Shitjet e veturave elektrike në mbarë botën do të rriten me 35% këtë vit për të arritur në 14 milion dhe do të zgjerojnë pjesën e tyre në tregun e përgjithshëm të veturave në 18%, të nxitura nga programet e fuqishme të mbështetjes në ekonomitë e mëdha, sipas një raport të ri nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA). Raporti vjetor i IEA-s i titulluar ‘Perspektiva globale e automjeteve elektrike’ tregon se më shumë se 10 milionë vetura elektrike u shitën në mbarë botën në vitin 2022, një rritje rekord prej 55 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Numri i përgjithshëm i veturave elektrike në rrugë arriti në 26 milionë pas rritjes rekord të vitit të kaluar. "Veturat elektrike janë një ndër forcat lëvizëse në ekonominë e re globale të energjisë që po shfaqen me shpejtësi dhe ata po sjellin një transformim historik të industrisë së prodhimit të veturave në mbarë botën", tha në raport Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i IEA-s.
Sipas tij, trendet që po dëshmojnë kanë implikime të rëndësishme për kërkesën globale të naftës. "Motori me djegie të brendshme ka mbetur i pakrahasueshëm për më shumë se një shekull, por veturat elektrike po ndryshojnë ‘status quo’-në. Deri në vitin 2030, ato do të shmangin nevojën për të paktën 5 milionë fuçi të naftës në ditë. Veturat janë vetëm vala e parë, autobusët dhe kamionët elektrik do të vijnë së shpejti", tha Birol.
Të dhënat tregojnë se shumica e shitjeve të veturave
elektrike deri më sot janë të përqendruara në Kinë, Evropë dhe SHBA. Vitin e
kaluar, Kina përbënte rreth 60 për qind të shitjeve globale të veturave
elektrike dhe gjithashtu përbën mbi 50 për qind të të gjitha veturave elektrike
në rrugët e botës, me një total prej 13,8 milionë vetura elektrike.
"Kjo rritje e fortë rezulton nga më shumë se një dekadë
e mbështetjes së qëndrueshme të politikave për adoptuesit e hershëm, duke
përfshirë një zgjatje të stimujve të blerjeve të planifikuara fillimisht për
t'u larguar në vitin 2020 deri në fund të 2022 për shkak të COVID-19, përveç
mbështetjes jo financiare të tilla si hapja e shpejtë e infrastrukturës së
mbushjes dhe politikat e rrepta të regjistrimit për veturat jo elektrike",
tha IEA në raport.
Pjesa e shitjeve të veturave elektrike në totalin e shitjeve
të veturave të Kinës arriti në 29 për qind vitin e kaluar, nga 16 për qind në
vitin 2021.
Evropa dhe SHBA-ja përbëjnë 35 për qind të shitjeve të
veturave të reja elektrike
Evropa mbetet tregu i dytë më i madh në botë i veturave
elektrike pas Kinës, duke përbërë 25 për qind të të gjitha shitjeve të veturave
elektrike në vitin 2022 dhe 30 për qind të stokut global.
Vitin e kaluar, kontinenti evropian regjistroi një rritje
prej 15 për qind në shitjen e veturave elektrike, duke arritur në 2,7 milionë.
Pjesa e shitjeve të veturave elektrike u rrit në 21 për qind vitin e kaluar nga
18 për qind në vitin 2021.
Gjermania ishte tregu më i madh në Evropë me 830 mijë
regjistrime të veturave të reja elektrike në vitin 2022, e ndjekur nga
Mbretëria e Bashkuar me 370 mijë dhe Franca me 330 mijë. Spanja regjistroi mbi
80 mijë vetura të reja elektrike. Megjithatë, shitjet e veturave elektrike në
Itali ranë në 115 mijë vitin e kaluar, respektivisht nga 140 mijë të regjistruara
në vitin 2021, përderisa ato gjithashtu shënuan ulje në Austri, Danimarkë dhe
Finlandë. Shitjet e veturave të reja elektrike në SHBA afruan në 1 milion, duke
përbërë 10 për qind të rritjes globale të shitjeve të veturave elektrike. Stoku
i përgjithshëm i veturave elektrike në SHBA arriti në 3 milionë pasi pjesa e
shitjeve të veturave elektrike në vitin 2022 ishte 8 për qind e shitjeve totale
të veturave.
Shitjet e veturave elektrike në Turqi pothuajse
dyfishohen
Turqia regjistroi rreth 7.500 regjistrime të veturave të
reja elektrike në vitin 2022, pothuajse duke dyfishuar shitjet krahasuar me
vitin 2021. Stoku i përgjithshëm i veturave elektrike në vend arriti në mbi 16
mijë pas rritjes së vitit të kaluar. Pjesa e veturave elektrike në tregun total
të veturave të Turqisë ishte 1 për qind në vitin 2022. Turqia synon të prodhojë
1 milionë njësi të brendit të parë të veturave indigjene TOGG deri në vitin
2030. TOGG filloi me shitjen e modelit të saj të parë T10X në tregun vendas dhe
planifikon të dorëzojë 20 mijë vetura elektrike brenda këtij viti.
Shitjet e tremujorit të parë të këtij viti u rritën me 25
për qind në mbarë botën
Në tremujorin e parë të këtij viti, shitjet globale të
veturave elektrike u rritën me 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të
vitit 2022, duke arritur në 2,3 milionë. Ky numër parashikohet të arrijë në 14
milionë deri në fund të vitit.
"Programet ambicioze të politikave në ekonomitë
kryesore si paketa ‘Fit for 55’ në Bashkimin Evropian (BE) dhe Akti i
Reduktimit të Inflacionit në SHBA pritet të rrisin më tej pjesën e tregut për
veturat elektrike këtë dekadë dhe më tej", thuhet në raportin e IEA-s.
Paralelisht me politikat më të fortat, pjesa mesatare e
veturave elektrike në shitjet totale në të gjithë Kinën, BE-në dhe SHBA-në do
të rritet në rreth 60 për qind deri në vitin 2030.
Derisa tregu në rritje i veturave elektrike po rrit kërkesën
për prodhimin e baterive, raporti i IEA-s thekson se projektet e shpallura të
prodhimit të baterive do të ishin më se të mjaftueshme për të përmbushur
kërkesën për vetura elektrike.
"Megjithatë, prodhimi mbetet shumë i përqendruar, me Kinën që dominon tregtinë e baterive dhe komponentëve dhe rrit pjesën e saj të eksporteve globale të veturave elektrike në mbi 35 për qind vitin e kaluar", paralajmëroi IEA, duke theksuar nevojën për përmirësimin e konkurrencës në rajone të tjera.
No comments:
Post a Comment