Sunday, August 30, 2020

Mrekullitë e bimës së Shtogut!

Shtogu (Sambucus nigra L.) është bimë shumëvjeçare, e cila rritet si kaçube ose si dru. Gjethet i ka pendore teke dhe të dhëmbëzuara jo njësoj. Lulet janë të bardha dhe të bashkuara në lulesë si mburojë, me aromë të këndshme. Lëvorja e kërcelli ka ngjyrë hiri e degët e reja kanë ngjyrë të gjelbër me lanticela. Fruti është i vogël, bërthamor, i zi. Lulëzon prej majit deri në korrik, që varet prej lartësisë mbidetare. Shtogu haset i vetmuar nëpër pyje, skaj pyjeve, skaj përrojeve, rrugëve dhe vendbanimeve. 


Shtogu është një nga bimët më të lashta të kësaj toke. Emri shkencor i shtogut që përdoret gjërësisht për motive mjekësore. Recetat mjekësore me bazë shtogu janë zbuluar që në kohët e Egjiptit të lashtë, por shumë historianë kanë rënë në gjurmët e aftësive shëruese të shtogut që në kohën e Hipokratit, Babait të Mjekësisë. Sipas Hipokratit, shtogu ishte një thesar i mirëfilltë falë aftësive për të shëruar një sërë problemesh mjekësore. Të gjitha qytetërimet e lashta kanë pasur të drejtë për përdorimet e shtogut si një prej barishteve më të fuqishme kundër virozave. 

Lulja e shtogut mblidhet në mot të mirë e të thatë në fillim të lulëzimit të bimës. Mblidhen mburoja të tëra. Nuk duhet të mblidhen lulesat prej të cilave bijnë lulet, sepse atëherë fitohet materie mjekësore me ngjyrë të errët. Lulesat mblidhen në shporta dhe nuk bën të shtypen. Duhet të thahen menjëherë, sepse nëse lulet e freskëta mbesin një kohë të gjatë në grumbull, nxihen. Lulesat thahen të tëra në shtresë të hollë në hijë, në vend të ajrosur, në tavan të ngrohtë, por më së miri është në tertore në temperaturë deri 40°C. 

Lulesat e thara kështu mund të siten në sita dhe bishtat të hudhen. Lula e shtogut pa bisht çmohet dhe kërkohet shumë. Lulet e thara duhet të mbesin me ngjyrë të bardhë në të verdhë dhe me erë të këndshme. Duhet të jenë të thara mirë ashtu që kur të shtrëngohen në grusht ose kur bëhen shuk, bëhen plis kur hapet dora. 


Fruti i shtogut mblidhet kur të piqet dhe të nxihet, por mblidhen krejt mburojat me fruta. Thahen së pari në temperaturë të rëndomtë, pastaj në tertore në temperaturë deri në 60°C. Pasi thahen, frutat hiqen prej bishtash. Fruti paqetohet në thasë të vegjël letre dhe jute dhe ruhet në vend të thatë e të ajrosur. 

Lulja e shtogut përmban materie të cilat shkaktojnë djersitje dhe përdoren kundër flamës dhe të ftohurave tjera. Fruti përdoret si mjet për pastrim, djersitje dhe urinim. 

Lëngu i të cilit konsiderohet si ari i lëngshëm. 

Vlerat shëndetësore të shtogut përfshijnë: shërimin e të ftohtit, virozave, sinozitit, dhimbjeve nervore, inflamacionit, lodhjes kronike, alergjive, konstipacionit, madje edhe kancerit. Nëse shtogu përdoret brenda 48 orëve të para të simptomave, atëherë ekstrakti i tij arrin të shkurtojë ndjeshëm kohëzgjatjen e gripit. Por nuk mbaron me kaq. Nëse flasim për fuqinë e antioksidantëve që përmban shtogu, atëherë duhet të dini se kjo bimë përmban më shumë flavonoidë se boronicat, manat goxhi, boronicat e kuqe dhe manaferrat. 


Lufton të ftohtin dhe gripin 

Shtogu forcon sistemin imunitar në mënyrë natyrale. Kokrrat e tij përmbajnë substanca kimike të quajtura anthocianidinë të cilat kanë efekte stimuluese të sistemit imunitar. Ekstrakti i shtogut është i sigurt në përdorim, efikas dhe një alternativë e lirë për të gjitha trajtimet e simptomave të gripit dhe të ftohtit. 

Kundër infeksioneve në sinuse 

Shtogu ka vlera të pakundërshtueshme kundër inflamacionit falë përmbajtjes së madhe të antioksidantëve. Infeksionet e sinusit shkaktohen nga inflamacioni i mukozës së rrugëve të frymëmarrjes. Kjo bimë që lufton virozat është premtuese si një kurë natyrale kundër këtyre infeksioneve. 

Ul sheqernat në gjak 

Lulja dhe kokrrat e shtogut janë përdorur tradicionalisht kundër diabetit. Studimet kanë konfirmuar se ekstraktet e shtogut stimulojnë metabolizmin e glukozës dhe sekretimin e insulinës, duke ulur kështu nivelet e sheqerit në gjak. 

Diuretik natyral 

Shtogu promovon lëvizjet e zorrëve dhe urinimin. Studimet kanë treguar se shtogu ose varieteti Sambucus ka një rol natyral diuretik, që do të thotë se stimulon urinimin. Mjekët rekomandojnë përdorimin e substancave diuretike kur organizmi ruan shumë lëngje. Një problem i tillë vërehet më shumë tek të rriturit dhe të moshuarit.
 

Mban lëkurën të shëndetshme 

Shtogu ka arritur të bëhet pjesë e industrisë së kozmetikës për shumë arsye. Bioflavonoidët dhe antioksidantët së bashku me vitaminën A, e bëjnë atë të jashtëzakonshëm për shëndetin e lëkurës. Studiuesit janë të mendimit që shumë prej përbërësve të shtogut ndihmojnë lëkurën të qëndrojë e shëndetshme. 

Lehtëson alergjitë 

Lulet e bimës së shtogut janë pjesë e kurave natyrale bimore kundër alergjive. Duke qenë se alergjitë e stërmundojnë sistemin imunitar dhe shkaktojnë inflamacione të ndryshme, shtogu kundërpërgjigjet duke e përmirësuar sistemin imunitar dhe qetësuar inflamacionin, rrjedhimisht duke lehtësuar alergjitë. Kur bëhet fjalë për të ftohtin, virozat dhe problemet e tjera me frymëmarrjen, duhet të përdorni shurupin e shtogut. 

Çaji i shtogut 

Eshtë një tjetër alternativë e sugjeruar për përdorim. Ju mund të blini çaj me bustinë ose të blini kokrrat dhe lulet e thata duke e përgatitur çajin vetë. Mjafton një lugë me kokrra ose lule të thata dhe një filxhan me ujë. Nëse nuk ju pëlqejnë çajrat e ngrohtë, atëherë përdorni lëngun e shtogut, që është i ëmbël dhe freskues.

No comments:

Post a Comment