Friday, October 9, 2020

Flora e Kosovës pasurohet edhe me një gjini dhe lloj të ri

Zyrtarët e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Xhavit Mala nga Drejtoria e Parkut Kombëtarë Sharri, dhe Qenan Maxhuni nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës, kanë publikuar së fundi artikullin shkencor me titull “Sternbergia colchiciflora Waldst. et Kit. (Amaryllidaceae), një gjini dhe specie e re në florën e Kosovës - Sternbergia colchiciflora Waldst. et Kit. (Amaryllidaceae), a new genus and species in the flora of Kosovo”. Artikulli është publikuar në revistën prestigjioze të fushës së botanikës – Acta Botanica Croatica, e cila është e cituar edhe ne platformën SCOPUS.

Në abstraktin e punimit thuhet mes tjerash se “Ky punim flet për llojin Sternbergia colchiciflora Waldst. et Kit. si një gjini dhe specie e re për florën e Kosovës. Pothuajse 30 individë të rritur të kësaj specie u regjistruan për herë të parë në Kosovën jugperëndimore gjatë vitit 2015, në lokalitetin e Kanionit të Drinit të Bardhë afër Urës së Fshajt. Duke marrë parasysh numrin e ulët të individëve dhe shpërndarjen shumë të kufizuar, kjo specie duhet të trajtohet si takson i rrezikuar në mënyrë kritike në Kosovë”.

Lokacioni i llojit

Sternbergia colchiciflora është lloj në Listat e Kuqe të specieve të rrezikuara, të prekshme dhe gati të kërcënuara në shumë vende të Evropës (Republika Çeke, Republika Sllovake, Rumania, Hungaria etj.). Në rajonin e Kaukazit, ajo ka statusin e taksonit të rrezikuar në mënyrë kritike në Listën e Kuqe të bimëve endemike. Kjo specie është renditur gjithashtu në Shtojcën II të Konventës për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër (CITES).

Harta e vendndodhjes se lokacionit te llojit

Përcaktimi i nivelit të rrezikshmërisë se llojit është bërë duke u bazuar në kriteret e IUCN.

Artikullin e plotë e gjeni në linkun https://hrcak.srce.hr/240910

No comments:

Post a Comment