Kamenica ka mundësi dhe potencial të mirë për të zhvilluar turizmin. Bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore e këtij regjioni janë një element shumë i rëndësishëm por që ende nuk janë marrë në konsideratë të trajtohen dhe të promovohen në zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre. Shumë zona interesante natyrore ofrojnë potencial për zhvillimin e turizmit dhe mundë të shndërrohen në destinacione tërheqëse për vizitorë. Komplekset e bukura malore, peizazhet unike natyrore dhe burimet e shumta hidrografike janë disa prej këtyre vlerave natyrore të komunës së Kamenicës.
Një nga këto zona që shquhet me bukuri të veçanta natyrore, është ujëvara e quajtur ”Qurreli”, e cila gjendet në fshatin Hogosht. Ujëvara ndodhet rrëzë maleve të Hogoshtit, ka dy rrjedha të veçanta uji, që burojnë nga shkëmbi dhe që e bëjnë këtë zonë si një ndër më të veçantat dhe më të bukurat në Kosovë.
Rruga për tek ujëvara është e asfaltuar dhe lokalitetit ndodhet vetëm 13 km larg qendrës së qytetit të Kamenicës. Natyra përreth ujëvarës ofron peizazhe të bukura natyrore që i shtojnë edhe më shumë vlerën zonës. Pranë kësaj ujëvare gjendet edhe mulliri i ndërtuar në vitin 1958 dhe i cili është në funksion dhe shfrytëzohet edhe në ditët e sotme nga banorët e këtij fshati.
Mirëpo përkundër vlerave të veçanta natyrore që ka kjo zonë deri me tani nuk ka pasur ndonjë promovim të duhur as nga institucionet lokale dhe as nga ato qendrore dhe nuk ekziston në gudiat turistike të vendit.
Fotografitë albinfo.ch
No comments:
Post a Comment