Monday, November 1, 2021

Teknologjia dhe inovacionet shpresë për mbrojtjen e klimës

Viteve të fundit ka një shpërthim të ideve teknologjike dhe inovative për mbrojtjen e klimës dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Qindra ide frymëzuese që po ndodhin viteve të fundit e shumë të tjera që janë në proces të zhvillimit me të drejtë vlerësohet si një nga mënyrat për tu përballur me sukses me degradimin mjedisor dhe parandalimin e ndryshimeve klimatike. Andaj pyetja që shtrohet më së shpeshti është: A është inteligjenca njerëzore vaksina më e mirë kundër ndryshimit klimatik. Në vijim po ju prezantojmë disa nga idetë më interesante inovative për klimën.


Robotët që i prijnë valës së re të energjisë së erës

Blade BUG është robot drejtkëndësh që zvarritet mbi tehet e turbinës. Imagjinojeni një valixhe që mbin gjashtë këmbë. Nëse njerëzit kujdesen për turbinat është e rrezikshme dhe e kushtueshme. Por, dronët mund ta bartin BladeBUG deri te fusha me erë në det të hapur para se të zvarritet nëpër kullë dhe tehe, duke i përdorur sensorët për ta vërejtur ndonjë dëmtim apo nëse ndodh diçka që e ul efikasitetin e tij. Ai madje mund t’i përmirësojë vetë disa defekte të vogla.

Agjencia Ndërkombëtarë e Energjisë ka bërë të ditur se era në det të hapur mund të sjellë 18 herë më shumë sesa kërkesa e sotme globale për elektricitet, dhe inovacionet si ky mund ta bëjnë këtë gjë edhe më të përballueshme dhe më të arritshme. BladeBUG do të kalojë nëpër testimet komerciale këtë vit dhe planifikon të hyjë në treg më 2022.


Orizi klimatik

Kultivimi i orizit ka ndikim të ngjashëm që të shtohet ngrohja – rreth 2-3 për qind e ngrohjes globale. Orizoret janë sikur moçalishte gjigante që emetojnë sasi të madhe metani.

Rothamsted Research në Hertfordshire ka zhvilluar “Direct Seeded Rice” (DSR) që nuk ka nevojë që të kultivohet në një pellg, kështu që përdor më pak ujë. Bima i rrit rrënjët dhe filizat e parë më shpejt dhe kjo është qenësore për sukses në një sistem fushor konvencional.

Ka varietete me rendimente të larta dhe rezultatet e para janë premtuese. Uji në orizore nuk ndihmon që të shtypet bari i keq dhe kështu që ky sistem do të ketë nevojë për më shumë herbicide, por krijuesit besojnë se farat e gatshme në fermë do të jenë gati për disa vjet, ku pjesa dërrmuese e orizit në botë mund të kultivohet në këtë mënyrë brenda një dekade.


Përdorimi i drurëve

Çdo shtatë sekonda pyjet e qëndrueshme të Evropës sigurojnë drunj të mjaftueshëm për të ndërtuar shtëpi për një familje katëranëtarëshe. Karboni absorbohet nga trungu, i mbyllur në shtëpi dhe pastaj pemët mbillen përsëri. Ndërtimet e drunjta gjithashtu edhe i pakësojnë ndikimet enorme të karbonit nga përdorimi i betonit dhe çelikut. Cross Laminated Timber mundëson përdorimin e drunjve për hapësirat e mëdha të dyshemeve dhe mureve.

Qeveria franceze e ka vendosur me ligj se të gjitha ndërtesat e reja publike duhet të bëhen nga të paktën 50 për qind dru dhe një garë me “rrokaqiej druri” është në rrugë e sipër me Mjosa Tower në Brumunddal të Norvegjisë. Nëpër tërë botën po planifikohen ndërtesa të mëdha, por në Mbretërinë e Bashkuar ndryshimet në rregullativat e ndërtesave si kundërpërgjigje ndaj zjarrit të Grenfell Tower mund ta kufizojnë përdorimin e drurit në ndërtesat e larta.


Kullotja e Arktikut

Në thellësi të Siberisë, Nikita Zimov e udhëheq Pleistocene Park. I populluar me gjedh të madh të Veriut, kuaj të egër dhe bizon, është sikur Jurassic Park, por me njerëz më të shoqërueshëm. Ai do ta mbrojë tokën e ngrirë nga shkrirja dhe lirimi i karbonit në temperatura të larta, por për ta arritur këtë ai thotë diçka që na duket si herezi: “Këtu drunjtë e përkeqësojnë ndryshimin klimatik”.

Mbulesa e pyllit të Arktikut ka arritur vetëm kur njerëzit i vranë pjesën dërrmuese të kafshëve kullotëse përfshirë edhe mamuthin tashmë të zhdukur. Pasi që pyjet janë me ngjyrë më të errët sesa toka e mbuluar me borë, reflektohet më pak energji diellore që sjell ngrohje më të madhe të tokës.

Kafshët kullotëse, gjithashtu, e shkelin borën dhe e bëjnë një shtresë të hollë, e cila mundëson që freskia e ajrit të hyjë në tokë, në vend që shtresa e trashë e borës ta izolojë atë.

Për Nikitan dhe shumë kolegë të tjerë në universitetet perëndimore kjo do të thoshte një rilindje dhe potencialisht një riftohje e Arktikut. Parku eksperimental ka 129.5 kilometra katrorë, por për të pasur ndikim të plotë ai duhej të ishte mijëra herë më i madh.


Energjia diellore

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë të ditur se rryma e gjeneruar prej dielli tani po prodhohet shumë më lirë, sesa çfarëdo metode tjetër prodhimi. Por, panelet diellore aktualisht e konvertojnë në elektricitet rreth një të pestën e energjisë diellore që bie në ta.

Rrezet diellore krijohen mbi spektrin që e shihni në ylber dhe silikon, që gjendet pothuajse në të gjithë panelet diellorë, dhe ky është opsioni më i mirë për ta konvertuar pjesën e kuqe në elektricitet. Por, kompania me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, “Oxford PV”, po e kombinon silikonin me një material të quajtur perovskit – një mineral ky me një strukturë kristali të oksidit të titan kalciumit – që i kthen valët e kaltra në energji elektrike. Kjo përzierje kimike mund ta rrisë efikasitetin për 30 deri në 40 për qind.

Ato do të shkojnë në prodhim këtë vit dhe presin që aplikimet e hershme të jenë në kulm për konsumatorët që duan ta shtojnë energjinë nga një fushë e kufizuar.

No comments:

Post a Comment