Anëtarët e Rrjetit të Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër (Wildlife Albanian Photographers), Arian Mavriqi dhe Besnik Jakupi, kanë pasur fatin të fotografojnë Ujkun e Zi (Canis lupus), në rajonin e Kamenicës. Ujku i zi, konsiderohet si specie në zhdukje dhe është lloj unik dhe i rrallë për shkak të ngjyrës së zezë së qimes. Për këtë arsye gjuetia e tij në vendet e botës ku është i përhapur dhe po ashtu edhe tek ne ndalohet me ligj.
Në fakt Ujku i Zi, është variant melanik, i Ujkut Gri (Canis Lupus), që është i përhapur sidomos në Evropë. Shkencëtarët shpjegojnë se mutacioni melanik, është një mutacion i trashëguar që shfaqet me ndryshimin e ngjyrave në më të errëta, konkretisht të zezë, në organizmat që normalisht kanë tjetër ngjyrë.
Fotografi Arian Mavriqi, e vlerëson momentin e realizimit të fotografisë si shumë emocionues: “Ishte një ndër daljet tona fotografike rutinë në komunën e Kamenicës. Në momentin e parë emocionet ishin të papërshkruara! Ndërsa ai shikonte, si me dyshim, në drejtimin tonë arritëm të realizojmë disa shkrepje të njëpasnjëshme. Për fat të keq ky lloj ujku, i rrallë, kërkohet shumë nga gjuetarët e papërgjegjshëm dhe në tregun e zi. Do të ishte humbje e madhe për natyrën e trojeve shqiptare. Shpresojmë në vetëdijësimin e shoqërisë që të ruhen këto pasuri tonat sepse një bukuri të tillë në vendet e tjera munden vetëm ta ëndërrojnë".
Ndërsa fotografi Besnik Jakupi i ka konsideruar si momente magjike aktin e fotografimit: “Ishte herët , rreth orës gjashtë të mëngjezit, ora kur bashkë me mikun dhe kolegun, Arian Mavriqi, dalim zakonisht për të fotografuar jetën e egër. Papritmas pamë diçka që u fsheh në mes arave me misër. Fillimisht kujtuam se ishte një qen apo diçka e tillë. Duke kontrolluar në zonën ku ishte fshehur, dalluam se përmasat, ngjyra dhe mënyra si por reagonte kundrejt nesh, nuk ishin të zakonshme për një qen. Arritëm të afrohemi deri në distancën diçka rreth 30 -40 metër. Vetëm atëherë krijuam bindjen se kishim të bëjmë me të ashtuquajturin Ujku i Zi. Bindje që u përforcua më pas, nëpërmjet fotografive dhe video-s që arritëm të realizonim në ato momente magjike"!
Evidentimi dhe fotografimi i Ujkut të Zi është një tjetër sukses që vjen si rezultat i punës së palodhshme të Rrjetit të Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër (Albanian Wildlife Photographers), që po bën në vijimësi evidentimin e specieve të natyrës së egër në trojet shqiptare.
Foto: Arian Mavriqi, Albanian Wildlife Photographers
No comments:
Post a Comment