Sunday, April 17, 2022

Një teknologji e re po ndihmon eliminimin e mbetjeve ushqimore

Në Shtetet e Bashkuara rreth 40 për qind e ushqimit hidhet poshtë. Në një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi një kompani në Holandë ka shpikur teknologjinë që mund të ndihmojë në reduktimin e mbetjeve ushqimore. Sipas Agjencisë të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore, 40 për qind e ushqimit që gatuhet në Shtetet e Bashkuara hidhet poshtë. Pjesa më e madhe e tij përfundon në vende mbeturinash, ku çlirohet një sasi masive metani. Për të ndihmuar në trajtimin e këtij problemi global, një kompani holandeze ka prodhuar një sistem monitorimi të mbetjeve ushqimore e cila përdor inteligjencën artificiale për të ndihmuar kuzhinierët e restoranteve të identifikojnë dhe masin sasinë e ushqimit që hidhet nga kuzhinat e tyre.

"Ne i vendosim koshit të mbeturinave një peshore poshtë dhe një kamera sipër dhe sa herë që hidhet diçka, bëjmë fotografi dhe falë Inteligjencën Artificiale arrijmë të dallojmë llojin e ushqimit që hidhet", thotë Olaf van der Veen, drejtor ekzekutiv i Orbisk.

Informacionet mblidhen dhe hidhen menjëherë në një bazë të dhënash për të ndihmuar kuzhinierët të shohin ato që mund të jenë probleme të përsëritura.

“Ta zëmë se hidhni 10 kilogramë domate çdo të martë në mëngjes, makineria do t’ua ofrojë këtë informacion. Ose sallatën të premteve, pasi njerëzit preferojnë ushqime të tjera më tradicionale, dhe çoni dëm një sasi të konsiderueshme sallate”, thotë Olaf van der Veen.

Ky është lloji i informacionit që u ofrohet shefave të kuzhinës në mënyrë që të ulin sasinë e mbeturinave që hedhin, me synimin për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe përfitimet prej tyre. "Nuk ka një kuzhinier në botë që do t’i pëlqente të gatuante për koshin e mbeturinave", thotë van der Veen.

"Pra, ajo që kjo teknologji është në gjendje të bëjë për një restorant është t'i mundësojë atij, nëpërmjet inteligjencës artificiale, të parashikojnë dhe të gatuajë sasinë e duhur të ushqimit", thotë Vonnie Estes, e Shoqatës Ndërkombëtare të Prodhimeve të freskëta.

Restorantet nuk e blejnë makinën, por paguajnë një tarifë abonimi mujor për informacionin që mbledh dhe shpërndan makina. Që kur u vu në përdorim në vitin 2019, shërbimi ka ndihmuar rreth 100 restorante në Evropë të kursejnë mbetjet ushqimore dhe paratë, thotë kompania.

"Ne kemi kursyer 200 deri në 300 mijë kilogramë deri më sot dhe kjo ka një vlerë prej rreth 1.2 deri në 1.8 milionë dollarësh", thotë Olaf van der Veen. Kompania planifikon të zgjerohet duke u futur edhe në tregun amerikan e shpreson që një ditë të eliminojë plotësisht mbetjet ushqimore nga kuzhinat industriale.


Burimi i informacionit: VOA

No comments:

Post a Comment