Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania) së fundi ka sjellë publikimin për Ekonominë e Gjelbër dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Në parathënien e këtij botimi mes tjerash thuhet se: “Për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ekzistojnë qasje, këndvështrime, modele dhe mjete të ndryshme në dispozicion për çdo vend, në përputhje me rrethanat dhe prioritetet kombëtare.
Në këtë kuptim, ekonomia e gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zhdukjes së varfërisë konsiderohet si një nga mjetet e rëndësishëm për të arritur zhvillim të qëndrueshëm, e cila mund të ofrojë mundësi praktike dhe reale sidomos nëse mbështetet nga politikat e duhura kombëtare.
Politikat për ekonominë e gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm duhet të udhëhiqen dhe të jenë në përputhje me Agjendën 2030 dhe të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”.
- Të jenë në përputhje me ligjet ndërkombëtare;
- Të respektojnë sovranitetin e çdo shteti mbi burimet e tij natyrore duke marrë parasysh rrethanat kombëtare, objektivat, përgjegjësitë, prioritetet dhe hapësirat e politikave e tij, në lidhje me tre dimensionet e zhvillimit të qëndrueshëm.
- Të mbështeten nga një mjedis i aftë dhe institucione me funksionim të mirë në të gjitha nivelet me një rol udhëheqës për qeveritë dhe me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve përkatës, përfshirë këtu shoqërinë civile.
- Të promovojë rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, nxitje të inovacionit dhe sigurimin e mundësive, përfitimeve dhe fuqizimin për të gjithë dhe respektimin e të gjitha të drejtave të njeriut.
- Të merren në konsideratë nevojat e vendeve në zhvillim, veçanërisht ata në situata të veçanta.
- Të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, përfshirë sigurimin e burimeve financiare, krijimin e kapaciteteve dhe transferimin e teknologjisë në vendet në zhvillim;
- Të kontribuojnë në zvogëlimin e boshllëqeve teknologjike midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim dhe të zvogëlojë varësinë teknologjike të vendeve në zhvillim duke përdorur të gjitha masat e duhura;
- Të përmirësojnë mirëqenien e komuniteteve vendase dhe tradicionale dhe pakicat etnike, duke njohur dhe mbështetur identitetin, kulturën dhe interesat e tyre, dhe të shmanget rrezikimi i trashëgimisë së tyre kulturore, praktikat dhe njohuritë tradicionale;
- Të përmirësojnë mirëqenien e grave, fëmijëve, të rinjve, personave me aftësi të kufizuara, pronarëve të fermave të vogla dhe fermave familjare, peshkatarëve dhe atyre që punojnë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme;
- Të mobilizojnë potencialin e plotë dhe të sigurojnë kontributin e barabartë të grave dhe burrave;
- Të promovohen aktivitete produktive në vendet në zhvillim që kontribuojnë në zhdukjen e varfërisë;
- Të adresohen problematikat që lidhen me varfërinë dhe të nxitet gjithë përfshirja sociale;
- Të nxitet konsumi i qëndrueshëm dhe qasje të qëndrueshme të prodhimit.
Ekonomia e gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm mund të forcojë aftësinë tonë për të menaxhuar burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme dhe me ndikime të ulëta mjedisore, të rrisë efikasitetin e burimeve dhe të zvogëlojë mbetjet.
Është e rëndësishme nxitja e secilit vend që të konsiderojë zbatimin e politikave të ekonomisë së gjelbër në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm, në një mënyrë që përpiqet të nxisë një zhvillim të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të barabartë nga aspekti ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, veçanërisht për gratë, të rinjtë dhe shtresën më të varfër të popullsisë. Në këtë drejtim, duhet theksuar rëndësia e formimit të profesionistëve të rinj të pajisur me aftësitë e nevojshme për zhvillimin e kësaj ekonomie. Në këtë proces, një rëndësi të madhe merr përfshirja e arsimit në edukimin e brezit të ri me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për zhvillimin e ekonomisë së gjelbër.
Përfshirja e të gjithë aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, rrjetëzimi dhe shkëmbimi i përvojave në të gjitha nivelet mund të ndihmojnë vendet të mësojnë nga njëri-tjetri në identifikimin e politikave të përshtatshme të zhvillimit të qëndrueshëm, përfshirë politikat e ekonomisë së gjelbër.
Versionin elektronik të publikimit e gjeni ne linkun vijues: Ekonomia e Gjelbër dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm
Burimi i informacionit: https://www.recshqiperi.org/publications-al.php?id=34
No comments:
Post a Comment