Përmes një komunikate për media, organizata Pishtarët ka thënë se edhe pas 10 viteve të lidhjes së kontratës ndërmjet Komunës së Deçanit dhe ndërmarrjes Kelkos Energji që kishte ndërtuar hidrocentralet në Lumbardh, e fundit nuk e ka zbatuar kontratën. Ata i kanë rikujtuar Komunës së Deçanit se ka të drejtë t’i caktojë afat kompanisë Kelkos Energji për përmbushjen e obligimeve, si dhe të shikojë bazën për mundësinë e shpërblimit të dëmeve. "Edhe pse kanë kaluar 10 vjet që Kelkosi nuk e ka zbatuar këtë kontratë, sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, komuna ende ka të drejtë që Kelkos-it ose t’i caktojë afat për përmbushjen e obligimeve ose të shkëputet dhe të shikohet baza për kërkesë për shpërblimin e dëmit. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur asnjëherë", kanë shkruar Pishtarët në postimin në rrjete sociale.
Pishtarët kanë rikujtuar se kanë kërkuar të bëhet hartimi i një plani punues nga institucionet publike, shoqëria civile dhe Kelkosi, për të arritur tek një zgjidhje e qëndrueshme.
Sipas Pishtarëve, plani duhet ti bëjë të qarta përgjegjësitë e Kelkosit që duhet të përmbushen për të arritur që hidrocentralet të operojnë në menyrë ligjore, si dhe të përcaktojë afatet kohore dhe të ndajë buxhet për rehabilitimin dhe kompenzimin e dëmeve.
‘Pas 10 viteve shkatërrim dhe shfrytëzim nga ana e Kelkosit nuk mund të pretendohet se nuk ka ndodhur asgjë në Grykë të Deçanit. Përpjekjet e shoqërise civile nga e gjithë Kosova më në fund kanë krijuar rast që të ndërtojmë standard të ri të qasjes dhe operimit të Kelkosit në Kosovë. Institucionet publike duhet të shfrytezojnë këtë rast në interes të popullit’, kanë shkruar Pishtarët në postimin në rrjete sociale.
No comments:
Post a Comment