Sunday, July 3, 2022

Çfarë është shpyllëzimi dhe cilat jane trendet?

Shpyllëzimi i referohet zvogëlimit të zonave pyjore apo prerjes grupore të drunjëve, të cilat më pas kthehen në përdorim jo – pyjor. Zakonisht këto hapësira pastaj përdoren për toka bujqësore, ferma apo shfrytëzohen për përdorim urban. Ky fenomen është përshpejtuar shumë viteve të fundit nga aktivitet njerëzore në Kosovë, i cili ka ndikuar negativisht në ekosistemet natyrore, biodiversitetin dhe klimën. Pyjet kanë qenë qysh herët burim i rëndësishëm natyror, mirëpo sipas të dhënave të publikuara nga Sustainability Leadership Kosova, si rezultat i shpyllëzimit kemi humbje të këtyre burimeve me mbi 1 hektarë hapësirë pyjore çdo ditë në Kosovë. Nëse vazhdohet me këtë trend të humbjeve të sipërfaqeve pyjore, pritet që deri në vitin 2035 sipërfaqet pyjore të vendit tonë të jenë jashtë funksionit të tyre primar, e cila do të lë gjurmë të pakthyeshme në natyrë.

Shkaqet e shpyllëzimit: Pse po ndodh shpyllëzimi?

Shkaktarët kryesorë të shpyllëzimit janë bujqësia, urbanizmi, përdorimi i drurit në masë të pakontrolluar, prerjet ilegale dhe ndryshimet klimatike.

Bujqësia – është shkaktari numër një i shpyllëzimit (rreth 70-80%), ku 33% e shpyllëzimit është e shkaktuar nga bujqësia lokale në vendet të cilat janë në zhvillim e sipër. Bujqësia industriale apo komerciale shkakton rreth 40% të humbjeve të pyjeve, të cilat vazhdimisht janë në kërkim të hapësirave për të rritur ushqimin e lidhur me metoda të ndryshme tradicionale që përdoren për zhvillimin e bujqësisë, si prerja dhe djegia e pyjeve për të kultivuar produkte të ndryshme ushqimore në to. Metoda e zjarrvënjes së qëllimshme përdoret edhe në Kosovë, dhe shpeshherë ka ndodhur që zjarret e qëllimshme të dalin jashtë kontrollit dhe të shkaktojnë dëme të mëdha edhe në vendet ku nuk do të duhej të shpërndaheshin. Duhet të përmendim që një faktor tjetër është edhe blegtoria e cila kontribuon në shpyllëzim si rezultat i nevojave që dalin me rritjen e numrit të bagëtive dhe kultivimin e ushqimit të tyre.

Urbanizimi dhe ndërtimet e reja infrastrukturore poashtu kanë nxitur humbjen e pyjeve përmes: transportit, zhvendosjes dhe rritjes së popullsisë nga zonat rurale në zona urbane – e cila po qon në rritje eksponenciale të vendeve të banimit dhe konsumit. Si rezultat këto fenomene sfidojnë kufijtë natyror që i rrethojnë, duke çuar shpesh në shpyllëzime të mëdha.

Për shkak të përdorimit të madh të masës drunore në ndërtimtari, industrinë e drurit dhe si lëndë djegëse për ngrohje, prerjet ilegale janë bërë praktikë shumë e shpeshtë dhe e përhapur gjithandej. Kjo ka ndikuar në zhvillimin e madh të rrjeteve të ndryshme biznesore të cilat çdo vit shkatërrojnë pyjet në masë të madhe për përfitime ekonomike personale, pa pasur konsideratë për natyrën.

