Të hënën, më 12 tetor, në Kuvendin e Kosovës do të dorëzohet
peticioni me rreth 27,000 nënshkrime, nëpërmjet të cilit qytetarët e Kosovës i
kërkojnë institucioneve më të larta të vendit, që të ndalin degradimin e mëtutjeshëm
të ambientit nga Mini Hidrocentralet dhe Hidrocentralet e vogla. Shkatërrimi i
vazhdueshëm i resurseve tona natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe
shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendim-marrës
apo investitorë, na shtyen të protestojmë dhe të premtojmë se nuk do të
ndalemi. Argumentet e mbledhura dëshmojnë se nëse nuk veprojmë tash dhe
menjëherë, lumenjtë e Kosovës, si dhe popullata që jeton në afërsi të tyre, do
të shkatërrohen dhe degradohen në pa kthim.
Sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla në hapësirat e parqeve kombëtare dhe zonat e mbrojtura me ligj, ku është rreptësishtë e ndaluar; pa dokumentacion të kompletuar ligjor dhe pa u konsultuar të gjitha palët e interesit, e që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, e shumë të tjera.
Mbledhja e nënshkrimeve është bërë me mbështetje të
Fondacionit të Kosovë për Shoqëri të Hapur në nëntor të vitit të kaluar në
shtatë komunat e mëdha të Kosovës, përfshi edhe komunat përreth, nga
organizatat partnere: Instituti Demokratik i Kosovës – Prishtinë, EC Ma Ndryshe
– Prizren, Iniciativa për Progres INPO – Ferizaj – Gjilan – Shtërpce, REC Mitrovica
– Mitrovicë, ERA Group – Pejë, KADC – Gjakovë, Organizata për Mbrojtjen e
Mjedisit - GJETHI – Kaçanik – Hani i Elezit dhe Aktiv.
Numri total i nënshkrimeve të mbledhura është 26,841. Ceremonia e dorëzimit te peticionit në Kuvendin e Kosovës organizohet të hënën më 12 tetor në ora 10:00.
No comments:
Post a Comment