Nga: Ethem Ruka
Ne studentët e biologjisë patëm privilegjn të bënim vazhdimisht praktika në terren për të njohur florën dhe faunën e vendit. Mezi e prisnim këtë rast për të shkuar në Shëngjin, Vlorë ose në përiferi të Tiranës. Shëngjini dhe rrethinat e tij ishin destinacioni më i preferuar sepse ofronin detin, malin dhe lagunat e begata. Aty kishim mundësi të studionim kafshët e tokës e detit. Shpesh dilnim në det të hapur me peshkarexha për të studiuar nga afër atë pjesë të faunës që kish rënë pre e rrjetave të peshkatarëve. Për ne që vinim nga vise larg detit, kërshëria ishte edhe më e madhe. Profesorët që drejtonin ekspeditat tona për botën shtazore ishin të specializuar në fusha të ndryshme. Kështu profesor Lekë Gjiknuri ishte i specializuar për kafshët jovertebrore të detit, Niko Peja për peshqit, Fotaq Lamani për shpendët, Idriz Haxhiu për zvarranikët dhe Kastriot Misja për insektet.
Një nga ekspediatat tona të verës së vitit 1970 për njohjen e llojeve të insekteve (entomofaunës) u organizua në Ibë të Tiranës, në vendin që ende sot quhet “Kafja e Xhafës”. Ky lokal shërbente si kafe-bar por edhe si restorant për pasagjerët që bënin rrugën Tiranë-Elbasan. Aty ushqeheshim edhe ne studentët gjatë ditëve të ekspeditës.
Një ditë personeli i shërbimit bëri dezinfektimin e lokalit dhe mjedisit përreth me një insekticid që quhej “Flibol”. Mesa duket, pikëzat e tij mbritën deri te kazanët dhe enët që shërbenin për ushqimin. Në mbrëmjë von pjesa më e madhe e studentëve u helmuam. Diarrhea dhe vjelljet ishin të forta. Mbas një gjysëm ore mbritën disa ambulanca dhe na çuan në urgjencën e spitalit të Tiranës. Mbaj mend që në mesnatë mjeku i rojes më bëri lavazh me ujë të ngrohtë për të nxjerrë përmbajtjen e stomakut. Për fat të mirë u ndjemë të përmirësuar e të nesërmen u rikthyem sërish në kampin tonë në Ibë.
Profesor që udhëhiqte ekspeditën, ishte Kastriot Misja, entomologu më i mirë i Shqipërisë. Ai kish studiuar në Universitetin “Lomonosov” të Moskës. Pas diplomimit u emërua si punonjës kërkimor-shkencor në Muzeun e Shkencave të Natyrës që varej nga Katedra e Zologjisë. Profesori ishte një kërkues shumë serioz dhe i pasionuar pa fund pas specialitetit të vet.
Një pasdite ai më thirri dhe më propozoi të studioja pilivesat (Odonatat) e Shqipërisë. Ky studim do të zgjaste një vit dhe se unë në vend të provimeve përfundimtare për marrjen e diplomës do të mbroja rezultatet e studimit para një komisioni. As unë por as edhe ndonjë student tjetër nuk kish dëgjuar se ekzistonte edhe një mundësi e tillë.
Profesor Misja e pa hutimin tim dhe më shpjegoi se kjo gjë ishte e mundur edhe pse nuk kish ndodhur më parë. Më tha të mos shqetsohesha se gjithçka do të bëhej nën asistencën e tij. Pranova por duke patur shumë mëdyshje për rezultatin. Detyra ime ishte të grumbulloja sa më shumë ekzemplarë pilivesash nga vise të ndryshme të vendit, t’i përpunoja e pasatj të përcaktoja llojin e tyre për t’i emëruar shkencërisht në latinisht.
Pilivesat janë insektet elegante që fluturojnë me një shkathësi të jashtëzakonshme për kapjen e presë dhe rriten përreth mjediseve ku ka ujë, si përrejntë, lumenjtë, liqenet, ujëmbledhësit etj. Aq elegant janë këta inskete sa francezët i quajnë “zonjushat e ujit”.
Në jug nuk e pata problem. Shfrytëzova pushimet verore për të bërë ekspediat personale që nga përroi në fund të fshtit të lindjes e deri në luginën e Vjosës, Drinos, lumit të Bënçës, pranë ujëmbledhësve etj. Në disa raste u bëra pjesë e ekspeditave të profesorëve të mi dhe grumbullova mjaftë material si nga jugu ashtu edhe veriu i Shqipërisë.
