Nga: Dr.
Zeqir Veselaj, Ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e
Prishtinës
Përderisa bota po “lundron” çdo ditë kozmosin,
madje arriti të aterojë fluturake në Mars, Toka asnjëherë nuk ka qenë më afër
çrregullimit të pakthyeshëm të balancit ekologjik, që nënkupton vetë
ekzistencën. Balancën ekologjike nuk e cenon vetëm ndotja
dhe degradimi, ndryshimet klimatike, hollimi i ozonit etj., por edhe mënyra se
si dhe në çfarë mase e shpejtësie i shfrytëzojmë resurset natyrore që biosfera
i prodhon. Pra, vetë mënyra jonë e jetesës dhe sjelljes së përditshme. Kështu,
p.sh., ka dallim të madh të kërkesës mbi biosferën, nëse sipas dietës jeni
vegjetarian ose hani mish çdo ditë, apo edhe nëse hani produkte vendore apo të
importuara nga larg (si, p.sh., nga Brazili). Për një kilogram mish gjedhi në
tavolinën tonë (një drekë e zakonshme familjare) vetëm ujë shpenzohen 15,000
litra pa llogaritur shkarkimet e karbonit gjatë procesit. Për të pordhuar një
hamburger të zakonshëm, shpenzohen mbi 2,500 litra ujë, ndërsa për një porcion
sallate vetëm 80 litra.
Gjurma ekologjike (Ecological footprint) në termat më të thjeshtë paraqet
sipërfaqen produktive e tokës (edhe detit) për t`i plotësuar nevojat tona për
banim, ushqim, transport në njërën anë dhe për të absorbuar mbeturinat që
gjenerojmë në jetën tonë. Pra, kjo është kërkesa jonë ndaj biosferës për të
plotësuar nevojat tona bazike për jetë. Në metrikën e saj ajo shprehet me
hektarë globalë (gha), ndërsa aktualisht është 2.8 gha për kokë banori brenda
vitit kalendarik. Sipas shpërndarjes, ushqimi përbën 31%, banimi (ngrohja,
ventilimi, uji, ndriçimi etj.) 29%, mallrat që blejmë 21% dhe transporti 18% të
gjurmës ekologjike. Gjurma ekologjike si instrument matës i ekonomiksit
ekologjik mund të llogaritet për person, shtet dhe në nivel global.
Biokapaciteti, në anën tjetër, është ajo se çka edhe në çfarë sasie biosfera
jonë është në gjendje të prodhojë apo të regjenerojë brenda një viti kalendarik.
Pra, shpreh ofertën, përkatësisht mundësinë e biosferës për të na furnizuar me
resurset e nevojshme të jetës. Në metrikë, biokapaciteti aktual është 1.6 gha
për kokë banori brenda vitit. Kur e krahasojmë me gjurmën ekologjike shohim se
përderisa kërkesa jonë është 2.8 ha, ajo që mund të prodhojë biosfera është
minus -1.2 gha e kërkesës sonë ndaj saj. Për të plotësuar nevojat e mënyrës
aktuale të jetesës, me llogaritjet e gjurmës dhe biokapacitetit, shihet se
njerëzimit i duhet jo 1 (sa e kemi), por 1.6 planete Tokë.
Kur gjurma ekologjike e tejkalon biokapacitetin atëherë shteti (edhe ne si
qytetarë brenda tij) futet në deficit ekologjik, ndërsa kur ndodh e kundërta,
pra që biokapciteti është më i lartë se gjurma ekologjike, shteti ka rezerva
ekologjike. Ekziston një korelacion në mes të shkallës së zhvillimit ekonomik
dhe gjurmës ekologjike të një shteti: sa më e madhe GDP, aq më e madhe është
gjurma.
Data kur kërkesa për resurse (gjurma ekologjike) e tejkalon ofertën apo
mundësinë e prodhimit (biokapacitetin) njihet si Dita e Tejkalimit të Tokës
(Earth Overshoot Day). Në këtë ditë (Dita T) njerëzimi shpenzon resurset
natyrore të një viti kalendarik dhe prej asaj date shpenzohen resurse nga viti
tjetër. Deri në vitet 1960-‘70 njerëzimi harxhonte brenda vitit atë që e
prodhonte biosfera që d.m.th. ishte shpenzim i balancuar me biokapacitetin.
