Friday, July 16, 2021

Publikohet studimi: Dimensioni Demografik i Agjendës 2030 - Perspektiva dhe Sfidat e Kosovës

Në mbështetje të Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), autorët Dr.sc.Sami Behrami dhe Msc.Fadil Bajraktari, kanë realizuar botimin e studmit të politikave mbi aspektet demografike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të titulluar “Dimensioni Demografik e Agjendës 2030 - Perspektiva dhe Sfidat e Kosovës”.
Në këtë studim autorët kanë bërë përpjekje të trajtojnë rolin dhe dimensionin e faktorëve demografik në përmbushjen e Agjendës 2030, me trajtim specifik në rastin e Kosovës.
Studimi ka shtjelluar 5 komponentët ( sipas UNDP dhe UNRISD) më të rëndësishëm demografik për plotësimin e Agjendës 2030: trendët e rritjes së popullsisë, trendët e popullsisë sipas moshës- moshimi demografik, trendët e migracionit, trendët e urbanizimit, dhe projeksionet e popullsisë.
Studimi i faktorëve demografike në raport me objektivat e Agjendës 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm, ka një rëndësi të madhe për të kuptuar rolin e këtyre zhvillimeve në arritjen e këtyre objektivave.
Gjendja e tanishme dhe perspektiva e këtyre zhvillimeve në rastin e Kosovës kërkon ndërmarrjen e masave të politikave popullatave me qëllim që zhvillimet demografike të mos shndërrohen në pengës për arritjen e objektivave të Agjendës 2030, si imperativ i zhvillimit të botës bashkëkohore.
Për realizimin e punimit janë përdor metoda kërkimore-shkencore të karakterit teorik dhe praktik, me treguesit më të rëndësishëm të cilët na ndihmuan në arritjen e rezultateve për prezantimin e rolit dhe rëndësisë së faktorëve demografik në përmbushjen e Objektivave të Agjendës 2030, për zhvillim të qëndrueshëm.

Përmes metodës së sintezës janë nxjerrë përfundime për dinamikën e popullsisë, strukturat e popullsisë, migrimet e popullsisë, zhvillimin e urbanizimit, marrëdhëniet midis dukurive e proceseve demografike, urbanizimin etj. Të dhënat statistikore shprehën në mënyrë tabelore dhe grafike për të treguar trendin e lëvizjeve sidomos të treguesve demografikë, ndërsa metoda krahasuese na mundësoi krahasimin e proceseve demografike, urbanistike etj, gjatë periudhave të ndryshme kohore. Të dhënat e këtij studimi mundë të jenë udhërrëfyes për kreatoret e politikes me rastin e përgatitjeve të strategjive sektoriale dhe nder sektoriale me qëllim të shmangies nga zhvillimet e pa favorshme demografike të cilat do të ishin pengës në rrugëtimin e Kosovës drejt plotësimin e Objektivave të Agjendës 2030.

Në perspektiven e zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë njerëzore, konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm i kushtohet vëmendje kryesore, duke e shndërruar qëndrueshmërinë si pjesën më të rëndësishme të politikave zhvillimore të të gjitha sferave të jetës qofshin ato të niveleve globale, qofshin ato të niveleve regjionale apo lokale. 

Zhvillimi i qëndrueshëm kërkon harmonizimin në mes të faktorëve : ekonomike, sociale dhe mjedisor (mjedis të pastër shëndosh). Pra qëndrueshmëria krijon një ekuilibër mes natyrës dhe shoqërisë duke mbajtur në minimum efektet e dëmshme që dalin nga marrëdhëniet mes të dyjave. Zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton rritje kualitative dhe zhvillim socio-ekonomik e kulturor i cili është në raport me kapacitetet e mjedisit jetësor i cili duhet të zhvillohet në mënyrë që gjeneratave të ardhshme të mos u vështirësohen (rrezikohen) mundësit e ekzistencës.
 

No comments:

Post a Comment