Faktor tjetër i shpyllëzimit është edhe ndryshimi klimatik, i cili vie si rezultat i rritjes së vazhdueshme të temperaturave dhe që shkakton zjarre në shumë zona pyjore, një efekt i cili ndikon në të ardhmen e përbërjes së drunjëve dhe në humbjen e pyjeve. Andaj ruajtja e pyjeve është një prej formave që do të ndihmonte në mbajtjen konstante të ndryshimeve klimatike, ndërsa në të kundërtën nëse vazhdojmë që t’i shkatërrojmë, humbja e pyjeve do të jetë faktor që do të ndikojë në rritjen e këtyre ndryshimeve. Mungesa e drunjëve ndikon që edhe një sasi e madhe e gazrave serrë të lirohet në atmosferë. Pyjet e shëndetshme thithin dioksidin e karbonit nga atmosfera, ndërsa zonat e shpyllëzuara do të humbasin këtë aftësi.

Efektet e shpyllëzimit – Si ndikon shpyllëzimi në mjedis?

Humbja e biodiversitetit – Biodiversiteti përfshinë shumëllojshmërinë e jetës në planetin tonë! Por, shkatërrimi i pyjeve po ndikon në humbjen e habitateve dhe specieve të ndryshme të cilat kanë shtëpi të tyre pyjet dhe rrjedhimisht do të ndikojë në reduktimin e këtyre vlerave të pazëvendësueshme natyrore.

Erozioni – është një proces i përhapur gjithandej në Kosovë, për shkakun që mbrojtja natyrale që vjen përmes pyjeve është minimale. Aty ku është i degraduar pylli, ka gjasa të mëdha që të ketë edhe erozion. Duhet pasur shumë kujdes sidomos në mbrojtjen e pyjeve në zona të larta dhe të pjerrëta pasi që ato janë të pasura me lëndë organike, por edhe më rezistente ndaj erozionit dhe motit të keq. Në këtë rast, shpyllëzimi do të ndikojë që toka të dobësohet, duke e lënë zonën më të prekshme ndaj fatkeqësive natyrore si rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet. Erozioni luan rol edhe në redimentet gjithnjë më të ulëta të ushqimit, tokat që përdoren për prodhimin e ushqimit janë të ndikuara rëndë nga erozioni si rezultat i shpyllëzimit në masë të madhe.

Pyjet janë poashtu burim i pashtershëm i bimëve mjekësore, një vlerë e rëndësishme pasi që rriten bimë të cilat kanë veti shëruese në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Shumica e këtyre bimëve janë edhe pjesë e traditës tonë, në përgaditjen e cajrave që kanë veti të larta ushqyese.

Çfarë mund të bëjmë ne për ta ndaluar shpyllëzimin?

Pra si mund të ndihmojmë në ndalimin e shpyllëzimit dhe ruajtjen e vlerave natyrore që posedojnë këto hapësira kaq të rëndësishme për ne?

Lëvizje të ndryshme në gjithë botën janë duke punuar çdo ditë për të ruajtur ekosistemet ekzistuese pyjore dhe për të ripyllëzuar hapësirat të cilat janë prekur nga degradimi dhe shkatërrimi i pyjeve. Pra, pyjet mund të restaurohen duke mbjellur pemë në zonat të cilat janë pastruar ose thjesht duke lejuar ekosistemin pyjor të rigjenerohet me kohën. Pjesë e kësaj lëvizje mund të jeni edhe ju, duke u bashkuar në fushatën #MoseMerrMalin, që ka për qëllim kryesor ndalimin e shpyllëzimit dhe ruajtjen e pyjeve në Kosovë. Në muajin Qershor, SLK do të zhvillojë dy kampanja për ngritje të fondeve në rigjenerimin e pyjeve në Kosovë, dhe në to ju mund të kontribuoni si dashamirës të natyrës.

Përdorimi i praktikave të qëndrueshme është gjithmonë ide e mirë, si përdorimi i produkteve të recikluara dhe më pas t’i recikloni ato. Bleni produkte druri të certifikuara.

Së bashku mund ta bëjmë ndryshimin duke mbështetur kompani, organizata dhe kampanja të cilat janë të përkushtuara për të reduktuar shpyllëzimin.

Rritni ndërgjegjësimin në rrethin tuaj dhe komunitetin tuaj.

Për më shumë pyje nesër sesa ka sot!

Burimi i informacionit: https://sq.slkosova.org

No comments:

Post a Comment