Thursday, August 26, 2021

Shpyllëzimi po ndikon në zvogëlimin e reshjeve

Nga studimi ndërkombëtar i bërë nga Instituti i Shkencave Atmosferike dhe Klimatike të Këshillit Kombëtar të Kërkimit të Torinos (Cnr-Isac), i botuar në revistën ”Global Change Biology” mësohet se shpyllëzimi i pyjeve shkakton zvogëlim tejet të madh të reshjeve vjetore atmosferike. Studimi mbi ndikimin e madh që ka shpyllëzimi në zvogëlimin e reshjeve atmosferike është bërë në Amazonë. Studimi ka konstatuar se pyjet e shiut të Amazonës nuk janë vetëm një nga mushkëritë më të mëdha të planetit, por edhe një vend veçanërisht me shira, një mikrolklime që prodhohet nga avujt e ujit të lëshuara nga bimët gjatë fotosintezës, proces i cili bënë që të ketë reshje atmosferike gjatë gjithë vitit.

Shpyllëzimi intensiv dhe i pandërprerë po e ndryshon këtë mekanizëm dhe studimet dëshmojnë se ky ndryshim i mikroklimës amazoniane mund të jetë më i madh nga sa mendohet. Ndryshimet e vogla në lagështinë e ajrit, për shkak të pranisë ose mungesës së pemëve, mund të çojnë në ndryshime të mëdha në reshjet e shiut.

Në rastin më ekstrem shpyllëzimi mund të çojë në një reduktim të reshjeve vjetore me 55-70 për qind. Edhe një shpyllëzim relativ mund të ketë efekte më dramatike, sesa pritej, për sa i përket shirave, pyjeve dhe zonave fqinje, tërheq vërejtjen artikulli i Shkencave Atmosferike dhe Klimatike të Këshillit Kombëtar të Kërkimit të Torinos (Cnr-Isac), i botuar në revistën ”Global Change Biology”.


No comments:

Post a Comment