Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka dhënë licencë 40 vjeçare për prodhimin e energjisë elektrike nga turbinat e erës, kompanisë “SOWI KOSOVO” për gjeneratorin Selac 1. Ky është gjenerator i ri në tregun e energjisë dhe ka kapacitet 34.47 MgW. Drejtori i bordit të ZRrE, Ymer Fejzullahu ka thënë në mbledhjen e bordit se kjo licencë i jepet këtij operatori vetëm për pajisjet që tashmë i ka të instaluara dhe në çdo rast që jetëgjatësia e këtyre pajisjeve mund të jetë më e vogël atëherë operatori duhet të aplikojë për licencë të re.
“Materialet e plota të operatorëve duhet të jenë te bordi 5 ditë para mbledhjes së bordit për t’i shqyrtuar më pas ne në mbledhje. Nuk ka pasur zvarritje ky aplikacion, po në afatin sa më të shkurtër është duke u trajtuar ky aplikacion. Edhe ZRRE dëshiron që gjeneratorët e energjisë së ripërtërishme të futen në operim sa më shpejt por gjithmonë duke e respektuar legjislacionin në fuqi. Ligji e thotë se jo më shumë se 40 vjet të jepet licenca, unë propozoj që t’i jepet licenca për 40 vjeçare. Kjo vlen vetëm për këtë gjenerator, por në çdo rast tjetër e çdo pajisje e re që mund të vendoset, turbinë apo çka do tjetër duhet të aplikojë për licencë të re”, ka thënë Fejzullahu.
No comments:
Post a Comment