Tuesday, September 1, 2020

A është ky lumi më i bukur në botë?

Kanjo Kristales (Caño Cristales në gjuhën lokale, Crystal Channel në anglisht), ose ylberi që rrjedhë, është një lumë i vendosur në Serrania de la Macarena të krahinës Meta në Kolumbi, dhe është degë e lumit Guayabero. Lumi zakonisht quhet "Lumi i Pesë Ngjyrave" ose "Ylberi i Lëngshëm" dhe shquhet për ngjyrat e tij të mrekullueshme. Lumi shpesh është konsideruar si ndër më të bukurit në tokë, madje National Geographic në një reportazh të tij e cilëson lumin si "Kopshti i Edenit". Shtrati i lumit nga fundi i korrikut deri në nëntor ka ngjyra të ndryshme si të verdhë, jeshile, blu, të zezë dhe veçanërisht të kuqe. Ngjyra e kuqe që dominon lumin vjen nga prania e bimës Macarenia clavigera (familja Podostemaceae) që jeton në shtratin e lumit, dhe që i jep ujit një pamje të bukur, duke e bërë sfondin e shtatit të lumit të duket magjepsës. 



Koha më ideale për të vizituar lumin dhe për tu kënaqur me pamjen e tij është stina e vjeshtës. Midis korrikut dhe nëntorit, myshqet, flora dhe kristalet ujore, si dhe bimët e kuqe, e mbajnë shkëmbin fort nëpër shtratin e lumit, duke formuar një sërë hije dhe spektre ngjyrash nën sipërfaqen e ujit. Hije të kuqe, blu, jeshile, të zezë dhe të verdhë e bëjnë lumin të duket si një ylber i lëngshëm dhe vendasit thonë se ngjyrat janë të dukshme sidomos pas stuhisë. Në pjesën tjetër të vitit, lumi ka kryesisht ngjyrë gri.


Përbërja e veçantë gjeologjike

E veçantë e lumit është edhe përbërja gjeologjike e tij, që vjen nga shkëmbinjtë e kuarcit të fushës Serrania de la Macarena të formuar afërsisht 1.2 miliardë vite më parë. Caño Cristales është një lumë me rrjedhje të shpejtë me shumë pragje dhe ujëvara. Gropa të vogla rrethore të njohura si kazanët gjigantë gjenden në shumë pjesë të shtratit të lumit. Kur të gjithë këta faktorë përzihen me jetën e bimëve të lumit, krijojnë peisazhe mahnitëse me një spektër të larmishëm ngjyrash. 


Biodiversiteti i rrallë dhe i larmishëm

Serranía de la Macarena ndodhet në kufirin e tre ekosistemeve të mëdha, secili prej tyre me larmi të lartë të florës dhe faunës: Andet, Pjesa Lindore e Llanos dhe Pyjet e Shiut të Amazonës. Jeta e bimëve dhe kafshëve që luftojnë me mungesën e lëndëve ushqyese në sipërfaqen e fortë të sedimentit shkëmbor kanë zhvilluar përshtatje të ndryshme bimore dhe shtazore. Bioma përfaqësuese e Serranía de La Macarena është pylli hidrofitik: i nxehtë, i ngrohtë dhe i ftohtë. Lumi dhe ekosistemi përreth tij është habitat i rreth 420 llojeve të zogjve, 10 llojeve të amfibëve, 43 specieve të zvarranikëve dhe tetë lloje të primatëve.


No comments:

Post a Comment