Pjesa tjetër e punës për përckatimine llojeve u krye në Muzeun e Shkencave të Natyrës në Rrugën e Kavajës, gjithmonë nën asistencën e kujdeshme të profesor Misjes. Përcaktimi i një lloji nuk është një gjë e lehtë. Zakonisht përdoren çelësa deteminimi, që në atë kohë ekzistonin vetëm në gjuhën ruse.
Llojet që zbulova për Shqipërinë shtoheshin ditë pas dite. Në fund të studimit rezultuan 30 lloje pilivesash, një kontribut i vlerësueshëm që pasuronte sadopak inventrain e llojeve të botës së gjallë shtazore për vendin. Asnjë lloj nuk mund të konsiderohej si i tillë pa çertifikimin e saktësisë nga profesor Misja. Vetëm kur ai thoshte “po” konsiderohej punë e mbaruar.
Të gjitha pilivesat janë insekte elegante, por për mua më bukura ishte Calopterix virgo, me nje trup elegantë, sy të mëdhenj dhe krahë të gjelbër në blu që është vështirë të përshkruhet.
Ishte hera e parë që rash në kontakt me botën magjike të kërkimit. Në fund të fundit ishte fillimi i një rruge të re, të cilën nuk e kisha imagjinuar në rutinën e përditshme studentore.
E shkrova gjithë punën studimore në një material prej rreth 30 faqesh. Materiali duhej shtypur, por në atë kohë makinat e shkrimit ishin pivilegj i institucioneve dhe rrallë edhe të individëve të veçantë. Diku në fillim të rrugësa “Hoxha Tahsim” afër sheshit “Avni Rustemi” banonte një qytetar me origjinë hebraike, Jetulla Batino. Ai kish në shtëpi një makinë shkrimi dhe punonte gati fshehurazi me që në atë kohë aktiviteti privat ishte i ndaluar. Pasi rash dakord më të për çmimin mbarova punë.
Një ditë e mbrojta temën e diplomës para komisionit me vlerësimet më të mira. Koleksioni im i pilivesave u ekzpozua në një nga stendat e Muzeut të Shkencave të Natyrës. Çdo lloj, me emrin e vet në latinisht qëndroi aty për gati 30 vite, deri sa koha i dëmtoi. Isha shumë krenar kur e shikoja herë pas here këtë koleksion insektesh elegante ku shënohej edhe emri im si kontribues në studimin e faunës së Shqipërisë.
Falë profesorit tim, Kastriot Misjes, unë u bëra pionieri i parë për mbrojtje diplome në biologji, ndërsa profesori pionieri i parë ndër profesorët e tjerë që udhëhoqi një temë diplome me aq sukses.
Kanë kaluar gati 50 vite që atëherë. Një kopje e diplomës me 30 faqe ndodhet ende në bibliotekën time personale. Po aty kam edhe dy doktoratura të tjera të mbrojtura, një në Paris dhe një tjetër në Shqipëri, por nuk e di pse puna me pilivesat më duket si një gur i çmuar në karrierën time profesionale. Ndoshta kjo punë më futi në një botë tjetër, në atë botë që të tjerët e kanë të vështirë ta imagjinojnë.
Në ishim 80 studentë të atij kursi, por profesori më zgjodhi mua. Nuk e pyeta kurrë atë për motivin e zgjedhjes. Ai vazhdon të jetë ende shumë aktiv, por nuk kam ndërmend ta pyes. E rëndësishme për mua është se ai më hapi një shteg të ri dhe më la të kuptoja se bota e kërkimit është e bukur por gjitmonë kalon mes suksesit dhe dështimit. Shpikësi i madh T. Edison thotë se ka dështuar mijra herë, por prap se prap dështimet nuk i quan dështime, por përvoja që tregojnë mijra rrugë të pamundura që përjashtojnë mundësitë për ta bërë një gjë. Shumë të tjerë kanë pranuar se njeriu më shumë mëson nga dështimet e shumë me pak nga sukseset.
Ndërsa po shkruaja këto copëz kujtimi të viteve 1970-1971 më dukej se isha aty, pranë profesorit duke studiuar ende pilivesat. Gjithmonë pyes veten nëse me të vërtet ekziston koha, apo ajo është një shpikje e mendjes sonë për të treguar kronologjinë e dukurive. E shkuara nuk ka gojë, por duke shkruar ne mund të thyejmë heshtjen e saj.
No comments:
Post a Comment