Saturday, August 22, 2020

Nga sot toka në borxh ekologjik për 2020

Nga: Dr. Zeqir Veselaj, ligjërues i Edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës

Secili njeri jeton dhe operon me resurset që ka në dispozicion dhe bën balancimin mes nevojave, kërkesave dhe mundësive në jetën e tij. Ngjashëm operon edhe planeti ynë në raport me kërkesat e njerëzimit ndaj natyrës, por edhe të asaj se çka mund të ofroj natyra si burime.

Dita e Tejkalimit të Tokës (Earth Overshoot Day) për vitin 2020 është data 22 gusht. Kjo ditë, shënon datën kur kërkesa e njerëzimit për burime natyrore dhe shërbime ekologjike brenda një viti kalendarik tejkalon atë që ekosistemi Tokë mund të prodhon apo rigjeneron në terma biologjik brenda atij viti. Kjo nënkupton që prej kësaj date, Toka hyn në borxh ekologjik të vitit pasardhës. Nga sot, njerëzimi “merr hua” nga prodhimi natyror i vitit 2021. Një analogji për thjeshtëzim: llogariteni sikur pagën tuaj vjetore apo miellin e një viti si baza e ushqimit ditor, ta shpenzoni me 22 gusht. Si do jetoni muajt deri në fund të vitit?. Sigurisht duke marrë borxh, kredi apo hua. A mund të kemi qëndrueshmëri individuale e familjare kur më shumë shpenzojmë se sa gjenerojmë të hyra në baza vjetore?

Kjo ditë përcaktohet nga raporti matematikor i kërkesës së njerëzimit për resurse natyrore (ushqim, banim, energji, infrastrukturë, depozitim mbeturinash e karboni etj) gjatë një viti kalendarik e që njhet Gjurma ekologjike (Ecological Footprint) në njërën anë, dhe asaj se sa ekosistemi global prodhon resurse natyrore biologjike brenda po atij viti, e që njihet si biokapaciteti i Tokës. Pra se si balancohet kërkesa (gjurma ekologjike) dhe oferta nga natyra (biokapaciteti) brenda 365 ditëve?. Diferenca mes këtyre dy zërave e përcakton Ditën e Tejkalimit. Sipas trendit të tanishëm të mënyrës së jetës dhe shkallës së gjurmës ekologjike, njerëzimi aktualisht shfrytëzon 1.6 planete Tokë (e kemi vetëm një planet në dispozicion). Ky trend me mënyrën  e konsumit është në rritje progresive. 

Me 1970 kjo Ditë ishte 29 dhjetor dhe prej atij viti vjen duke “ecur” përpara. Sa më larg prej fundit të vitit “ikën” data, borxhi i njerëzimit rritet. Të gjitha përpjekjet për qëndrueshmëri të planetit, dhe që ai të mos kolapsoi duhet orientuar drejt asaj që Dita e Tejkalimit të jetë apo rikthehet sa më afër fundit të vitit dhe jo duke ju ofruar gjymës së tij tashmë. A mund të ndodh kjo kur njerëzimi po rritet, e bashkë me të nevojat për jetë ndërsa planeti ynë mbetet po ai. Disa praktika në shtete kanë treguar se po. Por kjo kërkon kontrollin dhe stabilizimin e presionit mbi resurset natyrore jo të ripërtritshme dhe atyre që përtrihen ngadalë, ruatjen e biodiversitetit global, zvogëlimin e mbeturinave të gjeneruara dhe uljen e kontrolluar të emitimeve ekcesive në atmosferë, hidrosferë dhe pedosferë. Resurset natyrore janë të kufizuara që është një problem dhe jo të shpërndara njësoj në gjithë botën,e që është problem dhe më i madh. Vendet e pasura shpenzojnë tepër edhe pse janë në borxh ekologjik, ndërsa vendet e varfëra edhe pse kanë biokapacitet të mirë vuajnë për resurse.

Mishi, kosto e lartë  për natyrën!

