Nga Prof. Aleko Miho- Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
Përmbytjet janë dukuri natyrore, ashtu si dhe tërmetet, pandemitë etj. Si të tilla ato ndodhin dhe vështirë se mund të ndalen. Por ajo që ka shumë rëndësi për njeriun e ditur, të zhvilluar, është si të zbusë sa më shumë pasojat e tyre. Për shembull: duke ndjekur rregulla të rrepta për ndërtimet, në rastin e tërmeteve; duke treguar më shumë kujdes për sistemin shëndetësor në rastin e pandemive; në mbështetjen e shkollimit dhe të dëgjimit të ekspertëve; etj. Kjo duhet edhe për përmbytjet; dhe e gjitha duhet herët në kohë, jo kur ato të ndodhin. ‘Të parandalosh është më mirë se të shërosh!’ Kjo thënie e lashtë e Hipokratit është përherë aktuale në gjithë kohërat dhe për gjithë çështjet e mëdha. Të parandalosh të keqen kushton shumë më lirë se të ndreqësh dëmet që e keqja shkakton! Ne nuk jemi një vend i pasur që nuk pyesim nga e keqja; e lëmë atë të vijë, dhe pastaj mobilizohemi për ta asgjësuar!
Si vend me klimë tipike mesdhetare, por dhe me pozitë të tillë fiziko-gjeografike në Ballkanin Perëndimor, ne e dimë mirë që kemi shumë ujëra, dhe shumë rreshje. Kjo është vërtetë edhe një pasuri e paçmuar për vendin; mjafton të kujtojmë që lumenjtë na sigurojnë thuajse të gjithë energjinë e nevojshme në gjithë jetën tonë. Por lumenjtë tanë të Ultësirës Perëndimore kanë qënë gjithmonë të egër në kohë shirash; kanë dalë gjithmonë nga shtrati; kanë dredhuar rrjedhën e tyre sa herë kanë mundur; kanë mbajtur hapësira të tëra në këneta të gjera përgjatë gjithë zonës sonë bregdetare. Në dhjetëvjeçarët e fundit rreshjet janë shtuar edhe nga ngrohja globale, rritja e temperaturës, pakësimi i rreshjeve të dëborës, dhe qëndrimi i shkurtër i saj në malet tona.
Duke ditur gjithë këto, sfida jonë është të mendojmë përherë si të zbusim pasojat nga rreshjet e çrregullta, nga lumenjtë e fryrë, për të mos rënë viktimë e dëmeve që shkaktohen prej tyre, si ka ndodhur disa herë në dhjetë vitet e fundit. Është e vërtetë që rreshjet e dëndura nuk mund të ndalohen, por ato mund të kontrollohen, të disiplinohen, pa i lejuar të dëmtojnë jetën dhe pasurinë tonë. Kjo fillon që nga kodrat dhe malet tona, nga ruajtja dhe ripërtëritja e mbulesës bimore, nga ruajtja dhe ripërtëritja e pyjeve. Perandori kinez Yu (2123–2025 vite p.e.s.) kujtohet ende sot për aftësitë e tij dhe për teknikat e kontrollit të përmbytjeve; është e famshme thënia e Tij se ‘që të mbroni lumenjtë tuaj duhet të mbroni më parë malet tuaja’, e cila mbetet ende shumë kuptimplote edhe në ditët e sotme në mbarë botën, dhe mjaft aktuale për Shqipërinë.
Shqipëria dallohet si vend me përdorim të keq të tokës, duke filluar nga urbanizimi i çrregullt, infrastruktura rrugore dhe turizmi masiv kaotik, dhe për të shkuar te çpyllëzimet për lëndë drusore ose tokë bujqësore, kullotje e tepruar, zjarre të pa kontrolluara, ndërtim HEC-esh në çdo rrjedhë lumore etj. Në Kadastrën Shqiptare ka rreth 1.4 milionë ha pyje (rreth 49% të të gjithë territorit) dhe rreth 400 mijë ha kullota (14%); por pyjet e vërteta duket se janë vetëm 400 mijë ha (rreth 30% e sipërfaqes pyjore), pjesa tjetër është shndërruar në pyje të degraduara, shkurre ose tokë të braktisur.
Në një hapësirë të pyllëzuar plotësisht, rreth 90% e rreshjeve që bien në atë zonë mbahen në vend: 40% e tyre rikthehen nga bimët përsëri në atmosferë nëpërmjet evapotranspirimit; dhe 50% mbeten në tokën përreth ose nëntokën e zonës; vetëm 10% e rreshjeve shkon në rrjedhjet sipërfaqësore përrenj dhe lumenj. Ndryshe ndodh në një hapësirë të zhveshur fare; sasia që shkon në rrjedhjet e përrenjve dhe në lumenj rritet shumë, deri në 55% të rreshjeve të përgjithshme që bien brenda pellgut; kjo mund të ndodhë si në një zonë urbane ose industriale, në një rrugë të asfaltuar, apo dhe në shpatin e zhveshur kodrinor apo malor. Në këto raste, evapotranspirimi zbret deri në 30%, kurse ujërat në tokë dhe nëntokë pakësohen shumë (deri në 15 %); e gjithë kjo shkakton edhe pakësimin ose tharjen e burimeve nëntokësore, dhe ashpërsimin e klimës së zonës. Pra në të tilla zona pa mbulesë bimore shumica e rreshjeve që bie shkarkohet menjëherë në përrenj dhe lumenj; këta përballojnë me vështirësi prurjet e mëdha brenda një kohe të shkurtër, duke dalë nga shtrati.
