Rreth 5 milionë euro në vit, janë përfitimet buxhetore shtesë nga turizmi në komunën e Pejës. Ndërsa gjatë vitit 2021 Rugovën dhe Radavcin e kanë vizituar rreth 80 mijë turistë. Mundësitë e turizmit malor në Pejë, fillojnë që në kilometrat e para të rajonit të Rugovës. “Te sharra” vend i njohur për pejanët, çdo ditë shfrytëzohet për freskim, e po ashtu edhe shtigjet e ecjes që e lidhin qytetin me Rugovën. “Këtu shtegu është shumë i mirë, pastaj ka edhe shumë vende për ujë të pijshëm. Rregullisht në këtë shëtitore vijnë njerëz për vizita, madje edhe deri ne orët e natës ka lëvizje”, ka theksuar për RTK-në, Ali Nela, qytetar nga Peja.
E një familje nga Shqipëria e cila jeton në Angli i ka të rregullta vizitat në Rugovë. Ballkoni i panoramës dhe shkallët që të dërgojnë rrjedha e shpejt e Lumbardhit janë risi për ta. “Ne jemi nga Shqipëria por jetojmë në Angli dhe këtu në Rugovë vijmë çdo vit. Sot u kënaqem shumë. Këtu ke çka të vizitosh. Ka shumë bukuri natyrore, ka shumë mikpritje dhe ushqimi tradicional është shumë cilësor”, ka thënë turistja nga Shqipëria.
Vizitor të shumë në këto ditë të nxehta, po mirëpret edhe Radavci. Bukuritë e këtij vendi me shumë emocion i tregon Arton Sylejmani, i cili jeton në Gjermani. “Shumë e dua Kosovën, edhe erdhëm patjetër me pa këtë vend kaq të mirë. E ndjej freskinë e burimit. Shpresoj ky vend të bëhet edhe më i njohur e të vijnë njerëz prej krejt botës”, është shprehur Sylejmani.
Vitin e kaluar, komunën e Pejës e kanë vizituar rreth 80 mijë turist dhe sipas një vlerësimi formal, vetëm nga turizmi kjo komunë ka përfituar rreth 5 milionë të hyra buxhetore. “Para një muaji e kemi arrit një marrëveshje me qeverinë italiane ku në rajonin e Pejës, Deçanit dhe Junikut do t’i investojmë rreth 1.8 milion euro në turizmin malor të këtij rajoni. Aty ka me pas vija të reja të ecjes dhe do të bëhet mirëmbajtja e vijave ekzistuese”, ka thënë Nasret Hajrizi, drejtor i zhvillimit ekonomik në komunën e Pejës.
Zyrtarët komunalë po ashtu thonë se e kanë në prioritet shtimin e shtigjeve të ecjes dhe nxitjen e zhvillimit të turizmit në bjeshkët e Podgurit, ose i njohur për banorët si bjeshka e Sejnovës.
No comments:
Post a Comment