Sunday, July 3, 2022

Pyjet në kulturën tonë tradicionale!

Natyra ka qenë, është dhe gjithmonë do të mbetet pjesë e pandashme e njeriut. Natyra është çelësi i zhvillimit të jetës në Tokë dhe vetë burimi i jetës. Natyra na mundëson të thithim oksigjen, të kemi qasje në burime të ujit të pijshëm dhe ushqim, na shërben si strehë, vend paqeje e qetësie, vend i të qenurit vetvetja. Pra, çdo gjë që ka të bëjë me njeriun dhe jetën e tij në Tokë sillet rreth nënës natyrë. Populli shqiptar njihet për legjendat e shumta që i kanë përcjellur brez pas brezi. U janë qëndruar besnikë dhe ato kanë qenë pjesë e jetës së tyre të përditshme. Legjendat janë gojëdhëna që janë bartur prej një gjenerate në tjetrën dhe në popullin tonë kemi të shumta të cilat janë ruajtur me shumë zell. Tregimet dhe historitë që përcillen përmes tyre janë zakonisht për personazhe apo ndodhi që i karakterizon fuqia e mbinatyrshme. Legjendat kanë pasur ndikim të madh te populli shqiptar duke u bërë kështu pjesë e kulturës së tyre. Legjendat shqiptare janë të pasura me tema të larmishme, legjenda që me të vërtetë e shfaqin karakterin, besën dhe virtytet e popullit tonë. 

Megjithatë, në këtë artikull do të fokusohemi në ato legjenda që tregojnë lidhshmërinë e popullit shqiptar me malësi, pyje e natyrë, kujdesit të tyre ndaj pyjeve dhe bestytnive në lidhje me mbrojtjen e pyjeve dhe natyrës në përgjithësi.

Ka shumë legjenda që tregojnë madhështinë dhe ‘magjinë’ e hapësirave të pasura me pyje, ka legjenda që tregojnë se prerja e pyjeve apo dëmtimi i pasurive natyrore konsiderohej mëkat i rëndë dhe se veprimet e tilla sillnin fatkeqësi. Ka të tjera në të cilat flitet për lisa që konsideroheshin të shenjtë dhe kështu populli është kujdesur për ta. Ndër legjendat më të njohura janë Vildasusi, Mrize e Burime, Ora e Maleve, Lisi i Artë dhe Bjeshkët e Nemuna.

Figura e Vildasusit është konsideruar hyjni dhe me rëndësi të madhe për Ilirët. Ishte perëndi që i mbronte pyjet, fushat dhe burimet. Gruaja e tij ishte Thana dhe të dy adhuroheshin më shumë nga fisi i Dalmatëve, të cilët merreshin me blegtori. Sipas mitografëve, Vildasusi ka tipare pothuajse te njëjta me Silvan, që në kulturën romake ishte ruajtës i pyjeve, burimeve dhe fushave, ndërsa Thanës i kanë dhënë atribute të hyjneshës romake Diana. Kështu, figura e Vildasusit-Silvanit ka gjetur vend edhe në trojet romake, gjë që tregon ndikimin e popullit ilir edhe jashtë kufijve të Ballkanit.

Mrize e burime. Fjalori i Gjuhës Shqipe e definon fjalën mriz si “vend me hije, ku kalon vapën bagëtia”. Për më shumë, Mark Titra e shpjegon mrizin si “banesë natyrore mbrojtëse nga rrezet përvëluese të diellit të verës, si vende çlodhjeje”. Sipas të moshuarve të vendit tonë, mrizet bëheshin te paprekshme kur bagëtia kalonte kohën aty për më shumë se 2 vite në radhë. Populli besonte së nëse në këto hapësira hijesh do të priteshin pyjet, atëherë personit që do t’i priste ato, do t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi. Kështu, nuk lejohej të pritej as edhe një degë e vetme e ndonjërës prej pemëve dhe konsideroheshin si vende të shenjta.