Ndër të tjera, kjo shkakton edhe ndryshime gjeomorfologjike të rënda në gjithë rrjetin hidrografik të përrenjve dhe lumenjve, gërryerje të brigjeve lumore dhe thellim të shtratit, me shëmbje të tokës bujqësore anash, të vendbanimeve, të rrugëve dhe sidomos të urave. Kjo është nxitur më tej edhe nga shfrytëzimi pa kriter i inerteve në shtratin e lumit. Është për këtë arsye që edhe dukuria e gërryerjes (erozionit) dhe gjithë këto dukuri të shkarjes së tokës në territorin shqiptar janë shumë të shpeshta. Kjo edhe për shkak të natyrës së thyer të relievit, të gjeologjisë dhe tokës, e nxitur kjo dhe nga klima mesdhetare dhe rreshjet e shumta dhe të çrregullta. Dallohen për fuqinë shumë të lartë gërryese zona e Shkodrës dhe Sarandës, por dhe e gjithë zona e Ultësirës Perëndimore Bregdetare, të cilat kanë edhe mesataren më të lartë të rreshjeve vjetore. Përveç pasojave të përmbytjeve, humbja e tokës nga erozioni në Shqipëri llogaritet të jetë nga 20 deri 70 tonë/ha në vit, dhe në raste të veçanta deri në 100 t/ha. Shplarja e tokës në shumë shpate të pjerrëta dhe të zhveshura nga bimësia ka shkaktuar nxjerrjen e shkëmbit amnor, ku ripërtëritja e mbulesës bimore dhe rivendojsa e pyllit është shumë e vështirë.
Për këtë mbrojtja dhe ripërtëritje e mbulesës bimore, në gjithë territorin e vendit është domosdoshmëri e përhershme. Moratoriumi për pyjet ishte shumë i rëndësishëm, por kjo nuk mjafton. Kjo duhet shoqëruar me një program real për pyllëzimin e vendit. Kjo gjithmonë nis nga ngritja dhe mbështetja e fidanishteve pyjore në vend. Për klimën, florën dhe bimësinë e pasur që kemi, ne nuk na falet asnjëherë të importojmë fidana për të gjelbëruar sheshet apo rrugët tona; as që mund të pretendojmë që me fidana importi të pyllëzojmë gjithë zonat e zhveshura në shpatet tona kodrinore apo malore. Përkundrazi, janë të gjitha mundësitë që ne me fidanishtet tona, jo vetëm të pyllëzojmë vendin, por dhe të eksportojmë fidana drurësh. Por këto janë biznese që kërkojnë fillimisht të mbështeten, për t’u ngritur dhe mbajtur në punë.
Për të zbutur pasojat e rreshjeve, kërkesa të tjera për t’u mbajtur gjithmonë në qendër të vëmendjes janë ujëmbledhësit, pritat lumore, punimet hidroteknike në brigjet lumore, brezat pyjorë përgjatë tyre, përgjatë kanaleve kullues dhe rrugëve etj. Ndërtimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi si duhet i sistemit të kullimit dhe stacioneve të pompimit përgjatë gjithë zonës bregdetare mbetet përherë jetike për vendin. Po aq me rëndësi është edhe gjithë sjellja e njeriut që jeton dhe punon përgjatë lumenjve. Nuk falet kurrë ajo që shohim shpesh në Ultësirën Bregdetare të ndërtohet përgjatë lumenjve, ndonjëherë edhe brenda kufirit që prekin ujërat e tyre gjatë rreshjeve, duke sfiduar me shumë kokëfortësi dhe naivitet këtë dukuri të natyrës. Janë të pafalshme dëmtimet që ju bëhen kanaleve kulluese apo argjinaturave lumore, për qëllime të rëndomta të çastit. Janë të pafalshme shfrytëzimi i pa kontrolluar i shtratit të lumit për inerte; etj.
Jemi në prag zgjedhjesh, dhe do këshilloja shumë partitë tona që në programet e tyre të mos lënë në harresë programin e pyllëzimit të vendit; këtu mund të përfshihet edhe vullnetarizmi i rinisë, i shkollarëve, si një domosdoshmëri për të përmirësuar gjelbërimin, për të zbukuruar peizazhin, dhe pse jo edhe për zbutur pasojat e gërryerjes së tokës dhe të përmbytjeve. Për të zgjidhur problemet e mëdha në vend politika jonë duhet të lërë mënjanë ndasitë, përbaltjet dhe fyerjet gati 30 vjeçare, dhe të ulen sëbashku seriozisht për t’u përballur me zgjidhjen e nevojave reale në vend.
Pra duke e mbyllur këtë shkrim, mendoj se ne duhet gjithmonë të nxjerrim mësim nga këto pasoja të rënda të natyrës. Kjo duke filluar nga pyllëzimi i gjithë vendit, te kontrolli i rreshjeve gjatë rrugës së tyre deri në det, e deri te sjellja jonë e përditshme ndaj forcave të natyrës, por dhe te shkollimi dhe dëgjimi edhe i ekspertëve.
No comments:
Post a Comment