Saturday, August 8, 2020

Lulëzimi i qeseve të plastikës!

Nga Afrim Berisha

I gjejmë ne çdo qoshe dhe në çdo vend. Na shfaqen në rrugë, në park, në lumenj, në oborre e madje dhe në zonat me të thella malore. Janë me madhësi dhe forma te ndryshme, me ngjyra të llojllojshme madje edhe me  dizajne interesante. 

Shpeshherë ato lulëzojnë në pemët e qytetit më shumë se sa gjethet dhe lulet e vetë pemës. Edhe shitësit i pëlqejnë shumë dhe po shkove në market nuk shpëton pa ti dhuruar nga një për secilin artikull që e blenë edhe atë falas pa e paguar asnjë cent.

Këto janë qeset e plastikës pa të cilat përditshmëria kosovare  as që mundë të mendohet. Këto janë qeset me të cilat ne jemi mësuar të bashkëjetojmë tash e sa kohë si me mikun më të mirë. Këto janë qeset pjesa më e madhe e të cilave pas një përdorimi përfundon si mbeturinë.

Këto janë qeset të cilat për aq sa na duken praktike dhe të  domosdoshme në momentin kur i përdorim, për aq na duken të neveritshme dhe të dëmshme kur i shohim si mbeturina.

Këto janë qeset e plastikës të cilat jo vetëm që e shëmtojnë peizazhin urban dhe natyrore por i shkaktojnë edhe dëme tjera mjedisit. Kështu, për tu ricikluar një qese e plastikës në kushte natyrore i duhet jo më pak se 400 vite.

Pak kapakë të kaltër për më shumë mjedis të gjelbër!

Nga Afrim Berisha

Këto ditë në Kosovë, një iniciativë mjedisore e filluar nga një student kosovar në Turqi po gjen përkrahje të jashtëzakonshme. Projekti "Mbledhim kapakët një nga një dhe i tejkalojmë pengesat hap pas hapi" që ka nisur fillimisht në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin Egje në Izmir të Turqisë, pas suksesit të shënuar atje është përhapur me shpejtësi edhe në shumë vende të tjera të botës për të arritur të njëjtin sukses edhe në Kosovë. 
Projekti i filluar para dy vitesh, nga studenti Kushtrim Ahmeti, ka në fokus grumbullimin e kapakëve të shisheve të plastikës nga riciklimi i të cilëve sigurohen të ardhura për blerjen e karrigeve me rrota për personat me aftësi të kufizuara. Deri me tani janë mbledhur miliona kapakë të plastikës dhe iniciativa ka gjetur përkrahje nga të gjitha grupet, institucionet dhe bizneset. 
Projekti përpos që ka në fokus mbrojtjen e mjedisit përmes riciklimit të kapakëve dhe përmes reduktimit të emisioneve të gazrave serrë që dalin nga procesi i prodhimit të tyre, ka edhe qëllimin humanitar për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Suksesi i projektit qëndron pikërisht në idenë dhe qëllimin e tij por edhe në faktin se përmes këtij aksioni çdokush mundë të japë kontributin individual. 

Mbledhja e kapakëve është e lehtë pasi që konsumi i ujit të ambalazhuar nga shishet e plastikës është i përditshëm, ndërkohë që për grumbullimin e kapakëve nuk nevojitet ndonjë infrastrukturë e avancuar. Kapakët mund ti fusësh në xhep ose mundë ti mbledhësh në një qese të vogël e pastaj mund ti dërgosh në pikat e grumbullimit, të cilat tani më janë hapur në shumë vende dhe institucione. 

Diçka kaq e vogël që për dikë nuk ka kuptim, për dikë tjetër ka një domethënie shumë të madhe dhe aq më tepër kur përmes tij ndihmohet edhe në mbrojtjen e mjedisit. 

Kualifikimi pa referencë – ndotja e mjedisit!

Nga: Rizah Hajdari

I keq, i papastër, i ndotur, katastrofal... janë disa nga vlerësimet që shpesh mund të dëgjohen në komunikime të ndryshme në mes të njerëzve. Asgjë e keqe në një komunikim normal të dy apo më shumë qytetarëve të thjeshtë të cilët janë të shqetësuar për cilësinë e mjedisit në të cilin jetojnë. Është e ditur, e pranuar nga zyrtarët dhe e publikuar nga autoritetet e duhura, Kosova ka mjaft probleme mjedisore!

Thuhet, realiteti sa do i hidhur që të jetë, është më mi mirë se mashtrimi i ëmbël, dhe pa mëdyshje realiteti duhet të pranohet, duhet të mirë-njihet. Por realiteti duhet edhe të interpretohet drejtë, përndryshe, qëllimshëm apo jo, vlerësimet jo profesionale mund të shkaktojnë cikël “SPIN”.

Mbrëmë (e Diele), në edicionin qendror të lajmeve të RTK, në një kronikë për mjedisin, u tha dhe u potencua disa herë, “Ndotja e Mjedisit në Kosovë i kalon për 18 herë standardet e BE-së”. Deklaratë, vërtetë shokuese! Dhe pas paralajmërimit të parë, po pritja të mësoj se kush e paska zbuluar një konstatim të tillë. Prita kot, u emitua kronika dhe nuk mësova se kush e kishte bërë konstatimin, vetëm se munda të dëgjoj prapë në fund të kronikës: “Ndotja e Mjedisit në Kosovë i kalon për 18 herë standardet e BE-së”!!!

Nevojat për ujë dhe mundësitë e konflikteve në shekullin XXI

Nga: Dr.sc. Sami Behrami

Me qëllim të ruajtjes nga ndotja dhe shfrytëzimit më optimal të ujit në vitin 1993, Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 22 marsin Dita Botërore e Ujit, kurse periudha 2005-2015 është shpallur Dekada (10 vjeçari) i ujit te pijshëm.

Sasia e përgjithshme e ujit në planetin tone është konstante. Kjo sasi sillet rreth 1.385 miliard km³, prej sasisë se përgjithshme ujërave të njelmëta u takojnë 1.338 miliard km³ ose 96.5%, kurse ujërave të ëmbla 35. milion  km³ ose 2.35%. Këto raporte në përgjithësi nuk ndryshojnë dhe kjo sasi e ujërave të ëmbla do të ishte e mjaftueshme për shoqërinë njerëzore. Mirëpo problemi qëndron në faktin se nga 2.35% të ujërave të ëmbla vetëm 0.05% janë në dispozicion për shfrytëzim

Në shekullin XX si pasoj e rritjes se popullsisë dhe zhvillimit teknologjik kërkesat për ujë janë rritur vazhdimisht me ritme të përshpejtuara. Sasia e ujit (sidomos atij të pijshëm) është e kufizuar kurse nevojat për të rriten. Përveç kësaj, sasi të mëdha të ujit në mënyra të ndryshme ndoten prandaj sasia e ujërave të disponueshme zvogëlohet. Kur kësaj i shtohet edhe shfrytëzimi jo racional atëherë problemi bëhet edhe ma shqetësues.