Ndotja e lartë e ajrit si për shembull me grimcat e ngurta çon sipas një studimi të Agjencisë së BE për Mjedisin (EEA) në një vdekje të parakohshme të më shumë se 1200 fëmijëve dhe të rinjve në BE dhe vende si Zvicra, Norvegjia, Islanda, Lichtenshtajni e Turqia. Përveç kësaj ajo rrit rrezikun për sëmundje të tjera të mëvonshme në jetë, sipas raportit të EEA. Autorët e studimit kërkojnë të bëhet me shumë për mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat negative të ndotjes së ajrit, deklaroi autoriteti i EEA, që e ka selinë në Kopenhagë. Megjithë përmirësimet në vitet e kaluara ende ndotja me lëndë të ndryshme në shumë vende mbetet mbi vlerat e lejuara të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sidomos në Evropën Lindore-Qendrore dhe Itali.
Rrugë e gjatë
Arsyeja kryesore për ndotjen me grimcat e imta të ngurta
është djegia e lëndëve si qymyri për ngrohjen dhe tek industria. Krahas vlerave
të larta të grimcave ndotëse, problematike mbeten edhe vlerat e larta të
ozonit dhe dioksidit të azotit, sipas Agjencisë së BE. Nga këto vlera
rrezikohen sidomos fëmijët sepse organet e tyre dhe sistemi imunitar janë ende
në zhvillim e sipër. Drejtori ekzekutiv i EEA, Hans Bruyninckx tha se, të
gjithë evropianët duhet të mbrohen nga ndotja, por në radhë të parë fëmijët. Ai
kërkoi me urgjencë forcimin e masave në nivel kombëtar dhe lokal "për të
mbrojtur fëmijët tanë, që nuk mund të mbrojnë veten". Është një rrugë e
gjatë deri tek ajri vërtet i pastër, ka theksuar Hans Bruyninckx.
Reduktimi i ndotjes në burimin e vet
"Ne nuk mund t'i trajtojmë fëmijët si të rritur të
vegjël, kur bëhet fjalë për rreziqe mjedisore dhe ndotje të ajrit", është
shprehur një ekspert i EEA-së, Gerardo Sanchez. Ata kanë ndër të tjera një
frekuencë më të lartë të frymëmarrjes, marrin frymë më shumë përmes gojës, dhe
kanë një peshë më të vogël. Biologjia e tyre është ndryshe, por edhe mënyra se
si ata janë të ekspozuar ndaj ndotjes së mjedisit. Potencialisht kjo mund të
sjellë rreziqe të mëdha, me pasoja të rënda për shëndetin.
Për të mbrojtur fëmijët duhet të reduktojmë ndotjen e ajrit
në burimin e saj, në trafik, tek industria dhe tek ngrohja, ka thënë Sanchez.
Një masë e mirë është kujdesi për cilësinë e ajrit rreth shkollave e kopshteve,
përmes shtimit të hapësirave të gjelbra.
Disa qytete në Evropë ia kanë dalë megjithatë të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e ajrit. Qytetet me ajrin më të pastër në Evropë, matur kjo në shkallën e ndotjes së grimcave, janë Faro në Portugali dhe Umeå dhe Upsala në Suedi, sipas një krahasimi mes 375 qyteteve evropiane. Gjermania ndodhet në nivelin mesatar për sa i përket ndotjes me grimcat, kurse për shkak të trafikut të madh rrugor ka vlerat më të larta në drejtim të ndotjes me dioksidin e azotit.
No comments:
Post a Comment