Friday, November 5, 2021

10 cunamet më të mëdha në histori

Sipas një raporti të OKB-së fatkeqësitë natyrore nga cunami brenda 10 viteve pritet të arrijnë në dimensione që do të kërcënojë 50 për qind të popullsisë së botës. Anadolu Agency (AA), duke siguruar të dhëna nga OKB-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përpiloi të dhënat lidhur me cunamet që kanë ndodhur në 100 vitet e fundit, shkaqet e shfaqjes, ndikimin mbi shoqërinë, rreziqet që dalin në pah pas cunameve dhe humbjet e jetëve. Në raport thuhet se zbatimi i politikave dhe masave të duhura në praktikë paraprakisht mund të ndihmojë në parandalimin e skenarëve të mundshme të fatkeqësive. OKB-ja, cunamin e ka vendosur në kuadër të fatkeqësive natyrore më të rrezikshme ndërsa paralajmëroi parandalimin e urbanizimit dhe turizmit në rajonet e prirura ndaj cunamit, përndryshe një numër i madh njerëzish mund të vihen në rrezik.

Sri Lanka, India, Indonezia, Tajlanda dhe Japonia janë të parat në mesin e vendeve që ndikohen më së shumti nga cunamet.

Tërmetet nënujore me fuqi të paktën prej 6.5 ballë sipas shkallës së Rihterit mund të shkaktojnë cunami.

Përveç tërmeteve; rrëshqitjet e dheut, shpërthimet vullkanike, rrëshqitjet e tokës nënujore dhe rënia e shkëmbinjve bregdetarë mund të shkaktojnë gjithashtu cunami.

Në 100 vite humbën jetën 260 mijë persona

Sipas të dhënave të OKB-së dhe OBSH-së, si pasojë e 58 cunameve në 100 vitet e fundit kanë humbur jetën afro 260 mijë njerëz.

Sri Lanka, India, Indonezia, Maldivet, Mianmari, Tajlanda dhe Japonia janë vendet ku kanë ndodhur më së shumti cunami.

Komisioni i Oqeanografisë i UNESCO-s (IOC) në vitet e fundit ka zhvilluar një sërë punimesh për të koordinuar shërbimet e paralajmërimit të hershëm të cunamit.

Me këtë qëllim janë krijuar katër stacione të paralajmërimit të hershëm dhe sistem të zbutjes së cunamit në Paqësor dhe Oqeanin Indian, në rajonet e Karaibeve, Atlantikut Verilindor dhe Detit Mesdhe.

Me këto punime, UNESCO synon të rrisë ndërgjegjësimin për praktikat që duhen bërë për të minimizuar humbjet e jetëve dhe pronës në fatkeqësitë e cunamit. IOC organizon trajnim për komunikim dhe evakuim nga cunamet përmes programeve në vendet anëtare.

10 cunamet më të mëdha në histori

Pas tërmetit me magnitudë prej 9.1 ballë në brigjet e Sumatra-s së Indonezisë më 26 dhjetor 2004, ndodhi cunami. Pas tërmetit, që parashikohet se ka ndodhur në thellësi prej 30 kilometrash, valët me lartësi prej 50 metrash në Meubolah të Sumatra-s, arritën deri në 5 kilometra thellësi të tokës. Në këtë fatkeqësi humbën jetën rreth 230 mijë persona.

Një cunami në bregun e Japonisë të Paqësorin verior më 11 mars 2011, shkaktoi vdekjen e mbi 18 mijë personave. Valët me lartësi prej 10 metrash në bregun lindor të Japonisë shkaktuan që 452 mijë persona të transportoheshin në strehimore të përkohshme.

Valët 30 metra të larta, që ndodhën pas tërmetit prej 8.5 ballë që ndodhi në Lisbonë, kryeqytetin e Portugalisë, më 1 nëntor 1755, ndikoi rëndë ndaj shumë qyteteve në bregun perëndimor të Portugalisë dhe Spanjës jugore si dhe ndaj Marokut. Pas tërmetit dhe cunamit humbën jetën rreth 6 mijë persona në Portugali, Marok dhe Spanjë.

Në cunamin që ndodhi më 27 gusht 1883 në Indonezi, si pasojë e shpërthimit të vullkanit Krakatau Kaldera, u shkatërruan qytezat Anjer dhe Merak. Si pasojë e cunamit 38 mijë persona humbën jetën ndërsa si pasojë e shpërthimit vullkanik 2 mijë persona humbën jetën.

Një tërmet me magnitudë 8.3 ballë vlerësohet të ketë ndodhur më 20 shtator të vitit 1498 në Detin Enshunada të Japonisë. Thuhet se cunami i ndodhur si pasojë e tërmetit ka prekur brigjet e Kii, Mikawa, Surugu, Izu dhe Sagami dhe kanë humbur jetën 31 mijë persona.

Gjithashtu si pasojë e një tërmeti tjetër me magnitudë 8.4 ballë që ndodhi në Nankaido të Japonisë më 28 tetor të vitit 1707 ndikoi brigjet e Kyushyu, Shikoku dhe Honshin. Dallgët u ngritën deri në 25 metra. Në rajonin e prekur nga cunami është shënuar se shumë vendbanime janë dëmtuar dhe rreth 30 mijë persona kanë humbur jetën.

Tërmeti 7.6 ballë në rajonin Sanriku të Japonisë më 15 qershor 1896 dhe cunami që pasoi, shkatërroi më shumë se 11 mijë shtëpi dhe shkaktoi vdekjen e 22 mijë njerëzve. Valët prej 38 metrash, thuhet se kanë prekur bregun lindor të Kinës dhe kanë vdekur 4 mijë persona.

Në të dhënat u regjistrua edhe cunami, i cili ndodhi pas tërmetit 8.5 ballë në veri të Kilit më 13 gusht të vitit 1868. Cunami, valët e të cilit arritën deri në 21 metra, zgjati 3 ditë dhe shkaktoi vdekjen e rreth 25 mijë njerëzve.

Gjithashtu thuhet se tërmeti me magnitudë 7.4 ballë që ndodhi në ishujt Ryukyu të Japonisë më 24 prill të vitit 1771 preku shumë ishuj të rajonit dhe dallgët prej 85 metrash të larta shkaktuan dëmin më të madh në ishullin Ishigaki. Në këtë fatkeqësi humbën jetën rreth 12 mijë persona.

Më 18 janar të vitit 1586, tërmeti me magnitudë 8.2 ballë që ndodhi në rajonin e Gjirit Ise të Japonisë shkaktoi një cunami dhe valët u ngritën deri në 6 metra lartësi. Numri i viktimave nuk dihet.


No comments:

Post a Comment