Anëtarët e Rrjetit të Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër (Wildlife Albanian Photographers), Arian Mavriqi dhe Besnik Jakupi, pas fotografimit të Ujkut të Zi, ditë më parë në rajonin e Kamenicës, kanë sjellë edhe një befasi tjetër për adhuruesit e faunës së Kosovës. Kësaj radhe ata kanë fotografuar dhe xhiruar një lloj shumë të veçantë të zogut. Behet fjalë për zogun e quajtur Mbreti peshkatar i njohur në gjuhën angleze si Common Kingfisher apo me emrin shkencor Alcedo Atthis. Zogu është fotografuar në rajonin e Kamenicës por nuk janë dhënë detaje të sakta për lokacionin.
Përndryshe zogu Mbreti peshkatar, nga shumë adhurues të zogjve vlerësohet në mesin e zogjve më të bukur në botë, për shkak të ngjyrave të ndezura të puplave, madhësisë së sqepit dhe formës së trupit. Mbreti peshkatar i njohur edhe si Zgjaku i zakonshëm, ka shtrirje në rajonin Euroazisë dhe jeton kryesisht rreth brigjeve të lumenjve. Ka shtatë nënlloje tjera që kanë shpërndarje të gjerë në të gjithë Euroazinë dhe Afrikën e Veriut. Është banor rezident në pjesën më të madhe të ekosistemeve ku gjendet por migron nga zonat ku lumenjtë ngrijnë gjatë stinës së dimrit.
Mbreti peshkatar, fotografia nga Arian Mavriqi
Ka madhësinë e harabelit me trup të shkurtër, me kokë të madhe, me pjesën e sipërme të trupit me ngjyrë të kaltër, pjesët e poshtme me ngjyrë portokalli dhe me një sqep të gjatë. Ushqehet kryesisht me peshk, të cilët i kapë në zhytje dhe ka përshtatje të veçanta vizuale të shikimit nën ujë që i mundëson atij të shohë më mirë prenë e tij. Vezët i ka me shkëlqim të bardhë që i vendosë zakonisht në një fole në brigje të lumenjve.
Fotografët Mavriqi dhe Jakupi, kanë sjellë edhe një video të shkurtër të këtij zogu të bukur që mund ta shikoni në linkun në vijim.
No comments:
Post a Comment