkun kombëtar lejohen vetëm punët dhe veprimtaritë me të cilat nuk rrezikohet natyra burimore”, ndërsa në pikën 4 thuhet se “në parkun kombëtar ndalohet shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës”. Me rastin e hidrocentraleve që konsiderohen si veprimtari ekonomike që rrezikojnë biodivesitetin e parqeve kombëtare, këto dispozita nuk janë respektuar nga MMPH.
Ka pasur edhe disa hulumtimeve dhe vlerësime nga institucionet qeveritare dhe jo qeveritare që merren me mbrojtjen e natyrës që e kanë bërë të qartë se ndërtimi i hidrocentraleve në zonat e mbrojtura e dëmton rëndë biodivesitetit, ka efekte shkatërruese për ekosistemin përreth, e prishë regjimin ujorë të zonës dhe është në kundërshtim me konceptin e zonave të mbrojtura të natyrës.
Një nga këto hulumtime është edhe studimi i realizuar nga koalicioni i organizatave Balkan Green Foundation dhe INDEP, i publikuar në mars të këtij viti. Ku hulumtim me titull “Hidrocentralet në Kosovë, problemet dhe potenciali i tyre real” ka konstatuar se:
“Shumica e hidrocentraleve të vogla ekzistuese dhe ato të planifikuara gjenden në brendi të zonave me rëndësi të veçantë natyrore si parqe kombëtare, rezervate strikte të natyrës, zona të veçanta të mbrojtura, dhe zona me veçori të shumta relikte dhe endemike të florës, vegjetacionit, faunës, habitateve natyrore, bimore dhe shtazore. Kjo paraqet rrezik të madh që këto zona të dëmtohen përgjithmonë dhe të degradohen peizazhet natyrore e burimet ujore të vendit”.
Në kuadër të problemeve kryesore mjedisore që vijnë nga hidrocentralet sipas këtij hulumtimi janë: shkatërrimi dhe modifikimi i habitateve natyrore, eriozioni i tokës, dëmtimi i pyjeve dhe natyrës, tharja e lumenjve, ndotja e ujit për shkak të punimeve, dhe ndotja e mjedisit gjatë mirëmbajtjes.
Një nga rekomandimet kryesore që vjen nga ky hulumtim kërkon që: “Hidrocentralet të mos përdoren për qëllime të thjeshta afariste, por të merren parasysh standardet mjedisore e evropiane dhe kërkesat e zhvillimit të qëndrueshëm”.
Lidhur me këtë çështje ka pasur hulumtime që janë realizuar edhe nga organizatat ndërkombëtare. Një hulumtim i tillë për hidrocentralet në zonat e mbrojtura në vendet e Ballkanit është realizuar nga organizata EURONATUR. Ky hulumtim ka nxjerrë disa konkluzione të cilat flasin qartë për ndikimin negativ të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura.
Mes tjerash në hulumtim thuhet se : “ fakti që 32% e të gjitha projekteve të reja hidroenergjetike ne Ballkan, janë planifikuar në zonat e mbrojtura strikte dhe rreth 17% në kategoritë tjera të zonave të mbrojtura tregon se kjo praktikë është në kundërshtim me udhëzimet dhe masterplanet për hidrocentralet, të cilat i konsiderojnë zonat e mbrojtura si zona të pa prekura. Hidrocentralet e planifikuara janë të fokusuara kryesisht në lumenj të cilët shtrihet në zona me vlera të larta ekologjike” thuhet në hulumtim.
Hulumtimi vë në spikamë po ashtu edhe faktin se hidrocentralet janë kërcënim jo vetëm për zonat e mbrojtura por edhe në zonat tjera përreth: “ Hidrocentralet në zonat e mbrojtura, do të sjellin përkeqësim të habitateve dhe do të kenë ndikime të forta në pellgun e lumit në tërësi, si dhe pjesët e poshtme të lumenjve, duke përfshirë luginat dhe fushat ku shtrihen edhe zonat potenciale për Natura 2000. Rezultatet dhe praktikat dëshmojnë se në Parqet Kombëtare zhvillimi i hidrocentraleve është një kërcënim i vazhdueshëm, jo vetëm për zonat e vetë parkut, por edhe për zonat përreth”, thotë hulumtimi.
Në kuadër të rekomandimeve dhe të gjeturave kyçe studimi kërkon që “ndërtimi i hidrocentraleve brenda zonave të mbrojtura duhet të bëhet në bazë të studimeve përkatëse, të cilat po ashtu sugjerojnë qe edhe hidrocentralet e vogla nuk janë të pranueshme si një zgjidhje e qëndrueshme”.
Paralajmërime për ndikim negative në mjedis nga ndërtimi i hidrocentraleve kanë ardhur edhe nga Parlamenti Evropian dhe Konventa e Bernës, ku është vënë në dukje fakti së hidrocentralet po shkatërrojnë ekosistemet e lumenjve malorë, duke paralajmëruar se tharja e lumenjve do të ketë pasoja fatale për mjedisin, dhe veçanërisht biodiversitetin.
Ndërtimi i hidrocentraleve është në harmoni as me kërkesat që parasheh Ligji për Ujërat e Kosovës (Ligji 04/L-147), për përparësitë e shfrytëzimit të ujerave.
Ky ligj në nenin 28 rregullon përparësitë e shfrytëzimit të ujërave duke renditur prodhimin e energjisë si prioritetin e katërt pas furnizimit të popullatës me ujë të pijes, përdorimit për bujqësi dhe përdorimit në industri. Në rastin e ndërtimit të hidrocentraleve nuk janë marrë për bazë kërkesat e komunitetit për shfrytëzimin e këtyre resurseve.
Në kundërshtim të këtyre aktiviteteve shkatërruese kanë dalë edhe organizatat joqeveritare dhe banorët lokal. Fillimisht ishin protestat e organizuara kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Grykën e Deçanit dhe në Grykën e Rugovës në Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” e më vonë edhe protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e lumenjve Lepenci dhe Lumëbardhi në Parkun Kombëtarë “Sharri”.
Edhe më të rëndë e bëjnë situatën faktet që flasin se këto hidrocentrale ishin ndërtuar apo kishin nisur punimet për ndërtimin e tyre pa i plotësuar kushtet ligjore dhe administrative dhe pa u pajisur me leje përkatëse.
Problemi ishte ngritur edhe në nivel të Qeverisë së Kosovës, çka MMPH ishte detyruar që gjatë vitit 2018 të merrte vendim të përkohshëm që të bllokonte procesin e leje dhënies dhe ndërtimit të hidrocentraleve deri sa të bëhej një studim i detajuar për ndikimet e tyre.
Këto ditë çështja e këtij vendimi është aktualizuar sërish pasi që u raportua që ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kishte vendosur ta heqë bllokadën për hidrocentrale pa u plotësuar kushtet që kishin çuar në bllokimin e procedurave për hidrocentrale që po i shkatërronin lumenjtë.
Çështja e hidrocentraleve ka qenë edhe temë e debateve edhe gjatë fushatës zgjedhore, mirëpo nuk ka pasur ndonjë qasje të veçantë për zgjidhje dhe nuk është përfshirë në programet e partive politike.
Sidoqoftë, çështja e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura do të mbetet një nga sfidat që kërkon zgjidhje të qëndrueshme nga qeveria e ardhshme e Kosovës, që pritet të dalë si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetori.
Botuar ne portalin Literal.media me 30.09.2019 ( https://www.literal.media/Hulumtim-Ekosistemet-e-lumenjve-malore-te-Kosoves-po-shkaterrohen-nga-hidrocentralet/20197 )
No comments:
Post a Comment