Pasi kaloi verën për dy vjet në Arktik duke vëzhguar
arinjtë polarë, një ekip kërkimor përshkruan mbijetesën në një mjedis të
ndryshueshëm ku akulli i detit po shkrin më me shpejtësi nga ç’ishte
parashikuar. Studimi në revistën Science paraqet një të ardhme të zymtë
për këtë kafshë, nëse nuk bie sasia e çlirimit të gazit në ajër.
Arinjtë polarë e përdorin akullin e detit si platformë për
të gjuajtur. Por, ndërsa ky habitat tkurret nga ngrohja, arinjtë nuk kanë qasje
tek ushqimi për periudha të gjata kohe.
“Me shkurtimin e sezonit pranveror të gjahut, zgjatjen e sezonit të verës në një kohë kur janë të paushqyer mirë dhe ndërsa hasin vështirësi për të gjetur ushqim në dimër, arinjtë polarë janë të stresuar fiziologjikisht”, thotë Merav Ben David e departamentit të zoologjisë, në Universitetin e Uajoming.
Duke udhëtuar në akull, studiuesit e Universitetit të
Uajoming kapën mbi 12 arinj, duke iu marrë kampione gjaku dhe duke përdorur
sensorë për të matur temperaturën. Ata vëzhguan arinjtë në akull dhe në tokë
për dy vjet.
Kërkime të mëparshme linin të kuptohej se arinjtë
kompensojnë në një farë mase mungesën e ushqimit në verë duke bërë gjumin e
dimrit duke ecur, duke ngadalësuar aktivitetin e metabolizmin në nivelin e asaj
që bëjnë arinjtë në dimër.
Ne arritëm në përfundimin se arinjtë polarë, ashtu si
kushërinjtë e tyre më të afërt, arinjtë e murrmë, nuk janë në gjendje të ulin
ritmin e metabolizmit në nivelin e dimërimit. Prandaj koha që ata mund të
përballojnë pa u ushqyer në verë, është e kufizuar,” thotë
zonja David.
Kështu, thotë ajo, ata nuk mund të ruajnë aq shumë energji
sa ç’mendohej më parë. Në një artikull në revistën Science, autorët
thonë se duhet vepruar.
“Nëse duam të jemi qytetarë të përgjegjshëm të planetit, duhet të bëjmë të pamundurën, që të frenojmë, të kthejmë mbrapsht prirjen për shkrirjen e akullit”.
Kjo do të thotë që të pakësohet çlirimi i gazeve që po ngrohin planetin dhe
po sjellin gradualisht zhdukjen e ariut polar.
No comments:
Post a Comment