Sunday, July 11, 2021

Mbjellja e pemëve si masë për të zbutur ndikimet e ndryshimeve klimatike

Mbjellja e pemëve dhe si rrjedhojë, shndërrimi i tokave bujqësore në pyjore, sjell efekte pozitive apo negative në vend. Një studim i fundit, ka vlerësuar dhe zbuluar disa nga efektet që rezultojnë, nga kthimi i tokës bujqësore në tokë pyjore. Modele statistikore, ndërthurur me vëzhgime, janë përdorur për të vlerësuar se si ndryshimet në mbulesën pyjore do të ndikonin në reshjet anembanë kontinentit. Rezultatet treguan se ka një rritje të reshjeve pas pyllëzimit, në veçanti në dimër. Por përveç kësaj, pyjet llogariten të rrisin reshjet e shiut në pjesën më të madhe të rajoneve gjatë verës. Nga ana tjetër, efekti i erës në dimër është pozitiv në zonat bregdetare por në Evropën Kontinentale dhe Veriore do të jenë afër neutrales dhe negatives. Efektet e kombinuara lokale dhe jo-lokale të një skenari realist të ripyllëzimit, vlerësohet të rrisin reshjet e verës me 7.6 ± 6.7% mesatarisht në Europë (0.13 ± 0.11 mm d–1).

Autorët shprehen se, gjetja është mjaft domethënëse, sepse ka ndikim të konsiderueshëm edhe në ndryshimet klimatike. Ata thonë se, “Kërcënimi më i madh i ndryshimit të klimës që pritet të ndodhë në pjesët jugore të Evropës si Mesdheu, është rënia në sasinë e reshjeve gjatë verës. Dhe atje, sipas studimit tonë, kjo praktikë e mbjelljes së pemëve, do të çonte në një rritje të këtyre reshjeve. Kjo sepse, pyjet e rinj priren të avullojnë më shumë lagështi në atmosferë se toka bujqësore, duke ndikuar në rritjen e reshjeve në tokë.

Gjithashtu ata theksojnë, se ideja për zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike me praktikën e mbjelljes së pemëve, nuk është aq e thjeshtë sa shpesh portretizohet. Fakt i cili përmendet edhe nga shkencëtarë të tjerë, të cilët tregojnë se kjo praktikë nuk është një zgjidhje e shpejtë për ndryshimet klimatike. Duke shtuar pemë të reja ose duke restauruar pyjet e humbura, nuk mund të kompensojnë kurrë emetimet e gazeve serë që vijnë nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Kështu që, ndalimi i shkarkimeve të gazeve serë, është hapi i parë që çdo vend duhet të ndërmarrë. Por edhe kjo nuk do të jetë e mjaftueshme gjithsesi.

Zhdukja e karbonit nga atmosfera, do të ishte zgjidhja e duhur, në qoftë se nuk dëshirojmë që temperatura të rritet edhe 1.5ºC më shumë. Nga ky këndvështrim, mbjellja e pemëve është një mundësi e mirë për zvogëlimin e shkarkimeve. Por nga ana tjetër, mbjellja e tyre nuk duhet të jetë kurrë një justifikim për të mos vepruar në reduktimin e shkarkimeve të karbonit me të gjitha mjetet e mundshme.

No comments:

Post a Comment