Nga: Rizah Hajdari
I keq, i papastër, i ndotur, katastrofal... janë disa nga vlerësimet që
shpesh mund të dëgjohen në komunikime të ndryshme në mes të njerëzve. Asgjë e
keqe në një komunikim normal të dy apo më shumë qytetarëve të thjeshtë të cilët
janë të shqetësuar për cilësinë e mjedisit në të cilin jetojnë. Është e ditur,
e pranuar nga zyrtarët dhe e publikuar nga autoritetet e duhura, Kosova ka
mjaft probleme mjedisore!
Mbrëmë (e Diele), në edicionin qendror të lajmeve të RTK, në një kronikë për mjedisin, u tha dhe u potencua disa herë, “Ndotja e Mjedisit në Kosovë i kalon për 18 herë standardet e BE-së”. Deklaratë, vërtetë shokuese! Dhe pas paralajmërimit të parë, po pritja të mësoj se kush e paska zbuluar një konstatim të tillë. Prita kot, u emitua kronika dhe nuk mësova se kush e kishte bërë konstatimin, vetëm se munda të dëgjoj prapë në fund të kronikës: “Ndotja e Mjedisit në Kosovë i kalon për 18 herë standardet e BE-së”!!!
Të thuash gjendja e mjedisit është “e mjerueshme” është shprehje e rëndë, por sido që të jetë, reflekton ndjesinë, gjykimin ndoshta edhe statusin edukativ dhe intelektual të atij që e thotë; është shprehje që nuk bartë përgjegjësi. Të thuhet se ndotja e mjedisit në Kosovë për 18 herë tejkalon standardet e BE-së, reflekton një kualifikim sasior, dhe sidomos e thënë nga një institucion publik (RTK), atëherë ajo është një provokim dhe bartë të paktën përgjegjësi profesionale.
Nuk është shqetësimi im thirrja në përgjegjësi e askujt. Shqetësimi im është se sidomos në fushën e mjedisit, duhet pasur kujdes kur dilet me informata të kualifikuara. Duhet dalluar komunikimin e qytetarëve të thjeshtë (mjedis katastrofë) dhe komunikimin masiv në media (18 herë). Shifra e dhënë duhet të ketë autorësi. Autori i shifrës duhet të shpjegoj metodologjinë deri te arritja e rezultatit, duhet të shpjegoj kompetencën profesionale dhe juridike. Qytetarëve duhet treguar prej nga shifra 18?
Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse Kosova ka institucione të ngarkuara me përgjegjësinë e monitorimit të mjedisit, ka njerëz që paguhen për këtë punë, ka njerëz që duhet informuar publikun për kualitetin e mjedisit. Dhe ky staf pretendon se për aq sa ka mundësi është duke kryer punën e vet. Në Vitin 2008, ka publikuar Raportin për Gjendjen e Mjedisit, në vitin 2009, ka publikuar raportin për gjendjen e natyrës dhe për gjendjen e menaxhimit të mbeturinave. Këto raporte, mund të kenë gabime, por janë raportet e vetme të cilat bazuar në metodologjinë DPSR, bazuar në indikatorë kryesor të EEA (Agjencia Evropiane e Mjedisit) bazuar në të dhënat e grumbulluar nga tërë burimet e mundshme dhe të besueshme, me kompetencë profesionale vlerësojnë gjendjen e mjedisit. Edhe këto raporte, kanë identifikuar momente të tejkalimit të standardeve, psh të tejkalimit të vlerës më të lartë të lejuar të pluhurit, por jo për 18 herë dhe jo për mjedisin si tërë.
Shprehja “ndotja e mjedisit për 18 herë...” është shprehje jo profesionale, por që mund të mashtroj (lexo shqetësoj) qytetarët, por profesionalistet flasin për ndotjen e komponentëve të veçanta të mjedisit: ajrit, ujit, tokës, mbeturinat, zhurma, radioaktiviteti, kimikatet..., dhe secila prej tyre mund të jetë ndotur (standardi mund të jetë tejkaluar) nga një apo më shumë parametra të caktuar!
Mbase gazetari/ja që ka përgatitur atë kronikë, ka mbajtur mend një detaj të dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ku pajisjet e tyre të sapo vendosura patën alarmuar për ndotje të lartë të ajrit. Atëkohë u përmend shifra 18, u përmend për ajrin (jo për mjedisin si të tërë) u përmend për parametra të caktuar, megjithëse nuk u sqarua ai 18-shi i famshëm, nuk u sqarua se matja është bërë në afërsi të semaforëve, nuk u sqarua nëse pajisjet janë të certifikuara, të verifikuara, të besueshme.
Ma shkurt, jo secili që vjen deri te një shifër mund të dal dhe të thotë se
kemi mjedis kështu apo ashtu, përndryshe i kemi kontribuar konfuzionit
informativ dhe Ciklit “SPIN”.
Një nga raportet tona, pos tjerash ka identifikuar se shumica e mediave në Kosovë nuk kanë gazetar të cilët merren ekskluzivisht me trajtimin e mjedisit, dhe si rekomandim doli trajnimi dhe informimi i gazetarëve, duke filluar nga ligjet, procedurat, dhe obligimet tona për të informuar publikun. Në ndërkohë, Qendra Regjionale e Mjedisit (REC) organizoi trajnim për gazetarët...
Megjithatë, ende në televizionet tona ndodhë që Gërmia të emërohet “Park
Nacional”.
No comments:
Post a Comment