Thursday, January 27, 2022

Pata e vogël laramane rishfaqet në Shqipëri

Pata e vogël laramane (Branta ruficollis), ky shpend i rrallë për Shqipërinë, është shfaqur në javët e fundit në Ultësirën Perëndimore por jashtë territorit të zonave të mbrojtura bregdetare, ka njoftuar Albanian Ornithological Society (AOS). Pavarësisht kontrollove në zonë, ekipi AOS arriti vetëm të gjejë fakte të pranisë së saj sikurse fotot bashkëngjitur që tregojnë të paktën një individ të vrarë. Njëkohësisht, disa banorë konfirmuam se mbi 10 individë të Patës së vogël laramane janë vrarë gjatë 2-3 javëve të fundit.

Sipas njoftimit të AOS, Pata e vogël laramane konsiderohet Globalisht e Rrezikuar. Popullata globale e saj vlerësohet në c. 44,000-56,000 individë sipas Wetlands International. Për këtë arsye, ajo mbrohet në të gjitha vendet europiane përfshirë Shqipërinë.

“Sikurse tregohet në hartat shoqëruese Pata e vogël laramane folezon në Siberinë Veriore (Rusi) dhe dimëron kryesisht në bregdetin verior të Detit të Zi, në Bullgari, Rumani dhe Ukrainë”, thekson AOS.

AOS tregon se individë të rrallë vizitojnë herë pas here edhe Shqipërinë ku janë regjistruar të paktën tre vrojtime, në 2002 në Butrint, në 2004 në Shkodër (por i vrarë) dhe ky rast i fundit në Lushnje-Fier që rezulton sërish i vrarë.

“Ndonëse specie e mbrojtur në Shqipëri, i cili vend ka vendosur moratorium për gjuetinë që prej vitit 2014, kjo specie kaq e rrallë dhe e rrezikuar globalisht vazhdon të jetë subjekt i brakonazhit në Shqipëri”, thotë AOS.


No comments:

Post a Comment