Çdo qenie e gjallë duhet të ushqehet që të siguroj energji për kryerjen e proceseve jetësore. Mënyra se si njerëzimi përmbush nga nevojat më themelore të ushqimit ndikon dukshëm në qëndrueshmërinë ekologjike të ekosistemit global. Shfrytëzimi i ushqimit lokal dhe  shmangia e ushqimeve shumë të përpunuara mund të ulë gjurmën ekologjike. Sa më i shkurtër të jetë zinxhiri ushqimor (nga ferma deri në pjatë), kostoja është më e ultë ndërsa siguria më e madhe. Në fakt dy janë çështjet kryesore kur adresohet qëllimi 2 i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm “Ushqimi i mjaftueshëm, kequshqyerja dhe uria” si: e para është (jo) efikasiteti i ushqimit shtazor dhe e dyta shpërdorimi i ushqimit.

Studimet tregojnë se kaloritë e mishit shtazor kërkojnë dukshëm më shumë burime natyrore për t`u prodhuar sesa kaloritë e ushqimit bimor. Duhen 14 herë më shumë tokë biologjikisht produktive për të prodhuar 1 ton mish gjedhi se sa për të prodhuar 1 ton grurë. Sa i përket kërkesës për ujë (gjurmës ujore), për prodhimin e 1 kilogram mishi të gjedhit shpenzohen mesatarisht 15,500 litra ujë. Ndërsa prodhimi i1 kilogrami grurë kërkon 1,300 litra ujë. Blegtoria globale është përgjegjëse për rreth 9% të të gjitha emetimeve të karbonit antropogjen në atmosferë. Kina me numrin më të madhe të banorëve në botë, është angazhuar që deri në vitin 2030 të zvogëlojë konsumin e mishit për 50% gjë  e cila do ta zhvendos prapa Ditën e Tejkalimit për 5 ditë. Kujtojani vetes sot se si është dieta juaj e mishit: një herë në ditë, dy herë, disa herë në javë apo çdo ditë. Krejt kjo e ka ndikimin e vet në gjurmën ekologjike individuale: se më shpesh hani mish, gjurma juaj (kërkesa) rritet dhe anasjelltas. Mishi i prodhuar lokalisht dhe më pak i përpunuar është më miqësor me mjedisin në krahasim me atë që importohet nga larg dhe që përpunohet. Nëse do të ulej për 50% konsumi global i mishit dhe të zëvendësohen këto me kalori bimore, Dita e Tejkalimit do lëvizte prapa për 17 ditë (plus 10 ditë nga ulja e emetimeve të metanit). A mund ta mendoni që ta bëni të njëjtën: ta përgjysmoni dietën tuaj javore të mishit duke e zëvendësuar me më shumë ushqim bimor, kërpudha etj. Nëse sot hani mish 7 herë në javë, provoni ta zbrisni këtë qoftë edhe në 4 herë. Një arsye më tepër për reduktim të përdorimit të ushqimit shtazor po pretendohet të jenë edhe pandemitë zoonotike, që nënkupton se patogjenët virusal barten përmes shtazëve siç duket se është edhe pandemia më e gjërë globalisht ndonjëherë e shkaktuar nga SARS Cov2 (Covid 19). Shumica e virusëve të rrezikshëm të dekadave të fundit, origjinën e kanë nga tregjet kineze të mishit të njohura si “wet markets”.

Sa shumë mbetje ushqimi!