Legjenda e Orës së Malit. Ora e malit është figurë me fuqi mbi natyrore që jeton në pyje, male, fusha, burime. Ajo iu sjellë fat të mirë njerëzve të mirë dhe iu sjellë fatkeqësi njerëzve të këqinj. Sipas Mark Titra, Ora e Malit “ka marrë tipare të Zanave, pra të hyjnive të maleve”.

Lisi i Artë. Legjenda e Lisit të Artë tregon se prerja e këtij lisi konsiderohej mëkat i rëndë. E kështu filani kishte vendosur ta ndërtonte shtëpinë e tij mu aty afër këtij lisi. E kishte ndërtuar shtëpinë mirëpo më pas e kishte ftuar një person tjetër që ta priste trungun e lisit pasi që vetë nuk guxonte ta bënte një gjë të tillë. Kështu, kur ky personi i kishte bërë goditjen e parë këtij lisi, i ishte kërcyer një bolshkë dhe i kishte rënë mu në sy, duke e vërbuar menjëherë. Dhe kështu, ishin përhapur fjalët që nga mëkati që ai kishte bërë, si ndëshkim ishte vërbuar nga lisi. Dhe kështu, kjo legjendë u përcoll tutje, me besimin se prerja e këtij lisi do të ngjallte fatkeqësi te secili që do të provonte ta dëmtonte apo ta priste.

Sa i përket Bjeshkëve të Nemuna, shumë njerëz janë kurioz të dijnë se pse këto bjeshkë quhen të tilla. Në artikullin Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”?, Mehmet Elezi erdhi në përfundim që ky term, të Nemuna, është i përkthyer nga gjuhët sllave, përkatësisht nga fjala prokletija. Si fillim, përdorej vetëm si nofkë e pastaj filloi të përdorej më shumë, derisa filluan te njheshin ashtu kudo. Kështu, ky term filloi të përdorej edhe në harta të Evropës. Pastaj, me ardhjen e pushtetit te komunistëve në Shqipëri, ky term u shqipërua krejtësisht. Filloi të përdorej kudo, si në shkolla e institucione të tjera publike. Popullsia shqiptare e pranuan këtë term edhe pse nuk e dinin prejardhjen e tij. Megjithatë edhe ata që e dinin, nuk mund të bënin gjë sepse çdo kundërshtim do t’iu kushtonte. Veer shtoi tutje që pasi këto bjeshkë kanë karakteristika të ngjajshme me alpet e Evropës, atëherë t’i quajmë “Bjeshkët Shqiptare” apo “Bjeshkët e Veriut”.

Në këto legjenda të vjetra e shohim se populli shqiptar ka qenë mjaft i lidhur me besimin e tyre qe i ka quar në mbrojtje të hapësirave të çmuara natyrore. Janë treguar të kujdesshëm që të mos e shqetësojnë nënën natyrë. Por, tani të dhënat e shumta tregojnë që niveli i prerjes së pyjeve në Kosovë është marramendëse dhe jashtë kontrollit.

Pyjet në Kosovë zënë një sipërfaqe të madhe me rreth rreth 41% të territorit. Këto zona fillojnë prej zonave më të ulëta të lartësisë mbidetare (nën 300m) dhe shtrihen deri në zonën alpine (mbi 2000m lartësi mbidetare). Ato kanë një përbërje floristike të begatshme, të cilat përfaqësojnë rreth 25% te florës së Ballkanit dhe asaj të Evropës. Rajoni me shumëllojshmërinë më të lartë është rajoni i Maleve te Sharrit dhe Alpeve Shqiptare. Këto resurse të pasura natyrore të vendit tonë janë të prekura dukshëm nga shpyllëzimi i pakontrolluar çdo vit, si rezultat i kësaj dukurie në parqet kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, kanë mbetur 59.600 ha pyje, nga total 115.957 ha sa është e gjithë sipërfaqja e tyre.

Burimi i informacionit: https://sq.slkosova.org

No comments:

Post a Comment