Prej vitit 1970, Dita e Tejkalimit ra nën 1 vit (brenda dhjetorit të vitit
1970) dhe ka ardhur duke “hyrë” brenda vitit secilin vit pasues. Për këtë vit,
Dita e Tejkalimit është 29 korrik 2021. Prej 30 korrikut, biosfera nuk pushon
së prodhuarai, por për 5 muaj ne shpenzojmë resurse nga viti tjetër buxhetin
tonë ekologjik, pra hyjmë në borxh ekologjik. Llogariteni nëse pagën vjetore e
shpenzoni në korrik, si do ta shtyni deri në fund të vitit?!
A e dinë kosovarët gjurmën e tyre ekologjike?
Nëse e konsultoni Global Footprint Network,
nuk do të gjeni të dhëna për gjurmën ekologjike të kosovarëve si individë, por
edhe të Kosovës si shtet. Sigurisht, aty figurojnë shtetet fqinje. Kjo implikon
nevojën që edhe Kosova të fillojë kalkulimin e buxhetit të vet ekologjik: pra,
të gjurmës ekologjike, biokapacitetit dhe koncepteve që lidhen me to.
Hulumtimit pilot për llogaritjen e gjurmës
ekologjike mbi bazën e kërkesave të Footprint calculator dhe mënyrës së jetës
së kosovarëve
Ky pilotim është bërë me 120 respondentë nga zonat urbane dhe rurale të
Kosovës, kryesisht student të të dy gjinive.
Sa i përket banimit, shumica absolute e respondentëve (85%) deklaruan se
jetojnë në shtëpi individuale, ndërsa pjesa tjetër në banesa të madhësive të
ndryshme. Shtëpitë individuale e kanë gjurmën më të madhe në termin e truallit
për ndërtim, qasjes rrugore, ujit dhe kanalizimit, ngrohjes etj., dhe kjo e
rrit gjurmën ekologjike. Megjithatë, këtë gjurmë në Kosovë e zvogëlon numri i
banorëve në familje: sa më shumë banorë, nevojat për rrymë, ngrohje, qasje
etj., përpjesëtohen. Afërsisht gjysma e respondentëve kanë familje me mbi 5
anëtarë që nënkupton se ende jemi familje të mëdha. Nga të gjitha format e
ngrohjes në dispozicion, rreth 80 % e respondentëve ngrohjen e shtëpisë e bëjnë
me dru. Kjo reflekton me gjurmë të lartë ekologjike për dy arsye: prerja e
drunjve e ul produktivitetin e pyjeve për resurse dhe oksigjen, si dhe zvogëlon
kapacitetin absorbues për dioksidin e karbonit. Ngrohja e bazuar në resurse me
karbon të rëndë (dry, qymyr) Kosovës ia rrit shumë gjurmën ekologjike.
Sipas mënyrës së ushqimit, vetëm dy nga 120 respondentë janë deklaruar
vegjetarian, që d.m.th. e kanë gjurmën pothuajse 0. Shumica absolute janë
konsumues mishi; mbi gjysma konsumojnë mish deri në tri herë në javë, ndërsa
rreth 1/3 e tyre prej 4 deri 6 herë. Sa më shumë mish i konsumuar, gjurma
ekologjike rritet. Mbi gjysma e respondentëve deklarohen se përkujdesen të blejnë
prodhimet vendore gjatë blerjes së produkteve ushqimore dhe kjo është gjë e
mirë nëse ndodh në realitet. Sa më shumë prodhime vendore të konsumuara, gjurma
ekologjike zvogëlohet.
Lidhur me transportin, pa veturë në familje janë deklaruar 6% e respondentëve,
ndërsa 60% e tyre kanë së paku një të tillë. Nga dy vetura kanë 23% e
familjeve, nga tri vetura kanë 6%, ndërsa mbi tri vetura në familje kanë 5%. Sa
i përket tipit të veturave, 90% kanë vetura standarde (me 5 dyer), përderisa
pjesa tjetër kanë vetura të tipeve të mëdha (xhip), miniveturë, furgon etj.
Mesatarja e veturave për familje sipas hulumtimit del të jetë 1.4. Shumica
absolute e studentëve në fakultet udhëtojnë me autobus urban ose ndërurban, 15%
me këmbë, e asnjë me biçikletë. Vetëm tre nga studentët vijnë në fakultet me
veturë individuale. Fundjavat në male, det ose vende të tjera kanë filluar të
bëhen pjesë e jetës moderne. Vetëm 10% e respondentëve nuk i praktikojnë
uikendet, 46% shkojnë deri në tri herë gjatë vitit, 28% deri në 6 herë, ndërsa
24% mbi 6 herë.