Rreth 1/3 e ushqimit për konsum njerëzor të prodhuar në botë apo rreth 1.3 miliard ton çdo vit humbet ose hidhet si mbeturinë. Sipas FAO-s kaq është afërsisht sasia e ushqimit që shpërndahet në vendet e varfëra si ndihma. Sipas të dhënave, në SHBA rreth 40% e ushqimit shkon në mbeturina dhe kjo është ekuivalenti i gjurmës së përgjithshme ekologjike të Suedisë dhe Kolumbisë së bashku. Ushqimi mbeturinë përbën rreth 9% të gjurmës ekologjike globale. Sipas FAO-s, 1/3 e gjithë ushqimit vjetor të prodhuar globalisht mbetet nëpër fusha, në shtëpitë e njerëzve ose kudo tjetër në mes këtyre dyjave. Të dhënat e fundit tregojnë se më shumë të lashta kanë mbetur të kalben nëpër fusha gjatë pandemisë së Covid 19 krahasuar me të zakonshmen. Kjo ndodhi pasi sistemi global i shpërndarjes së ushqimit është ndërprerë nga izolimi dhe mbyllja e kufijve. Në përgjithësi frutat dhe perimet bashkë me zhardhokët (si patatja) kanë shkallën më të lartë të humbjes nëpër fusha (40-50%), drithërat (30%), peshku (35%), mishi dhe qumështi (20%). Qëllimi 12 i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm kërkon që deri në vitin 2030 të përgjysmohen mbetjet globale të ushqimit për kokë banori si dhe të zvogëlohen humbjet e ushqimit përgjatë zinxhirëve të prodhimit e furnizimit, përfshirë humbjet pas korrjes. Nëse përgjysmohen mbeturinat e ushqimit, Dita e Tejkalimit llogaritet se lëviz prapa për 13 ditë.

A ju kujtohet se si e leni pjatën kur e kryeni ushqimin tuaj: të zbrazët, me pak mbetje ushqim apo…? Skamja në Kosovë përpara ka ndikuar që njerëzit të kenë pak ushqim dhe asgjë pothujase s`ka mbetur në pjata. Madje edhe troshat e rëna nga sofra janë mbledhur me kujdes për t`ju hedhur shpendëve shtëpiake. Në dekadat e fundit nuk njihemi si njerëz me kulturë e moslënies së ushqimit në pjata. Kjo dukuri përmasa abuzive me ushqim merr gjatë banketeve, dasmave etj. Mentaliteti “po më kqyrin, nëse e ha gjithë ushqimin do më përqeshin, do mendojnë se nuk kam boll në shtëpi” e këso gjëra sa qesharake aq edhe banale. Nga disapora jonë kemi mësuar se në vendet ku jetojnë, t`ia lësh ushqimin në pjatë pa arsye mirret si fyerje. Madje edhe restauranteve. Thjeshtë ata hanë sa u duhet dhe nuk qajnë kokën se çka mendojnë të tjerët rreth tyre. Para disa javësh isha në një hotel bregdetar, ku shumica e pushuesve ishim kosovar (sikurse edhe pronari). Duke qenë aranzhmane me pansion të plotë, ishte e dhimbshme t`i shihje pjatat gjysëm të mbushura edhe pse ushqimi ishte me vetshërbim (tavolinë suedeze, pra merr sa të duhet). Kur kësaj i shtohet fakti se nuk kemi sistem të zhvilluar ku ushqimi i pashfrytëzuar të shpërndahet përmes shoqatave humanitare tek nevojtarët, pastaj që kompostimi si proces i riciklimit organik nuk është i zhvilluar, ato mbetje e rrisin ndjeshëm volumin e mbeturinave organike në kontejnerë dhe deponitë tona.

Këto që u diskutuan mund të duken abstrakte, të vogla dhe pa peshë në nivelin individual (çka qoj peshë unë në 7.4 miliard njerëz). Në raport me mjedisin, resurset natyrore dhe gjenerimin e mbeturinave secili veprim çon peshë, sado i vogël të jetë. Mënyra jonë e jetës përcakton marrëdhënien tonë ndaj mjedisit dhe resurseve natyrore. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të ushqehemi dobët, përkundrazi. Duhet të ushqehemi sa më shëndetshëm, të shpërdorim ushqimint sepse bashkë me të hudhen kot edhe shumë resurse natyrore, energji, ujë, punë njerëzore dhe më e rëndësishmja financa. 

Ndryshimi fillon nga secili individ. Nga secili nga ne!

Burimi i informacionit: https://rtklive.com/sq/news-single.php?ID=457046&fbclid=IwAR1X9gIuC6PZaQOxUawKdO9NW6OIe2ijMabqYupowztiCbHiec3b9OatBcQ

No comments:

Post a Comment