Saturday, August 22, 2020

Një metodë e re për monitorimin e emetimeve të gazrave të serrës në kohë reale

Si mund të dimë se cili shtet po emeton më shumë gazra të serrës, të cilat po e shkaktojnë ngrohjen globale? Si të bëhen vlerësimet se sa po arrihen qëllimet e Marrëveshjes së Parisit për klimën, për reduktimin e lirimit të këtyre gazrave në atmosferë?

Lajmi i mirë vjen nga koalicioni global Climate TRACE (Tracking Real-time Atmospheric Carbon Emissions). Pas këtij emri janë nëntë organizata të bashkuara dhe ish nënkryetari i SHBA-ve Al Gore, i cili kah mesi i korrikut në një njoftim për shtyp ka paralajmëruar për një projekt novator, i cili me ndihmën e inteligjencës artificiale, përpunimin e imazheve satelitor, mësimin e makinerive dhe teknologjitë e tjera të detektimit në distancë do të bëjnë monitorimin e emetimeve të gazrave ne efekte serre në kohë të afërt reale në të gjithë botën.

Si filloi e gjitha?

Vitin e kaluar, një grup jofitimprurës, duke përfshirë WattTime të Amerikës dhe Carbon Tracker të Britanisë, fitoi një grant prej 1.7 milion dollarësh nga kompania Google (Al Impact Challenge), duke propozuar të monitorojë emetimet në kohë reale nga të gjitha termocentralet në botë nga hapësira, duke përdorur algoritme të inteligjencës artificiale dhe imazhet satelitore. Përveç dhënies së kësaj shume parash, Google gjithashtu ka dërguar shtatë nga ekspertët e saj të punojnë me fituesit për gjashtë muaj për të ndihmuar që kjo ide e rëndësishme të bëhet realitet.

Menjëherë pas përhapjes së lajmeve për grantin e marrë, mbi pesëdhjetë organizata dhe shkencëtarë të tjerë ofruan ndihmën e tyre profesionale për të bërë monitorimin e emetimeve edhe më mirë dhe më të detajuar. Përveç organizatave të lartpërmendura dhe Al Gorit, i cili në të njëjtën periudhë shqyrtoi mënyrat e mundshme për të arritur qëllimet e përcaktuara nga Marrëveshja e Parisit, iu bashkuan edhe organizata jofitimprurëse Carbon Plan, Earthrise Alliance, Hudson Carbon, Ocean Mind, si dhe Rocky Mountain Institute dhe kompanitë Blue Sky Analytics dhe Hypervine, duke formuar Cimate TRACE-in, me ambicie shumë më të mëdha.

Anëtarët e koalicionit janë organizata të specializuara në përdorimin e të dhënave satelitore dhe inteligjencës artificiale për të monitoruar emetimet nga industri të ndryshme, duke filluar nga sektori i energjisë, përmes kompanive të naftës dhe gazit deri në bujqësi dhe transport ujor.

Përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të të dhënave, Climate TRACE dëshiron të përmirësojë më tej proceset ekzistuese dhe të fillojë matjen e drejtpërdrejtë të pothuajse të gjitha emetimeve globale të gazrave serrë në kohë reale.

Pse është i rëndësishëm ky monitorim?

Zbatimet e mundshme të një sistemi të tillë, i cili, në vend të vlerësimit të emetimeve të GHG-ve, siguron të dhëna reale dhe të azhurnuara, janë të shumta. Para së gjithash, mund të ndihmojë bashkësinë ndërkombëtare të kuptojë më mirë pse qëllimet e caktuara nuk u arritën, por gjithashtu të identifikojë vendet dhe arsyet ku rezultatet ishin më të mira se sa pritej dhe, së fundi, të përmirësojë strategjitë ekzistuese në luftën kundër ndryshimit të klimës.

Për shkencëtarët dhe inxhinierët që punojnë në zhvillimin e teknologjive që zvogëlojnë emetimet e gazrave serrë, sistemi mund të sigurojë kushtet për inovacione të përshpejtuar në pyllëzim, teknologjinë e energjisë së rinovueshme dhe mirëmbajtjen e rrjetit elektrik. Sektori privat, investitorët dhe industri të tëra do të kishin gjithashtu një pasqyrë transparente dhe një përgjigje të qartë për pyetjen nëse janë arritur reduktimet e synuara të emetimeve dhe nëse ato vërtet po shkojnë drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Do të mundësonte gjithashtu një vlerësim të pavarur dhe objektiv të progresit të zvogëlimit të emetimeve mee qëllim të respektimit të Marrëveshjes së Parisit, i cila mund të krahasohet me vlerësimin e vendeve që kryejnë vetë matjet, dhe përveç kësaj, sistemi mund të përdoret nga vendet që nuk kanë teknologji të përshtatshme për të përcjellë emetimet.

Pikërisht për shkak të transparencës publike, do të jetë shumë më e lehtë për shtetet të zbulojnë dhe sanksionojnë ndotësit që shkelin ligjet dhe rregulloret, ndoshta duke u përpjekur që këtë ta fshehin nga publiku.

Kur priten rezultatet e para?

Climate TRACE ka arritur të zhvillojë një prototip themelor funksional, dhe tani përqendrimi është në përsosjen e këtij sistemi. Siç është rasti me shumë projekte ku përdoret inteligjenca artificiale, sistemi do të përmirësohet vazhdimisht pasi të futen më shumë të dhëna dhe zhvillohen algoritme më të sofistikuara.

Sidoqoftë, grupi shpreson që versioni i parë të shfaqet në verën e vitit 2021, para Konferencës së njëzet e gjashtë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës (COP26), e cila është planifikuar për nëntorin e vitit 2021, në Glasgou, Skoci. Nëse me të vërtetë do të kemi qasje në të dhënat globale të emetimeve në kohë reale, atëherë e është e mundur që më në fund do të shohim ndryshimin e tonit dhe drejtimit në negociatat ndërkombëtare.

Burimi i informacionit: https://www.climatetrace.org/ 

No comments:

Post a Comment