Sa u përket blerjeve më të mëdha, gjatë vitit të fundit (televizor, lap-top,
frigorifer, enëlarëse, rrobalarëse etj.) 16% e respondetëve nuk kanë bërë asnjë
të tillë, ndërsa 4% mbi tetë blerje në familje. Rreth 87% kanë bërë deri në tri
blerje të tilla, ndërsa 8% deri 6 blerje. Nga blerjet e paisjeve elektrike, 60%
deklarojnë sa kanë blerë paisje efiçiente, ndërsa 40% standarde (joefiçiente).
Sa më shumë paisje efiçiente të blera, gjurma ekologjike zvogëlohet.
Çdo aktivitet yni jetësor, direkt ose indirekt, prodhon mbeturina. Hulumtimi
ynë tregoi se shumica e familjeve (39.5%) prodhojnë së paku një qese
mbeturinash (volum 70 litra) në javë, 29% prodhojnë dy qese, mbi 2 qese
prodhojnë 24%, ndërsa më pak se një qese vetëm 8%. Megjithatë, 39% e
respondentëve nuk bëjnë asnjëherë riciklim të mbetjeve (plastikë, letër,
gazeta), ndërsa 35% ndonjëherë, 19% rrallë e vetëm 7% gjithmonë riciklojnë.
Shifra e atyre që gjithmonë riciklojnë sipas hulumtimit përputhet në masë të
madhe me sasinë e mbeturinave të ricikluara të raportuara në nivel Kosove
(rreth 6%). Sa më shumë riciklim të mbeturinave në familje, gjurma ekologjike
zvogëlohet.
Ky është vetëm pilotim i kalkulimit të gjurmës ekologjike dhe sigurisht se
duhen edhe shumë e shumë matje të tilla për të përcaktuar gjurmën ekologjike të
shtetit. Megjithatë, sipas mënyrës së jetesës që e kanë deklaruar pjesëmarrësit
e hulumtimit, del se gjurma mesatare e tyre është 2.57 gha (gjurma më e madhe e
raportuar ishte 4.05, ndërsa më e vogla 1.75). Pra, 2.57 hektarë i nevojinten
për të plotësuar nevojat jetësore bazike sipas stilit aktual. Kjo tregon se
këta njerëz me stilin e tyre të jetesës janë ende në kufi të gjurmës ekologjike
globale me mesataren e tyre. Në raport me shtetet fqinjë, Shqipëria e ka gjurmën
më të vogël se ne (2.0 gha), ndërsa gjurmën që më të madhe se ne e ka Serbia
(2.8 gha), Maqedonia Veriore (3.0 gha), Mali i Zi (3.7gha). Sa për ilustrim,
një amerikan me stilin e jetesës e ka gjurmën ekologjike 8.1 gha, ndërsa një
austriak e ka 6.0. Sipas gjurmës ekologjike aktuale, banorëve të SHBA-ve për të
pasur mjaftueshëm biokapacitet për të jetuar, iu duhen 5 planete, austriakëve 3
të tillë, ndërsa Kosova ende është brenda plotësimit të nevojave nga një
planet. Biokapaciteti i Kosovës ende nuk është përcaktuar e kjo e pamundëson
edhe përcaktimin e Ditës së Tejkalimit. Këto koncepte kërkojnë hulumtime dhe
analiza të tjera.
Kur janë pyetur studentët nëse i njohin konceptet: zhvillimi i qëndrueshëm,
gjurma ekologjike, biokapaciteti, gjurma e karbonit, gjurma e ujit, shumica
janë përgjigjur që nuk i njohin fare ose që kanë dëgjuar për to, por nuk e dinë
se çka nënkuptojnë. Kjo lë të kuptohet se mungojnë në konceptet kurrikulare në
njërën anë, por nuk janë as pjesë e politikave mjedisore institucionale e joqeveritare,
e as e vokabularit medial. Si mund të kërkojmë nga njerëzit të sillen më me
kujdes ndaj resurseve natyrore, nëse nuk ua bëjmë të prekshme ato nga jeta e
tyre e përditshme. Po fillojmë tani! Projekti SUSKOS, synon t`i fusë këto
koncepte në praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm edhe në Kosovë, me prioritet
tek mësuesit e nëpërmjet tyre t`i shpërndajë te gjeneratat e reja që kanë
nevojë për zhvillimin e qëndrueshëm.
Hulumtimi për këtë artikull është mbështetur
pjesërisht nga Open Socety Foundations (OSF). Opinionet e shprehura këtu janë
të autorit dhe jo domosdoshmërisht shprehin pikëpamjet e OSF-së.
Ky artikull është pjesë e projektit “SUSKOS -
Introducing sustainability footprint in education system of Kosovo” me të cilin
autori ka fituar çmimin Civil Society Scholar Award 2021.
No comments:
Post a Comment