Më shumë se 40 për qind e specieve të insekteve
mund të zhduken në dekadat e ardhshme, ka paralajmëruar një studim i ri.
“Rënia mbarëbotërore e entomofaunës: Përmbledhje e
shtytësve të saj”, shkruar nga Francisco Sanchez-Bayo në Universitetin e
Sidneit dhe Kris Wyckhuys në Akademinë e Shkencave Bujqësore të Kinës, zbuloi
se një e treta e llojeve të insekteve janë nën kërcënim dhe rënia në numrin e
tyre mund të ketë efekt “katastrofik” në Tokë.
Studimi, i botuar në revistën Biological
Conservation, tha se shkalla e zhdukjes së insekteve është 2,5 përqind në vit,
duke sugjeruar se ato mund të zhduken brenda një shekulli.
Shkencëtarët paralajmëruan se humbja e habitateve
natyrore, përdorimi i pesticideve dhe plehrave në ferma dhe emetimet nga
fabrikat dhe qytetet janë “shtytësit kryesorë” të rënies së numrit, ndërsa
speciet pushtuese dhe ndryshimet klimatike janë shkaqe shtesë.
Hulumtimi theksoi se shkalla e zhdukjes së
insekteve është tetë herë më e shpejtë se ajo e zogjve, gjitarëve dhe
zvarranikëve, duke shtuar se Lepidoptera, një rend i insekteve që përfshin
flutura dhe molat, Hymenoptera, që përfshin grenzat, bletat dhe milingonat, dhe
Coleoptera, që përfshin brumbullin e plehrave, janë llojet më të prekura.
Insektet, burim ushqimi për shumë lloje të tjera, si zogjtë dhe gjitarët, janë me rëndësi të veçantë për ekosistemet e tokës dhe kafshët e egra. Shkencëtarët kanë kërkuan veprim të shpejtë për të parandaluar zhdukjen në masë.
No comments:
Post a Comment